in

Gjak e tmerr në aeroportin Ataturk të Stambollit. 41 të vdekur dhe 239 të plagosur

Sulm terrorist në aeroportin më të madh të Turqisë. Të paktën tre kamikazë janë hedhur në erë pasi kanë hapur zjarr me kallashnikovë mbi njerëzit që mbrëmë gjendeshin në zonën e kontrollit për fluturimet ndërkombëtare. Gjatë natës është arrestuar një grua, pjesë e komandos së përbërë nga 7 vetë të mbërritur me taksi, njësoj si në Bruksel. Kërkohen disa persona, bashkëpunëtorë të kamikazëve

Akt terrorist në aeroportin Ataturk të Stambollit. 41 të vdekur dhe 239 të plagosur

Stamboll, 29 qershor 2016 – Të paktën 41 të vdekur e 239 të plagosur mes policëve, personelit e udhëtarëve që ndodheshin mbrëmë në orën 22.10 (ora 21.10 në Romë) në zonën e terminaleve të fluturimeve ndërkombëtare. Njerëz të armatosur me pistoleta dhe kallashnikovë kanë hapur fillimisht zjarr mbi turmën e më pas, të paktën tre persona janë hedhur në erë.

Menjëherë pas atentatit, aeroporti Ataturk, i pari në Evropë e i dyti në botë për numër destinacionesh, u mbyll, dhe u anuluan 340 fluturime. Avionët që ishin në pistë u nisën menjëherë ndërsa ata që po mbërrinin u devijuan për në Ankara, Smirne dhe në aeroportin e dytë të Stambollit, Sabiha Goken. Mijëra personat që mbushnin aeroportin në pritje të nisjes u evakuuan menjëherë dhe u sistemuan në hotele nga kompanitë e fluturimeve me të cilat do të udhëtonin.

Situata po normalizohet me shpejtësi. Gjaku u la në kohë rekord për të treguar që vendi është i fortë e nuk i trembet terrorizmit. Sot në mëngjes, 12 orë pas atentatit, aeroporti është hapur sërish e kanë filluar fluturimet. Që nesër aeroporti do të jetë krejtësisht operativ në të gjithë sektorët e tij dhe për të gjitha destinacionet. 

Një ndër avionët  e fundit të ulur mbrëmë në Ataturk, ndërsa kishte nisur sulmi terrorist, ishte pikërisht ai me të cilin udhëtonte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama. “Keqardhje e thellë për jetët e pafajshme të humbura në këtë tjetër akt barbar të atyre që s’kanë as Zot as shpresë dhe as vend mes njerëzve!” komentoi Rama në Twitter.

Ndërkaq Turqia përpiqet të zbardhë atë çka ngjau para tragjedisë. Sipas asaj çka tregoi sot kryeministri i vendit Binali Yildirim “tre atentatorë janë hedhur në erë pasi kanë hapur më parë zjarr mbi njerëzit” me kallashnikovë në zonën e rezervuar fluturimeve ndërkombëtare. Tre kamikazët, sipas fjalëve të kryeministrit, duhet të kenë mbërritur në aeroport me taksi, siç ndodhi në atentatin e aeroportit të Brukselit. Edhe pse akoma askush nuk ka marrë përsipër autorësinë e atentatit, gjithçka lë të mendohet se edhe pas kësaj masakre në aeroportin kryesor të Stambollit, që është edhe i treti në Evropë, qëndrojnë militantët e Shtetit Islamik. Flitet edhe për një arrestim gjatë natës: është fjala për një grua që duhet të jetë pjesëtari i shtatë i komandës.

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan e dënoi ashpër sulmin e së martës mbrëma, që sipas tij “kishte për qëllim minimin e Turqisë me vrasjen e njerëzve të pafajshëm”.

 

Leja e qëndrimit. Si kontrollohet në ç’pikë është praktika

Çeqet familjare edhe për familjarët në atdhe. E konfirmojnë edhe gjykatësit e Apelit