Pritet vetëm botimi në Gazetën Zyrtare. Mes atyre që mund të vijnë në Itali për punë sezonale, si çdo vit, edhe shqiptarë, kosovarë, maqedonas, malazezë. Nga 5 maji përgatiten kërkesat
Romë, 30 prill 2015 – Italia po u hap më në fund dyert punonjësve sezonalë jokomunitarë, krahë punë vërtet për periudha të shkurtra por të domosdoshëm për bujqësinë apo për sektorin e turizmit e hotelerisë.
Dekreti i flukseve që autorizon 13 mijë hyrje të reja është regjistruar javën e shkuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe së shpejti do të botohet në Gazetën Zyrtare. Ja teksti i nënshkruar më 2 prill nga nënsekretari i Keyëministrisë, Graziano Delrio.
Vetëm pas botimit të dekretit në Gazetën Zyrtare ndërmarrjet do të mund të nisin kërkesat për të sjellë në Itali dhe punësuar punonjësit. Ndërkaq, mund të nisin përgatitjet: nga e marta 5 maj do të jetë e mundur të regjistrohen në faqet internet të ministrisë së Brendshme, të përpilojnë kërkesat dhe t’i ruajnë ato në pritje të çastit kur do të mund t’i nisin.
Dekreti u hap dyert punonjësve nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina, Algjeria, Egjipti, Filipine, Gambia, Gana, India, Japonia, Korea e Jugut, Maroku, Mauricius, Moldavia, Nigeri, Nigeria, Pakistan, Senegali, Serbia, Sri Lanka, Ukraina, Tunizia. Pavarësisht nga Vendlindja, do të pranohen edhe punonjës që kanë qenë në Itali vitet e fundit.
Për më tepër, 1.500 kuota të këtij dekreti u rezervohen punonjësve që kanë qenë këtu si sezonalë për dy vjet rresht e për të cilët punëdhënësit mund të paraqesin kërkesa autorizimesh shumëvjeçare, në mënyrë që vitet e ardhshme të mund t’i sjellin sërish ata në Itali pa pritur shpalljen e dekretit të flukseve.
Si çdo vit, 13 mijë kuotat shpejt do të shpërndahen mes provincave sipas nevojës së tyre. Ndërkaq, ministria e Brendshme dhe ajo e Punës kanë shpërndarë një qarkore të përbashkët në të cilën ilustrojnë përmbajtjen e dekretit dhe shpjegojnë procedurën për prezantimin e shqyrtimin e kërkesave.
Shkarko:
DPCM 2 aprile 2015 “Programmazione transitoria dei flussi d’ingresso dei lavoratori non comunitari per lavoro stagionale nel territorio dello Stato per l’anno 2015”
La circolare congiunta Interno-Lavoro
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)