Ambasadori italian, Gaiani: “Shqipëria e meriton statusin, ka plotësuar kushtet e vëna nga BE”
Tiranë, 24 qershor 2014 – Ambasadori italian në Tiranë, Massimo Gaiani po informon të martën Komisionin e Politikës së Jashtme në Kuvend mbi marrëdhëniet dypalëshe dhe Presidencën italiane të BE-së, në gjashtëmujorin e dytë të 2014-s.
Gjatë fjalës së tij, ambasadori shprehu bindjen se Shqipëria e meriton statusin e vendit kandidat pasi i ka përmbushur të gjitha kriteret dhe kërkesat.
“Italia ka punuar që Shqipëria të njihet më mirë nga shumë vende që e njohin pak atë”, u shpreh ambasadori.
Duke folur për presidencën e ardhshme të BE-së, kryesimi i së cilës nga 1 korriku do t’i takojë Italisë, Gaiani tha se shpreson që kjo Presidencë të fillojë me lajmin e mirë që Shqipëria ta ketë marrë statusin. “Jo vetëm Italia, por dhe unë personalisht jam në favor të zgjerimit të BE-s”.
Ky nuk është thjesht një proces, por është plotësim i BE-së me të gjitha vendet e Europës. Procesi i zgjerimit do të jetë pikë kyce e punës sonë në presidencën italiane të Bashkimit Europian, pasi zgjerimi do të jetë jo thjesht në dobi të vendeve aspirante, por në dobi të gjithë rajonit”, u shpreh ambasadori Gaiani në mbledhjen e sotme te komisionit të jashtëm.