Bazuar në analizën e Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar”, në të gjithë Shqipërinë, familjet e prekura nga fenomeni i gjakmarrjes janë rreth 350, nga të cilat 200 janë të ngujuara. Gjakmarrjet në vend u shtuan veçanërisht në vitet 1997-1999
“Lekë Dukagjini duhet të ketë pasur një personalitet imponues që ka ndikuar kaq shumë te njerëzit, aq sa shprehja “Kështu ka thënë Leka”, ka më tepër forcë detyruese sa të Dhjeta Porositë e Biblës, Ligji i Sheriatit, mësimet e Islamit e të Krishtërimit të gjitha duhet t’i nënshtroheshin Kanunit të Lekës… Fama mes fiseve që ende ruajnë emrin e tij, ia ka kaluar edhe famës së Skënderbeut”, ka shkruar Edith Durham, rreth 100 vite më parë.
Sot edhe pse kanë kaluar shekuj të tërë, kjo relike e kohës dhe zakoneve shqiptare gjen forcë dhe shkund pluhurin e saj herë pas here.
Lleshi është një burrë mirditor 47 vjeç, ndonëse prej paraqitjes së tij duket edhe më i vjetër. 10 vitet e fundit të jetës, atë e kanë mbushur me ankth dhe trishtim, pasiguri dhe shpresë, të cilat ia kanë shtuar më shumë flokët e bardhë dhe vijat e mendimit mbi ballë.
Lleshi u lind dhe është rritur në Mirditë. Në shtëpinë e të parëve ai ndërtoi jetën dhe familjen e tij. Ka 4 fëmijë, 2 vajza më të rritura dhe dy djem. Familjen e mbante me punën e tij në polici. Por një konflikt në gjaknxehtësi e sipër me fqinjin e tij, i rrëzoi shumë ëndrra dhe projekte për familjen dhe veten.
“Unë gabova, thotë ai, u nxitova, në gjaknxehtësi plagosa fqinjin tim, me të cilin kisha një jetë që njiheshim”. Lleshi është burrë malësie dhe lotët në sytë e tij nuk gjejnë vend, ndaj i rrëshkasin mes faqeve dhe i mblidhen në grykë. “Unë u vetëdorëzova menjëherë, dhe u dënova me 10 vjet burg, nga të cilat bëra vetëm 5 vjet e 3 muaj. Menjëherë kam kërkuar pajtimin mes familjeve tona, por ende nuk ka ndodhur”.
Pas daljes së tij nga burgu, ai së bashku me familjen janë vendosur në qytetin e Lezhës, pranë të afërmëve. Lleshin e takuam në zyrat e Institutit të Shtëpisë së Drejtësisë dhe Pajtimit Kombëtar, ku kishte ardhur të diskutonte dhe njëherë për mundësitë e pajtimit. “Nga kjo histori kemi humbur të dy familjet”, thotë Lleshi i cili shpreson për një pajtim mes tyre. “Mundësitë janë të mëdha, dhe do Zoti realizohen. Kemi arritur tre herë në prag të pajtimit, por nuk është bërë e mundur”.
Së fundmi një muaj më parë, gjithçka dukej se po shkonte më së miri. Falë ndërmjetësimit të Institutit për Pajtimin Kombëtar, familja e dëmtuar (pasi kështu quhet në gjuhën e tyre familja të cilës i është vrarë një familjar), ishte e gatshme të pranonte faljen. Por të gjitha mundimet u rrëzuan, pasi Lleshi pësoi një aksident nga një përplasje me makinë. Në këtë moment familja e dëmtuar e ndaloi procesin e pajtimit, me arsyen se Lleshi mund të kishte denoncuar ata për aksidentin, por ai e mohon këtë gjë.
Ka 10 vjet që nuk e ka parë shtëpinë e tij. Lëvizjet i bën të kufizuara, ndonëse tregon se vetëm 2 herë është ndjerë i rrezikuar për jetën. Për shkak të izolimit të tij të detyruar, familja e Lleshit jeton në një gjendje ekonomike të vështirë. Instituti i Pajtimit Kombëtar i mundëson atij 100 euro në muaj, por Lleshi nuk ankohet për ekonominë. Kur e pyesim për dëshirën e tij ai shprehet “të kem fëmijët mirë dhe të kenë ata mundësi të jetojnë më mirë”.
Situata në Shqipëri
Gjakmarrja dhe vetëgjyqësia, një fenomen që prej kohësh ka sjellë drama dhe tragjedi në shoqërinë shqiptare, po shkon drejt uljes, sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit “Shtëpia e Drejtësisë dhe e Pajtimit Kombëtar” (ISHDPK), Agron Loci, i cili prej rreth katër vitesh punon në terren me misionarë dhe koordinatorë në rrethe për lehtësimin e hasmërive në veri dhe jug të vendit.
Duke folur për shtrirjen gjeografike të këtyre konflikteve përgjatë dy dekadave të fundit, Loci tregon se instituti i tij operon edhe në prefekturën e Tiranës, zonë ku ISHDKP ka identifikuar familje të prekura nga gjakmarrja.
Këto familje, tregon Loci, “janë të ardhur, kanë migruar kryesisht nga veriu i vendit, për t’i shpëtuar gjakmarrjes. Ata janë vendosur kryesisht në Selitë, Yzberisht, Babrru, Paskuqan, Sauk, Bathore, në njësinë bashkiake numër 4, 5 dhe 9”. “Familjet në hasmëri i drejtohen qyteteve të mëdha, Tiranë e Durrës, për t’iu shmangur rrezikut, pasi largimi nga vendi i konfliktit e ul sadopak tensionin e palës së dëmtuar”, thotë ai duke shtuar se pjesë e hartës së migrimit të familjeve të ngujuara janë dhe qytete si Saranda dhe Fieri.
Bazuar në analizën e punës së ISHDPK-së, Loci thotë se në të gjithë Shqipërinë, familjet e prekura nga fenomeni i gjakmarrjes janë rreth 350, nga të cilat 200 familje janë të ngujuara. Ky numër, sipas tij, tregon se niveli i gjakmarrjes, krahasuar me vite më parë, është në ulje dhe përgjithësisht familjet që janë në hasmëri kërkojnë ndërmjetësim.
“Bazuar në të dhënat e analizës së gjashtëmujorit kemi pasur rezultate të mira në minimizimin e këtij problemi. Së bashku me misionarët e rretheve, kemi realizuar 29 pajtime dhe kemi në proces dhe 68 të tilla. Deri në muajin tetor presim të finalizojmë dhe 4 pajtime të tjera dhe shpresojmë se dhe të tjerat që kemi në proces t’i mbyllim brenda vitit. Pasi qëllimi ynë është të pajtojmë 100 familje në 100 vjetorin e pavarësisë”, tha Loci i cili vijoi më tej se “Ne kemi një strategji 5-vjeçare për të minimizuar këtë problem, me qëllimin e vetëm që fjala gjakmarrje të mos dëgjohet më në Shqipëri”.
Loci pohon se nuk ka munguar në terren mbështetja e shtetit shqiptar, por rastet e gjakmarrjes kërkojnë një trajtim të kujdesshëm. “Si institut, në momentin që ndërhyjmë të zgjidhim një çështje, bëjmë të pamundurën ta zgjidhim atë në mënyrën e duhur, me qëllim që nesër çështjet të mos hapen më, që pajtimi të jetë i saktë dhe çështja të mos rizgjohet. Media duhet ta trajtojë me shumë kujdes këtë fenomen”.
Nga të dhënat e ISHDKP-së rezulton se në tranzicion Kanuni nuk mbeti një nostalgji, as një dokument trashëgimie, por një realitet i prekshëm në rrethanat e këtij shekulli. Konfliktet, sipas Locit, më së shumti kanë ardhur për motive pronësie. Në disa zona, si pasojë e këtij konflikti ka pasur viktima dhe midis familjeve me lidhje gjaku. Zonat e Zadrimës e fshatrat e njohura si zona e Nënshkodrës janë më të prekurat nga hasmëritë. Vitet nga 1997 deri në 1999, ishin ato që e shtuan së tepërmi gjakmarrjen në vendin tonë.
Gjakmarrja… sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit
Gjakmarrja, në Kanunin e Lekë Dukagjinit konsiderohet si një dënim kapital. Është marrja e jetës së atij individi që ka kryer një vepër të rëndë ndaj jetës, familjes, pronës, nderit dhe dinjitetit. Gjakmarrja është vrasje për të marrë hak. Me ekzekutimin e saj ngarkohet pala e dëmtuar, e cila është e detyruar ose të falë ose të marrë hak. Pala fajtore është e detyruar të ngujohet sipas rregullit kanunor dhe afateve të përcaktuara në kanun. Me ngujimin e palës fajtore lind e drejta e negociimit për pajtim që mund të bëhet me falje ose me kompesim. Kanuni sugjeron pajtimin me falje, duke e konsideruar faljen, si një nivel të lartë morali dhe trimërie.
Kanuni u krijua gjatë periudhës 1458-1481, kur Lekë Dukagjini udhëhiqte të gjitha kuvendet dhe pleqësitë e malësorëve. Kanuni u trashëgua brez pas brezi, si praktikë gjykimi dhe përmes fjalëve të urta të formuluara apo të rithëna prej tij rast pas rasti, si sentenca juridike. Ai Kanun mbeti i pashkruar, por veproi ndër shekuj si “Commom law” anglez, deri sa u mblodh dhe u kodifikua prej Shtjefën Gjeçovit në fillim të shek. XX.
Deri në shpalljen e Mbretërisë, në fillim të 1928, e drejta kanunore vepronte normalisht në Shqipëri, megjithë përpjekjet për kalimin në një të drejtë shtetërore.
Ita Semi, ATSh