in

Francë. Ndalohen 48 shqiptarë në një kamion frigorifer, do të hynin ilegalisht në Angli

Ndër 48 shqiptarët, 3 janë të mitur. Arrestohet shoferi i kamionit, një rumun. Zyrtari i Policisë: “Udhëtime të tilla mund të kenë pasoja fatale”

Romë, 23 janar 2014 – Dyzetetetë shqiptarë janë zbuluar nga policia britanike e kufirit në veri të Francës duke u përpjekur të hynin ilegalisht në Britani në një kamion frigorifer. Lajmin e jep ministria e Brendshme britanike, që saktëson se ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e të martës, 21 janar.

Ata janë zbuluar gjatë një kontrolli rutinë të kamionit në një port në veri të Francës ndërsa pritej të imbarkohej në një anije për në Folkestone të Britanisë.  Kamioni nuk transportonte mallra përveç 48 personave të fshehur në të. Është fjala për 41 meshkuj e 7 gra. Tre prej tyre mendohet të jenë të mitur. Të gjithë u janë dorëzuar autoriteteve franceze, ndërsa policia britanike e kufirit, që po heton mbi ngjarjen, ka arrestuar shoferin e kamionit, shtetas rumun.

“Transportimi i personave në kamionë frigoriferë apo në cisterna të mbyllura hermetikisht janë tejet të rrezikshme e mund të ketë pasoja fatale – deklaron nga policia e kufirit, Dave Hutchinson, nëndrejtor për Jug Lindjen dhe Evropën. “Ky rast dëshmon edhe mungesën e plotë të skrupujve të organizatave kriminale të përfshira në trafikun ilegal të njerëzve. Situata është akoma më alarmante kur në këto trafiqe përfshihen edhe të mitur, si këtë radhë”.

Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Firence. Maksi-operacion kundër trafikut të drogës, 35 arrestime

Belle Air. Gjykata pranon falimentimin (vendimi i plotë)