in

Garë solidariteti për Alketin – Mblidhen 6.700 euro për dy ditë

Përfaqësuese të shoqatës Patronesse tregojnë se për dy ditë nga hapja e llogarisë për mbledhjen e fondeve për Alketin vetëm nga kontributet e derdhura nga qytetarë të thjeshtë, italianë dhe shqiptarë, janë arritur të mblidhen 6.700 euro. “Secili sipas mundësive, 20, 30 apo dhe 100 euro. Është kjo fryma e nismës sonë” na thonë përfaqësueset e shoqatës

Romë, 15 qershor 2012 – Milena Fiore, kryetare e shoqatës Patronesse e thotë hapur: “Jemi mbledhur këtu për të kërkuar ndihmë. Duhen 20 mijë euro dhe jemi të bindura që do arrijmë ta mbledhim këtë shumë”, sepse sipas saj solidariteti nuk njeh krizë. Njëzetmijë euro, sa më shpejt, është shuma nga e cila varet jeta e vogëlushit Alket i cili aktualisht ndodhet në jetimoren e Tiranës. 14 muajsh, fëmija i një adoleshenteje të përdhunuar, i lindur më një keqformim në zemër. Jeta e këtij vogëlushi flokëverdhë duket si e destinuar të ketë një rrjedhë negative, një rrjedhë që shoqata Patronesse, e cila vepron pranë spitalit Salesi të Ancona, duket se ka vendosur t’i ndryshojë drejtimin.

Me objektiv hapjen e fushatës së mbledhjes së fondeve dhe sensibilizimit të opinionit publik, më 12 qershor në Ancona u organizua një takim. Milena Fiore (kryetare e shoqatës Patronesse), Clementina Merlo (Spai) shoqatë adoptimesh ndërkombëtare, Marco Pozzi (Drejtori i Repartit të kardiokirurgjisë pediatrie të Spitalit Riuniti-Torrette, Ancona) dhe Luigi Catalano (pronari i ndërmarrjes Edilcost). Të dyja shoqatat, të kontaktuara drejtpërdrejt, na garantuan se shuma është e nevojshme për shpenzimet e  udhëtimit, operacionit dhe kurave të mëtejshme. Ekipi i mjekëve nuk do të marrë shpërblim, por spitali nuk ka mundësi të mbulojë shpenzimet, për një fëmijë që nuk banon në Itali. Maksimumi i lehtësimit që ka mundur të bëjë për këtë rast, është një ulje prej dy mijë euro nga çmimi fillestar.

Është hapur një llogari bankare pranë Unicredit Ancona me këto koordinata: “Associazione Patronesse”- causale del versamento: “Dedicato a Alket” – IBAN  IT17G0200802619000102099102

Nga shoqatat Patronesse dhe Spai rrëfejnë se shumën e parë prej 50 eurosh e ka dhënë një pensionist dhe se ndërkohë janë derdhur të holla edhe nga qytetet të tjera italiane. Përfaqësuese të shoqatës Patronesse, të bindura që shuma do të mblidhet dhe se fëmija shumë shpejt do të sillet në Itali, tregojnë se për dy ditë nga hapja e llogarisë, vetëm nga kontributet e derdhura nga qytetarë të thjeshtë, italianë dhe shqiptarë, janë arritur të mblidhen 6.700 euro. “Secili sipas mundësive, 20, 30 apo dhe 100 euro. Është kjo fryma e nismës sonë” na thonë përfaqësueset e shoqatës.

Që ditën e prezantimit të fushatës, eksponentë të sportit kanë bërë të ditur se në kuadrin e një sërë aktivitetesh, do të mbledhin fonde për Alketin nëpërmjet shitjes së bluzave në ankand. Luigi Catalano, i ndërmarrjes Edilcost që më 16 qershor feston përvjetorin e themelimit, do t’u kërkojë rreth 200 të ftuarve kontributin e tyre për vogëlushin shqiptar.

Pasi rasti i Alketit u pasqyrua dhe në mediat shqiptare, mbërriti i menjëhershëm reagimi i Institutit Kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë. Drejtori i këtij Instituti Ilir Çumani, fillimisht në faqen e Face Book të Institutit dhe më pas në një komunikim të drejtpërdrejtë me Shqiptariiitalise.com, shprehet: “Falë të gjitha përpjekjeve të stafit multidisiplinar të qendrës “Hana dhe Rozafa”, në bashkëpunim me Komitetin Shqiptar te Birësimeve dhe Shoqatës “Patronesse” në Itali, rasti është zgjidhur dhe shumë shpejt fëmija do të niset për në Ankona. Kanë filluar procedurat për pajisjen e tij me pasaportë dhe për sigurimin e të gjitha dokumenteve të tjera të nevojshme”. drejtoresha e qendrës Shtëpia e Foshnjës, Rudina Hoxhaj, ka treguar në mediat shqiptare se brenda një jave Alketi do të niset për në Ankona ku do ti nënshtrohet operacionit që i nevojitet. Sipas saj “Shoqata italiane, Le Patronesse për foshnjën jetim të sëmurë ka arritur të sigurojë fondin prej 20 mijë eurosh, i cili do të bëjë të mundur operimin e Alketit”.

Por nga shoqata Patronesse e Anconës thonë se paratë ende nuk janë mbledhur, bëjnë të ditur se shuma gjithsesi është e nevojshme, pa të operacioni nuk kryhet dot, dhe se vazhdon fluksi i mbërritjes së parave. Plot 6.700 euro të mbledhura në dy ditë, lënë të shpresohet që shuma e duhur do të arrihet shpejt.

Shqiptari i Italisë mbështet fushatën e mbledhjes së fondeve dhe u bën thirrje sipërmarrësve, shoqatave e të gjithë shqiptarëve në Itali të ndihmojnë me sa të munden për të arritur sa më parë shifrën e nevojshme për të sjellë në Itali Alketin në mënyrë që të operohet e t’i sigurohet një jetë normale dhe e gjatë.

Irida Cami

Altin Hoxha “syakulli” kthehet sërish në Itali

Operohet Klevin, njëvjeçari i djegur pak muaj më parë