Ministri i Punës Elsa Fornero: “Duke parë rritjen e papunësisë mes të huajve në Itali, hapja e dyerve emigrantëve të rinj mund të sjellë probleme. Por megjithatë nuk mund të mbyllemi krejtësisht”
Romë, 20 nëntor 2012 – Qeveria “po arsyeton” mbi një dekret të ri fluksesh për t’i rihapur dyert punonjësve të rinj, por mbi vendimin përfundimtar do të ndikojnë të dhënat jo inkurajuese mbi papunësinë e imigrantëve. Kështu është shprehur dje në mëngjes ministri i Punës Elsa Fornero, në Trento gjatë një takimi me të rinjtë, i organizuar nga Confindustria. Një pyetjeje mbi imigracionin dhe punën, Fornero iu përgjigj se “duke parë rritjen e papunësisë mes të huajve, hapja ndaj imigracionit mund të sjellë probleme. Por jemi duke arsyetuar mbi një dekret të ri fluksesh”.
“Po të shohim në një periudhë afatmesme – ka shtuar ministri – dy brigjet e Mesdheut nuk mund të jenë të ndara. Nga imigracioni mund të kemi një kontribut të madh për rritjen, nuk mund të mbyllemi, por duhet t’u mundësojmë këtyre personave të gjejnë punë dhe qytetari”.
Herë e fundit që Italia u ka hapur dyert punonjësve të huaj josezonalë ishte në vitin 2011, falë një dekreti të miratuar ng qeveria Berlusconi. Parashikonte thuajse 100 mijë hyrje, mëse gjysma për çdo sektëor të ekonomisë, nga vende me të cilat Italia ka marrëveshje dypalëshe. Nga vendet e tjera mund të vinin vetëm 30 mijë punonjës shtëpiakë.
Për vitin 2012 qeveria Monti nuk ka nxjerrë asnjë dekret fluksesh, me përjashtim të atij për punonjës sezonalë. Kjo zgjedhje u sugjerua nga ekspertët teknikë të ministrisë së Punës dhe asaj të Brendshme, dhe u mbrojt përpara parlamentit nga vetë ministri Fornero me arsyen e pranisë në Itali të shumë imigrantëve të mbetur pa punë.
Elvio Pasca