in

Gëzuar ditëlindjen Scanderbegu i Parmës!

Në panoramën e shoqatave shqiptare në Itali, prej vitesh po spikat për vazhdimësi në punën e vet, programin e gjerë të veprimtarive, shoqata Scanderbeg e Parmës.

Është krijuar më 27 korrik 2006 nga Anila Kadija, Gentian Alimadhi, Mentor Fiku, Rozeta Lami, Shpendi Ndreu, Shpendi Spahiu dhe Durim Lika, që në një status të tijin në Facebook, para pak ditësh, i uron nëntëvjetorin shoqatës.

Prej dy vjetësh, Scanderbeg ka për kryetar Shpendi Ndreun, sipërmarrës 45-vjeçar, aktiv në shoqatë që në themelim të saj, i pakursyer në financimin e aktiviteteve të saj. Para tij, kanë qenë kryetarë edhe Gentian Alimadhi e Durim Lika.

Scanderbeg është e vetmja shoqatë që me vazhdimësi organizon falas mësimdhënien e gjuhës shqipe, tashmë prej gjashtë vjetësh. Pikërisht më 31 maj 2015, organizoi si çdo vit, festën e Fëmijëve dhe ndau dëftesat e atyre që ndoqën vitin e sapombyllur shkollor. Këtë radhë, festa konsistonte në Mësimin e hapur, ku mësuesit e ciklit të ulët, gjuhës shqipe, letërsisë shqipe, historisë dhe gjeografisë, muzikës dhe traditave shqiptare bashkëbiseduan me nxënësit rreth njohurive të marra gjatë vitit shkollor. Më pas u ndanë diplomat e u mbyll me lojëra e muzikë me fëmijë. Gjithçka e shoqëruar nga gatime shqiptare të përgatitura nga nënat e nxënësve dhe anëtare të shoqatës. (vazhdon pas fotografisë)

Një tjetër veçori e kësaj shoqate është ngritja e një skuadre futbolli “ADS Scanderbeg”, e mirënjohur në Emilia për rezultatet në fushë (sezonin e shkuar u rendit e treta në krahinë në kategorinë e dytë), shembull i shkëlqyer integrimi ku luajnë krah njëri tjetrit shqiptarë, italianë dhe futbollistë të kombësive të tjera. E shkallët mbushen plot me shqiptarë ku luan Scanderbegu dhe jo rrallë të qëllon të dëgjosh “Forca Skënderbe!” në fushat e futbollit të krahinës.

Veç këtyre impenjimeve të vazhdueshme disavjeçare, Scanderbeg organizon rregullisht Javën e kulturës shqiptare në Parma dhe veprimtari të ndryshme për promovimin e artit, kulturës e traditës shqiptare, të artistëve, shkrimtarëve, sportistëve shqiptarë në Itali.

Me përvojën e saj, shoqata Scanderbeg “nuk e ka shoqen në realitetin e Parmës” dhe “duhet të merret si shembull në nivel krahinor dhe kombëtar”, për ta thënë me fjalët e këshilltarit provincial të Parmës, Massimo Pinardi.

“Scanderbegu lindi për shqiptarët – thotë për shqiptariiitalise.com Vojsava Tahiraj, nënkryetare e shoqatës – thjesht nga dëshira për t’u mbledhur e për të festuar. Me kalimin e viteve është kthyer jo vetëm në një pikë referimi për të gjithë komunitetin tonë në Parma por edhe në një partner të besueshëm për institucionet lokale dhe një urë mes komunitetit shqiptar dhe vendasve”. (vazhdon pas fotografisë)

“Mund të themi se jemi aktivë në mënyrë të vazhdueshme në katër drejtime”. “Mbi të gjitha do të dalloja shkollën, një realitet shumë i bukur e i dobishëm për fëmijët e lindur këtu që këtu mësojnë gjuhën e disa njohuri mbi Shqipërinë. Gjithçka është falas, e dy vitet fundit kemi edhe mbështetjen e komunës së Parmës që na ka vënë në dispozivcion mjediset për zhvillimin e mësimit. Janë për t’u përgëzuar jo vetëm mësuesit që japing kontributin e tyre por edhe prindërit që gjejnë mundësinë e kohën të sjellin fëmijët në këtë shkollë”. (vazhdon pas fotografisë)

Mësuesit e shkollës shqipe

“Veç shkollës, veçori e shoqatës sonë është skuadra e futbollit që merr pjesë në kampionatin krahinor. Kemi Grupin e valleve që përbëhet nga të rritur që bëjnë prova rregullisht e japin kontributin e tyre gjatë javës së Kulturës shqiptare apo në spektakle të ndryshme gjatë vitit. Në shoqatë kemi edhe Forumin e studentëve që përveçse merr pjesë në organizimin e të gjitha veprimtarive të shoqatës, ndihmon të sapoardhurit për studime”. (vazhdon pas fotografisë)

“Organizojmë çdo vit javën e Kulturës shqiptare, një sërë aktivitetesh të përqendruara në disa ditë nga fundi i nëntorit, me rastin e festës kombëtare. Por edhe gjatë pjesës tjetër të vitit aktivitetet janë të shumta: prezantime librash e filmash, spektakle dhe ekspozita që po mbushin salla e sheshe jo vetëm me shqiptarë por gjithnjë e më shumë edhe me vendas”. (vazhdon pas fotografisë)

Vojsava Tahiraj
Cili është sekreti i mbarëvajtjes së shoqatës që arrin të mbledhë rreth vetes qindra e qindra shqiptarë e përditë e më shumë edhe italianë? “Falë punës së palodhur, përkushtimit të vazhdueshëm kontributit në kohë e, pse jo, edhe ekonomik të vullnetarëve te shoqata, ajo i ka rezistuar kohës dhe është rritur. – thotë Vojsava që shton – Vlerë e shtuar e jona është rritja e vazhdueshme e bashkëpunimit me institucionet vendase, me territorin e me shoqatat e komuniteteve të tjera, karakteri gjithëpërfshirës i veprimtarive tona ku përditë e më shumë marrin pjesë jo vetëm ne të shoqatës, por edhe anëtarë të rinj shqiptarë, vendas e të huaj”.

Disa shembuj që flasin në këtë aspekt janë turneu i futbollit i organizuar me komunitetet e tjera të të huajve në provincë, projektet me shkollat tetëvjeçare të Parmës për njohjen e fëmijëve me kulturën shqiptare, organizimi i disa aktiviteteve bamirësie për mbledhjen e fondeve në ndihmë të disa familjeve të përmbytura në Fier.

“Ndër veprimtaritë e fundit, mund të përmend takimin me temë “Vergini Giurate”. Në bashkëpunim me ANPI Parma, shfaqëm dokumentarin Burrneshat të Elvira Donesit dhe mbajtëm një bashkëbisedim shumë interesant me një prej tyre, Diana Rakipin, që erdhi posaçërisht nga Durrësi. Salla e kinemasë ku u zhvillua takimi ishte plot, e mund të them pa frikë që italianët ishin më të shumtë në numër se shqiptarët”.

Këto e shumë të tjera janë aktivitetet e Scanderbegut të Parmës, që kush jeton në zonë ka mundur ta ndjekë e ta njohë nga afër. Redaksia e Shqiptarit të Italisë i uron jetë të gjatë e plot veprimtari.

Keti Biçoku

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Alessandria. Zihen, njëri me thikë e tjetri me shufër hekuri. Vdes një 55-vjeçar

Pse nuk e ngre kokën turizmi shqiptar?