in

Foshnja nën telat me gjemba, shpresa e refugjatëve fiton çmimin World Press Photo

Fotografia e vitit është e Warren Richardson në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë. “Në dritën e Hënës, po të përdorja blicin, policia do të na zbulonte”

“Hope for a new life”, shpresë në një jetë të re. Si ajo e foshnjes që kalohet nga krahët e të atit në ato të një burri tjetër nën telat me gjemba për të vazhduar udhëtimin drejt një vendi ku do të mund të ketë një të ardhme të sigurtë.

World Press Photo 2016 u fitua nga imazhi i fiksuar natën e 28 gushtit 2015 nga fotografi australian Warren Richardson diku në kufirin mes Serbisë e Hungarisë. Një nga kufijtë e blinduar për të ndaluar përparimin e refugjatëve në itinerarin ballkanik.

“Qëndrova me refugjatët për pesë ditë në kufi. Arriti një grup me rreth 200 persona dhe u zhvendosën nën pemët përgjatë vijës së kufirit. Vunë përpara gratë e fëmijë, më pas baballarët e pleqtë” tregoi Richardson. “Me këtë grup ndenja për rreth pesë ore e gjatë gjithë kohës i fshiheshim policisë. Isha i raskapitur kur bëra fotografinë. Ishte rreth tre e natës e nuk mund të përdorja blicin sepse do t’i mundësoja kështu policisë, që ishte vënë në kërkim të tyre, t’i zbulonte. Ndaj përdora vetëm dritën e Hënës”.

“Menduam se në këtë fotografi gjen gjithçka që nevojitet për të dhënë një pamje të qartë mbi atë çka po ndodh me refugjatët” tha Francis Kohn, kryetar i jurisë së World Press Photo 2016. “Portretizon një situatë po mënyra në të cilën e bën është klasike në kuptimin më të gjerë të fjalës”.

Sipas një tjetër anëtari të jurisë, Vaughn Wallace, “ky është një imazh i pabesueshëm i krizës së refugjatëve. Të detyron të ndalesh, të përqëndrohesh në fytyrën e burrit, të përqëndrohesh mbi foshnjen. Shikon sa të mprehtë janë telat me gjemba dhe duart që zgjaten në errësirë. Nuk është fundi i një udhëtimi, por përmbushja e një faze të një të ardhmeje shumë të gjatë. Për këtë arsye, sipas meje, kjo duhej të ishte fotografia e vitit”.

 

 

Anila Bitri, ambasadorja e re e Shqipërisë në Itali

Patenta shqiptare. Konvertimi në italiane është sërish i mundur