in

Pse tremb vota e emigrantëve?

 

Nga shtypi shqiptar

Shteti shqiptar s’ka hapur ndonjëherë hetime në vende të huaja kur kanë qenë të përfshirë shqiptarë, s’ka asnjë zyrë për të ndihmuar mijëra emigrantët që kanë probleme me ligjin veçanërisht në Greqi dhe Itali dhe tingëllon gati absurde të pretendosh t’i tërheqë veshin ndonjë shteti për keqtrajtimin dhe shkeljen e të drejtave të emigrantëve jashtë kufijve. Shteti s’e vret mendjen sepse emigrantët s’kanë ku të votojnë “kundër”.

Endrit Avdullari, Londër

Shumica dërrmuese e emigrantëve që njoh, i mbajnë ende pasaportat shqiptare dhe pse jetojnë prej shumë vitesh jashtë dhe mbase s’kanë më ndërmend të kthehen. E duan Shqipërinë dhe po ta braktisin atë pasaportë u duket sikur do braktisin vendin. Pasaporta është pronë e shtetit shqiptar. Ai mban përgjegjësi për çdo person që e mban atë kudo që ndodhet.

Në vitin 2007, Madeleine Mçann humbi në Portugali. Qeveria britanike urgjentisht formoi një task-forcë me hetues vendas për të ndihmuar policinë portugeze. Para pak muajsh, shteti italian thirri urgjentisht ministrin e jashtëm britanik “për sqarime brenda pak orësh” për shkak të një operacioni të dështuar shpëtimi në Nigeri në të cilin përfshiheshin edhe shtetas italianë. Operacioni u krye pa njoftuar autoritetet Italiane dhe kjo ishte arsyeja.

Austro-Hungaria hapi luftë me Serbinë kur në vitin 1914, princi Franz Ferdinand u vra në Bosnje. Shteti shqiptar s’di të ketë hapur ndonjëherë hetime në vende të huaja kur kanë qenë të përfshirë shqiptarë, s’ka asnjë zyrë për të ndihmuar mijëra emigrantët që kanë probleme me ligjin veçanërisht në Greqi dhe Itali dhe tingëllon gati absurde të pretendosh t’i tërheqë veshin ndonjë shteti për keqtrajtimin dhe shkeljen e të drejtave të emigrantëve jashtë kufijve.

Përkundrazi, shteti ynë merr vendim për tërheqjen me vetëm pak muaj afat të pasaportave 10-vjeçare. Gjendja e ambasadave me dhëndurë kryeparlamentarësh dhe kushërinj ish-zëvendëskryeministrash është skandaloze me të njëjtin nivel korrupsioni si në Tiranë. Në Mbretërinë e Bashkuar as nuk e vënë ujin në zjarr që nuk ka as ambasador.

Shteti s’e vret mendjen sepse emigrantët s’kanë ku të votojnë “kundër”. Emigrantët janë imazhi i Shqipërisë në botë, ata mundet vërtet ta ndihmojnë Atdheun e tyre. Ata janë motrat dhe vëllezërit tanë që duan vetëm pak mirënjohje për të gjithë transfertat që kanë mbajtur ekonominë e Shqipërisë gjithë këto kohë dhe arritjet e pafundme në fusha të ndryshme që na kanë bërë të ndihen krenarë. Por shteti nuk u jep as të drejtë vote duke i trajtuar si “pjellë e mallkueme”.

Të gjithë shtetasit janë të barabartë, ndaj të gjithë shtetasve, pavarësisht vendndodhjes duhet t’u jepet e drejta për të votuar. Vetëm atëherë, krejt papritur emigrantëve do të fillojnë t’u njihen të drejtat dhe më në fund dikush do tu thotë në aeroport “Mirëserdhët”, në vend të “Hë çuni?”.

Botuar në Shekulli

Giordano (PdL): “Të ulëta deklaratat e Borghezios mbi shqiptarët”

Përshtatshmëria e vendbanimit nuk vetëcertifikohet. E domosdoshme certifikata