in

Giordano (PdL): “Të ulëta deklaratat e Borghezios mbi shqiptarët”

 

Kryetari i shoqatës parlamentare mbi miqësinë Itali-Shqipëri, Basilio Giordano, mban qëndrim ndaj batutave bajate të Borghezios: “Ofendojnë shqiptarët, Shqipërinë, komunitetin e gjerë shqiptar në Itali dhe mbi 100 parlamentarët italianë, pjesëtarë të shoqatës së sapokrijuar”
Basilio Giordano e ambasadori Llesh Kola

Romë, 21 maj 2012 – “Kam mbetur thellësisht i tronditur nga deklaratat e ulëta të europarlamentarit legist Borghezio mbi shqiptarët, të dhëna gjatë emisionit radiofonik “La Zanzara” në Radio 24. Borghezio, i njohur për qëndrimet e tij raciste dhe ekstremiste, me deklaratat e tij “Gratë shqiptare punojnë shumë, ndërsa burrat nuk bëjnë asgjë, rrinë gjithë ditën në kafene duke pirë nargjile” fyen shqiptarët, fyen Shqipërinë, komunitetin e madh shqiptar në Itali por edhe mëse 100 parlamentarët italianë që bëjnë pjesë në shoqatën e sapokrijuar Itali-Shqipëri”. Kështu shprehet në një komunikatë për shtyp parlamentari i Pdl-s, Basilio Giordano, kryetar i shoqatës parlamentare të miqësisë mes dy vendeve, të prezantuar javën e shkuar në Senatin italian.

“Ndoshta Borghezio harron se Shqipëria bën pjesë në NATO dhe është kandidate për të hyrë në Europë. Bën vërtet përshtypje që pikërisht një europarlamentar italian lëshon deklarata kaq poshtëruese mbi Shqipërinë, ndërkohë që Italia mbështet hyrjen e aj në Europë”.

“Shoqata që kam nderin të drejtoj – vazhdon Giordano – i shpreh Shqipërisë, përfaqësuesve të saj më të lartë institucionalë, ambasadorit shqiptar në Romë, Llesh Kola, komunitetit shqiptar në Itali, keqardhjen për deklaratat e pavend të europarlamentarit Borghezio. Ftoj të gjithë parlamentarët legistë të mbajnë qëndrim ndaj deklaratave të kolegut të tyre”.

Së fundi, Giordano shprehet se “Shoqata parlamentare e miqësisë Itali-Shqipëri, që ka për qëllim  mbrojtjen dhe favorizimin e miqësisë mes dy vendeve, do të bëjë ç’është e mundur në mbrojtje të imazhit të mirë të Shqipërisë dhe italisë, dhe të marrëdhënieve të tyre të shkëlqyera”.

Shqiptari i Italisë

Lexo edhe: Ambasadori Kola: “Nuk besoj se shteti duhet të reagojë për fjalët e Borghezios”
Nënshkruani apelin e ‘Shqiptarit të Italisë’ Jashtë Borghezio nga Parlamenti Europian

Terremoto. Spento il sogno di Naouch, diventare italiano

Pse tremb vota e emigrantëve?