in

Mbërrijnë flukset për punonjësit sezonalë

Firmoset dekreti i flukseve për 60 mijë punonjës sezonalë, të domosdoshëm për bujqësinë dhe strukturat turistike. Pritet shpallja në Gazetën zyrtare

Romë 28 shkurt 2011 – Qeveria u hap dyert 60 mijë punonjësve sezonalë jokomunitarë, krah pune i domosdoshëm për sektorë të ekonomisë si bujqësia dhe turizmi.

Më 17 shkurt qeveria ka firmosur dekretin e flukseve sezonale 2011 që tashmë pret të botohet në gazetën zyrtare për t’i hapur rrugën paraqitjes së kërkesave. Në krahasim me vitin e shkuar kur u vunë në dispozicion 80 mijë kuota, hyrjet e autorizuara për këtë vit janë tkurrur me 25%, por sipas shoqatave të punëdhënësve do të jenë mëse të mjaftueshme.

Edhe këtë radhë kërkesat do të paraqiten online, por pa qenë e nevojshme të nxitohet si për flukset e jo-sezonalëve, pasi vitet e fundit kanë treguar që kuotat i kapërcejnë kërkesat. Në tekstin e dekretit (që do të botojmë së shpejti) do të tregohen edhe vendlindjet e punonjësve që vitin e shkuar ishin Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnja-Hercegovina, Maqedonia, Kroacia, India, Pakistani, Bangladeshi, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia, Maroku, Moldavia dhe Egjipti. Në dekretin e këtij viti është shumë e mundur që kësaj liste t’i shtohet edhe Kosova.

Do të zhbllokohen më në fund edhe lejeqëndrimet shumëvjeçare, që u lejojnë atyre që kanë qenë në Itali vitet e shkuara për punë sezonale të vijnë në Itali pa kaluar më mes grykës së ngushtë të flukseve. “Parashikohen ardhje jashtë kuotave për të gjithë ata që kanë punuar për dy vjet në Itali” ka konfirmuar Natale Forlani, drejtori i përgjithshëm i Imigracionit në ministrinë e Punës.

Sipas shoqatës së bujqve Coldiretti, punonjësit imigrantë janë tashmë të domosdoshëm “për prodhimet e cilësisë së lartë”. Ndonjë shembull? “fermat blegtorale të gjethit të racës piemonteze, ato të lopëve për djathin parmigiano reggiano, mbledhja e mollëve të Val di Non, prodhimi i proshutës së Parmës dhe i mocarelave të buallicave, vjelja e rrushit për verën Brunello di Moltancino”.

Pogradeci në Eurolakes

Flukset 2011 për sezonalët: dekreti dhe sqarimet