Gjashtë janë viktimat e përmbytjeve të djeshme në qytetin e Genovas, ndër to edhe nëna 28-vjeçare Shpresa Djala me dy vajzat e saj të vogla
Romë, 5 nëntor 2011 – Bilanci zyrtar i viktimave të 4 nëntorit për Genovan flet për gjashtë viktima, katër gra e dy fëmijë. Përmbytjet e djeshme për shkak të reshjeve të shumta në një hark kohor të shkurtër, që sollën daljen nga shtrati të tre përrenjve të nëndheshëm, Bisagno, Fereggiano e Sturla, kanë shkatërruar lagje të tëra të qytetit.
Pikërisht në rrugën Fereggiano, nën të cilën shkon edhe lumi me të njëjtin emër, kanë gjetur vdekjen të gjashta viktimat: 28vjeçarja Shpresa Djala me të bijat Janissa Diana 1 vjeçe dhe Gioia 8 vjeçe, Angela Chiaramonte 40 vjeçe, 19-vjeçarja Maria Costa, që ishte në motoçikletë me vëllanë më të vogël, që fatmirësisht i ka shpëtuar furisë së ujit, dhe shitësja e gazetave Evelina Pietranera 50 vjeç.
Pas kësaj nate të kaluar pak a shumë qetësisht, pa reshje e pa situata kritike, nga ora 6 e mëngjesit në Genova, me urdhëresë të kryebashkiakut, ka nisur bllokimi i përgjithshëm i trafikut privat, për t’i dalë përpara të keqes së shirave që tashmë kanë rinisur e parashikohen të intensifikohen pasdite. Gjendja e alarmit e shpallur nga Mbrojtja Civile do të vazhdojë deri të dielën në orën 12. “sipas parashikimeve të motit, edhe dita e sotme duhet të jetë si e djeshmja, ndaj u kërkojmë qytetarëve të mos dalin nga shtëpitë e tyre, të kufizojnë sa të munden lëvizjet në qytet” ka deklaruar aksesori për Mbrojtjen Civile i komunës, Francesco Scidone.
Ndërkaq, sot qëndrojnë të mbyllura shkollat, parqet, muzetë e bibliotekat. E mbyllur, e më pas u rihap vetëm në dalje nga Genova, edhe dalja e autostradës Genova Est ndërsa stacionet kryesore të qytetit Principe dhe Brignole, janë operative. Rreth 100 persona kanë kaluar natën jashtë shtëpive të tyre.
Lexo edhe: Drama e Flamur Djalës, babait që humbi familjen në përmbytjet e Genovas