in

Gianfranco Fini në Tiranë: “Nëse nuk miratoni 3 ligjet, rrezikoni dy vjet vonesë në integrimin europian”

Gianfranco Fini krah autoriteteve shqiptare e të huaja ndërsa ndjek paradën ushtarake

Tiranë, 29 nëntor 2012 – “Nëse Kuvendi nuk miraton ligjet, Shqipëria rrezikon 2 vjet vonesë në marrjen e statusit të vendit kandidat”. Kështu ka pohuar më 28 nëntor kryetari i Dhomës së Deputetëve Gianfranco Fini, i pranishëm për festimet e Jubileut në Tiranë, lidhur me miratimin e tre ligjeve me 3/5 të përcaktuara nga KE për marrjen e statusit kandidat.

Sipas Shekullit, duke folur me gazetarët në Ambasadën italiane në Tiranë, Fini ka preferuar të mos vërë gishtin lidhur me përgjegjësin e këtij bllokimi të reformave, por ka theksuar faktin se, nëse këto ligje nuk miratohen tani, atëherë do të kalojnë për miratim pas zgjedhjeve shqiptare të vitit 2013 dhe BE do t’i marrë parasysh vetëm në vitin 2014.

“Nuk gjykoj nëse opozita ka të drejtë apo jo, nuk ndërhyj në politikën e brendshme të Shqipërisë, por ju them që nëse s’miratohen shpejt, ligjet mbeten për legjislaturën e ardhshme, pas zgjedhjeve 2013, ku në këtë rast i voton parlamenti i ri shqiptar. Ndërkaq, BE i merr në shqyrtim në fillimin e vitit 2014”.

Megjithatë ai ka nënvizuar mbështetjen e Italisë ndaj “përpjekjeve të qeverisë shqiptare për integrimin”.

E ndërsa kthehej në Romë, moti i keq ka frikësuar jo pak Finin dhe stafin e tij: avioni është goditur nga një rrufe, që fatmirësisht nuk ka shkaktuar asnjë dëm. “U ndriçuam si të ishim llambë” shkruan në Twitter zëdhënësi i Finit, që qetëson mbështetësit duke sqaruar se gjithçka mori fund pa asnjë problem, e Kryetari i Dhomës së Deputetëve arriti shëndoshë e mirë.

 

Shqipëria festoi 100 vjetët e saj të parë

Koncerti i madh i Rita Orës mbyll festimet e 100 vjetorit të Pavarësisë