Kombëtarja shqiptare e futbollit ka humbur me rezultatin 0-1 në Elbasan Arena ndeshjen me Portugalinë, e vlefshme për fazën kualifikuese të Evropianit Francë 2016. Golin vendimtar e shënoi Miguel Veloso në minutën e 92-të, pas një goditjeje këndi.
Kjo humbje e lë Shqipërinë në vendin e tretë me 11 pikë, një më pak se Danimarka e cila sot mori një pikë falë barazimit 0-0 me Armeninë. Ndërsa Portugalia ka mbetur në vendin e parë tashmë në kuotën e 15 pikëve.
Kuqezinjtë e De Biasit kanë shpresuar deri në fund të prishin planet e portugezëve, duke mos u lejuar të largohen nga Shqipëria me 3 pikë, por nuk ia kanë dalë dot. Thuajse të gjithë ndeshjen e kanë dominuar miqtë, por kanë arritur ta fitojnë vetëm minutën e fundit.
Në minutën e 13-të, portugezët kanë një rast të shkëlqyer pas një goditjeje nga këndi por topi i goditur nga Nani përfundon në shtyllë. Ronaldo, në minutën e 32-të, i afrohet shumë golit me një gjuajtje me kokë. Më pas mundësia e golit i jepet Bernardo Silvas, por ky e nxjerr topin jashtë. Pjesa e parë mbaron 0-0 me kuqezinjtë që gjatë gjithë kohës kanë mbrojtur portën.
Edhe në pjesën e dytë lojën e dominon Portugalia, por herë pas herë edhe Shqipëria bëhet e rrezikshme. Një gjuajtje e Eliseut, 10 minuta para përfundimit të ndeshjes, drithëron të gjithë tifozët që mbushin Elbasan Arenën, por fatmirësisht, vetëm për pak centimetra, topi nuk hyn në portën e Berishës. Por në minutën e 92-të mbërrin goli: pas një goditjeje nga këndi Miguel Veloso gjuan topin me kokë dhe e çon topin në portë. Portugalia 1 e Shqipëria 0. Kuqezinjtë nuk kanë më kohë për të reaguar. Kjo është ndeshja e parë që kuqezinjtë humbasin gjatë fazës kualifikuese për në Francë 2016.
Tashmë, të tretët në grup e me dy ndeshje përpara, matematikisht, kuqezinjtë mund edhe të kapërcejnë Danimarkën që ka vetëm një pikë më shumë se ata por vetëm një ndeshje për të luajtur.