Pas fitores historike në Portugali, trajneri i kuqezinjve intervistohet nga e përditshmja italiane Gazzetta dello Sport. Flet për ndeshjen e para dy ditëve, për futbollin shqiptar por edhe për vendin në përgjithësi
Gianni De Biasi, 58 vjeç, prej dhjetorit 2011 drejton kombëtaren shqiptare, që në ranking-un botëror renditet e 67-ta, por që të dielën e shkuar mundi Portugalinë 1-0.
Me një lojë kryesisht në mbrojtje, duket se e qorton gazetari i Gazzetta dello Sport. “Nuk kishim përgatitur një ndeshje në mbrojtje, por u detyruam të luajmë kështu. Sidoqoftë, krijuam tre raste goli” thotë trajneri. E nëse do të kish lozur Ronaldo? “Nuk besoj se do të kishim bërë figurë të keqe edhe me të në fushë. Ndoshta do të kishim fituar njësoj, duke uajtur më pranë njëri tjetrit e dyfishuardyfishuar mbrojtjen mbi Ronaldon”.
Reagimet pas ndeshjes? “Ka shumë entuzazëm, kam marrë mesazhe pa fund”.
De Biasi tregon se skuadra stërvitet në Durrës, në mes të pishave. Se për të nuk është problem gjuha pasi thuajse të gjithë flasin e kuptojnë italisht, por thekson “kam edhe Canën që më ndihmos pasi ai njeh shumë mirë tri gjuhë”. Ndër lojtarët më të mirë të kombëtares, De Biasi rendit ata që luajnë në kampionatin italian: Cana, Berisha, Hysaj dhe Basha.
Kur flet për futbollin shqiptar në veçanti trajneri vlerëson pozitivisht reformimin e superligës: “Në Shqipëri futbolli është në rritje, me supërligën të reduktuar me vetëm 10 skuadra është rritur cilësia”.
E fjalët e mira të De Biasit nuk mungojnë kur flet mbi Shqipërinë e shqiptarët në përgjithësi: “Shqipërinë e kam shëtitur me biçikletë: pjesa e jugut të saj,ajo pranë kufirit me Greqinë është një mrekulli”. E shqiptarët, ndryshe nga nami që kanë si dembelë e të plogësht, “punojnë shumë. Orë e orë të tëra. Edhe në futboll: në stërvitje nuk tërhiqen kurrë mbrapsht, nuk kontestojnë, janë të gatshëm për gjithçka”.
Por ka një gjë që trajneri vëren si karakteristikë të shqiptarëve që nuk i pëlqen: “Kur arrijnë një objektiv, më pas kanë tendencë të heqin dorë”.
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)