in

Giorgio Napolitano, presidenti i italianëve të rinj

Imigracioni si “energji jetësore” dhe shtetësia e pashmangshme për brezat e dytë. Linja e kreut të Shtetit

Romë, 23 prill 2013 – Imigrantët janë burim i domosdoshëm për Italinë, bijtë e tyre janë italianë. Ky është me një rresht mendimi i Napolitanos mbi imigracionin. Një linjë nga e cila Presidenti i Republikës nuk ka luajtur për shtatë vjetët e fundit e nga e cila vështirë se mund të largohet gjatë mandatit të tij të ri, që nisi më 22 prill me betimin përpara Parlamentit.

Sepse, siç shpjegoi në fjalimin e tij të fundvitit të shkuar, “Italia që do të dëshironim me të gjitha vlerat e saj qytetare e kulturore” është një vend që di “të mirëpresë ata që vijnë për të gjetur mbrojtje si refugjatë e punë si emigrantë dhe duke i ofruar burime të reja njerëzore zhvillimit tonë”. Një vend “që duhet rritur i hapur e gjithëpërfshirës”, që pyet veten “nëse është e mendueshme” që të miturit të lindur e të rritur këtu “të mbeten të huaj”.

Për Giorgio Napolitanon nuk është vetëm e pamendueshme të mos i njohësh shtetësinë italiane këtyre djemve e vajzave, por “është çmenduri e vërtetë, absurditet”. “Pa këta djem – shpjegoi Presidenti kur takoi disa prej tyre ne vitin 2011 në Quirinale – vendi ynë do të ishte padyshim më plak e do të kishte aftësi më të ulëta zhvillimi. Pa kontributin e tyre të ardhshëm shoqërisë tonë dhe ekonomisë tonë, edhe barra e borxhit publik do të ishte më e vështirë për t’u përballuar”.

“Në projektet e ndryshme të reformës së shtetësisë, çështja kryesore e hapur mbetet sot ajo e fëmijëve dhe e të rinjve. Shumë prej tyre – ka nënvizuar Giorgio Napolitano – nuk mund të konsiderohen formalisht bashkatdhetarë tanët sepse normativa italiane nuk ua lejon, por janë të tillë në jetën e përditshme, në ndjenja, në perceptimin e identitetit të vet”.

Fjalë që vdiqën në letër me dy qeveritë e fundit: Parlamenti i ri e qeveria që do të ngrihet, kanë për detyrë të bëjnë një pikënisje të re. Bijtë e imigrantëve të vazhdojnë të shpresojnë, kanë akoma një sponsor në Quirinale.

E prindërit e tyre? “Imigrantët në Itali – ka shkruar pak muaj më parë Giorgio Napolitano – përbëjnë një pjesë thelbësore të popullsisë, si forcë pune por edhe si energji jetësore për një shoqëri që plaket”.

“Ndaj armiqësia ndaj imigracionit duhet konsideruar si një refuzim i realitetit, fryt i frikës së pajustifikuar shpesh e ushqyer nga debati publik. Dukuria e imigracionit, që është e pashmangshme, duhet të shoqërohet nga politika të përshtatshme, sepse atyre që vijnë për të punuar në Itali u duhet dhënë respekti që meritojnë në respekt të ligjeve tona”.

“Italia, të cilën të gjithë migrantët do të mund të shohin me besim, është një vend që zhvillohet, që dëshiron të jetë i hapur ndaj bashkëjetesës civile, – thotë presidenti i Republikës.  – Këtë Itali uroj për të gjithë ne”.

EP / Shqiptari i Italisë
 

Kledi Kadiu protagonist i Contemporary Tango

Ibrahim Kodra përkujtohet në Tiranë e Milano në 95-vjetorin e lindjes