Nuk mund të kalonte në heshtje në Itali fitorja e kombëtares shqiptare ne Portugali me rezultatin e ngushtë, por mëse të mjaftueshëm për marrjen e 3 pikëve të para, me golin e vetëm të shënuar nga shkodrani Balaj.
“Portugali-Shqipëri 0-1, rezultat shokues në Aveiro; Balaj në fushë dhe De Biasi në stol shkruajnë historinë”. Me këtë titull pasqyron fitoren e bujshme të Shqipërisë në Portugali portali sportiv Tuttocalcioestero.it. Pasi numëron 12 fitoret e deri-djeshme të Shqipërisë jashtë fushës së saj në 68 vjet të historisë së kombëtares shqiptare, portali shkruan se mbrëmë, “në natën magjike të Aveiros, një gol i Bekim Balajt, sulmues i Slavia Pragës, u ka lejuar djemve të Gianni De Biasit të mundin Portugalinë, një nga më të fortat të futbollit botëror, në shtëpinë e vet”.
“Një rezultat i jashtëzakonshëm, që dëshmon për rritjen e futbollit shqiptar, eksponenciale nën udhëheqjen e Gianni De Biasit – shkruan Tuttocalcioestero.it, ndoshta duke e tepruar – që vitin e shkuar qëndroi në garë për kualifikim në Botëror deri në fund. Nga ana tjetër, turpërimi: në ndeshjen e parë dy muaj e gjysmë pas dështimit në Brazil, Paulo Bento duhet të durojë atë që me të drejtë mund të futet mes momenteve më të ulëta të futbollit portugez. Nuk mund të përjashtohet që humbja mund të sjellë edhe ndryshime në stol. Kundër Shqipërisë, ish futbollisti i Benfica-s dhe Sporting-ut nuk bëri gjë të hajrit”.
“Në pjesën e dytë të ndeshjes – vazhdon artikulli – mbërrin tragjedia, ajo sportive, të merremi vesh: në minutën e 52-të, Roshi (ndoshta më i miri në fushë mes kuqezinjve) i kalon topin Balajt, që e gjuan në ajër, me gjysmërrotullinm, duke i çuar një rrufe të pafajshmit Rui Patricio. Një gol spektakolar, i mrekullueshëm, sa edhe vetë sulmuesi shqiptar nuk arrin ta besojë. Goli ngjall panik në radhët e Portugalisë qënuk arrin të reagojë ë mënyrë të pranueshme. … I vetmi rrezik konkret për Berishën një gjuajtje e Horta-s që përfundon në shtyllë”
“Kur arbitri mbyll lojën, gëzimi është i papërmbajtshëm për Shqipërinë e për De Biasin. Ndërsa stadiumi i zhgënjyer fërshëllen Portugalinë” përfundon shkrimi.
Një kuriozitet. E dini cilat janë 12 ndeshjet e fituara nga Shqipëria jashtë fushës së saj para kësaj të mbrëmshmes? Rumani-Shqipëri (1948) 0-1, Greqi-Shqipëri (1991) 0-2, Moldavi-Shqipëri (1995) 2-3, Turqi-Shqipëri (1998) 1-4, Maltë-Shqipëri (2000) 0-1, Turqi-Shqipëri (2001) 0-2, Kazakistan-Shqipëri (2004) 0-1, San Marino-Shqipëri (2006) 0-3, Luksemburg-Shqipëri (2007) 0-3, Mali i Zi-Shqipëri (2010) 0-1, Norvegji-Shqipëri (2013) 0-1, San Marino-Shqipëri.
Interesant shkrimi i shkurtër i CalcioNews24 që me titullin “Portugali, gazetat të ashpra: Mizerie totale” sjell reagimet e shtypit portugez pas humbjes me Shqipërinë.
“Gazetat portugeze sot sulmojnë rëndshëm kombëtaren e tyre që dje u mund në ndeshjen e parë të vlefshme për kualifikimin në kampionatin e ardhshëm Evropian nga Shqipëria modeste. Një shpartallim që nuk justifikohet, me gjithë mungesën në fushë të Cristiano Ronaldos që sot konsiderohet nga shtypi si një turpërim për të gjithë futbollin portugez”.
Sipas CalcioNews24, gazeta A Bola shkruan që humbja e djeshme ishte: “Turpi më i madh në historinë e futbollit kombëtar”, ndërsa O Jogo, një tjetër e përdtshme sportive portugeze godet akoma më rëndshëme në faqe të parë ka për titull “Mizeria totale” duke iu referuar lojës së paktë të kombëtares së Paulo Bentos.
“Shqipëri shtrin përtokë Portugalinë” shkruhet në nëntitullin e artikullit online të TGcom24 që flet për ndeshjet e para të vlefshme për Euro2016. Artikulli mban si fotografi ilustruese ka çastet e gëzimit të futbollistëve shqiptarë pas golit të Balajt.
Sot në mëngjes, Lazio News përcjell lajmin me titullin “Sipërmarrje e Shqipërisë kundër Portugalisë. Djemtë e De Biasit fitojnë 1-0. Cana: “Rezultat historik!”. Faqet on line të klubit të kryeqytetit, ku luajnë dy nga shtyllat e kombëtares (portieri Berisha dhe kapiteni Cana), sjellin fjalët e Canës që në fund të ndeshjes është shprehur: “Bëmë një ndeshje të përkryer. Nuk mund as ta imagjinonim një nisje më të mirë se kjo: të fillosh ndeshjet e grupit me një fitore në shtëpi të Portugalisë është fantastike. Ky është rezultat historik. Jam i lumtur për kombëtaren time, për popullin tim, që kishte sytë te ne. Do të përpiqemi të luajmë akoma më mirë në ndeshjet e ardhshme të vlefshme për kualifikim”.
“Fitorja me Portugainë – vazhdon kapiteni – na lejon të luftojmë deri në fund për kualifikim, luajtëm me frymën e duhur dhe në rastin më të parë shkuam në avantazh”.
“Fitore historike për Shqipërinë e Gianni De Biasit – vazhdon komenti i Lazio News i përqendruar mbi lojtarët e skuadrës së kryeqytetit italian – kundër Portugalisë, “jetime” e Cristiano Ronaldos. Në stadiumin Municipal të Aveiro-s, Cana dhe Berisha dolën në fushë që në fillim të ndeshjes. Prova e të dyve ka qenë e mirë, por e gjithë kombëtarja shqiptare ka ofruar një paraqitje të shkëlqyer dhe ka ditur të presë çastin e duhur për të ndëshkuar skuadrën e Bentos falë një goli të bukur të Balajt në minutën e 52-të. Nisje e paharrueshme për skuadrën e De Biasit tani në krye të grupit bashkë me Danimarkën, dhe që pas kësaj fitoreje ka një shtysë më shumë për të fituar kualifikimin historik për në Euro 2016”.