in

Gazeta Dita: Ambasadori Ceka kërkohet në cilësinë e të pandehurit nga drejtësia greke

Sipas disa dokumenteve sekrete të ministrisë së Jashtme të siguruara nga gazeta Dita, ambasadori i Shqipërisë në Romë, profesor Neritan Ceka, kërkohet nga drejtësia greke të paraqitet në një çështje gjyqësore që nis më 25 shtator

Tiranë, 22 shtator 2013 – “Shtetasi Neritan Ceka duhet të paraqitet në cilësinë e të pandehurit pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Faktit Kalamata Greqi, në seancën gjyqësore që do të zhvillohet në datë 25.09.2013, ora 9.00 pranë kësaj gjykate”. Kjo lexohet në një dokument “Ftesë për paraqitje” e prokurorisë së Tiranës, i siguruar nga e përditshmja shqiptare Dita që e ka botuar sot bashkë me lajmin e bujshëm: Ambasadori shqiptar në Itali, Neritan Ceka, kërkohet nga prokuroria greke e Kalamatës.

Sipas të përditshmes, më 11 qershor, pranë Ministrisë së Drejtësisë në Tiranë, ka mbërritur një dosje nga ministria greke e Drejtësisë, me të cilën kërkohet ambasadori shqiptar në Romë, Neritan Ceka. Pas mëse një muaji (kohë e nevojshme për procedurat e protokollimit dhe të përkthimit), në datën 15 korrik prokuroria e Tiranës i ka dërguar Ministrisë së Jashtme, në cilësinë e punëdhënësit, praktikën me kërkesën për të marrë në pyetje për llogari të prokurorisë greke të Kalamatës ambasadorin Neritan Ceka.

Sipas shkresës zoti Ceka ftohej që më datën 25 Korrik të vinte në Tiranë për të dhënë deklarime në lidhje me disa pyetje të cilat ishin të interesuar t’i bënin atij prokurorët grekë të Kalamatës.

Nga shkresa kuptohet se këta të fundit ndërkohë, e kishin shpallur të pandehur zotin Ceka, madje në shkresë sqarohej se në lidhje me çështjen në ngarkim të tij, Gjykata e Kalamatës do të çelë gjyqin më datën 25 shtator, pra të mërkurën që vjen. Në letërkëmbimet e siguruara nga Dita del se ambasadorit Ceka i kërkohet që të konfirmonte njoftimin e bërë nga prokuroria e Tiranës dhe të shkonte brenda datës 25 korrik në Tiranë dhe të jepte deklarimet e tij.

Gazeta “Dita” pasi ka administruar shkresat e dërguara drejt Ministrisë së Jashtme për “çështjen Ceka” u përpoq të mësonte më tepër rreth natyrës së veprës penale për të cilën akuzohet Ceka në shtetin helen, por njësoj si në shkresat që kanë firmosur, prokurorët kanë mbajtur qëndrim “Top Secret” edhe ndaj interesimit të gazetës.

Duket se edhe nga pala greke kjo çështje është trajtuar me një kujdes të veçantë. Kjo kuptohet, pasi prokurorët e kërkojnë me ngulm Neritan Cekën, madje e kanë shpallur dhe të pandehur, por i kanë lënë shansin që të japë garanci te homologët shqiptarë në prokurorinë e Tiranës, se më datën 25 shtator 2013 ai do të paraqitet vetë me vullnetin e tij në gjykatën greke.

Në fund të shkresës ambasadori Ceka paralajmërohet se “në rast mosparaqitjeje ditën dhe orën e caktuar, pa pasur pengesë të ligjshme” në bazë të nenit 308 të Kodit të Procedurës Penale, “mund të urdhërohet shoqërimi i detyruar nga Policia Gjyqësore”.

Mbetet për t’u parë se ku i ka dalë prokurorëve grekë emri i ambasadorit Ceka dhe se sa serioze është çështja penale për të cilën prokurorët grekë e kanë klasifikuar ambasadorin Ceka si të pandehur, të implikuar.

Dy nga dokumentet e botuara nga gazeta Dita:

Emma Bonino, në tetor vizitë zyrtare në Tiranë

Mbretëria e Bashkuar. Çdo 5 minuta dy të huaj marrin pasaportën britanike