in

Gjakmarrja hedh hije të gjatë mbi shpresat për një Shqipëri moderne

Mungesa e pushtetit nga rënia e komunizmit ka sjellë ringjalljen e ligjit të lashtë të Kanunit, të shpagimit dhëmb për dhëmb

Nga Piotr Smolar, për Le Monde dhe The Guardian

Askush nuk do të dijë ndonjëherë se si nisi, dhe në një njëfarë mënyre mosmarrëveshja fillestare nuk ka më rëndësi, tani që gjaku është derdhur. Por mbetet  Ismeti (emri është i trilluar). Së shpejti ai do jetë 16 vjeç, çka është një problem. Duke u bërë i rritur ai duhet të marrë përsipër barrën e trashëgimisë familjare dhe të përgjigjet për të. Ai duket i pashqetësuar teksa i afrohet hyrjes së shkollës në një fshat pak kilometra larg Shkodrës, qytetit kryesor në veriperëndim të Shqipërisë. Por përpara se të nisë historinë e tij, ai i fshihet vështrimit të fëmijëve të tjerë.

Ismet mban sytë poshtë ndërsa flet: “Nuk di ç’të them. Po fajësohem për diçka që nuk e kam bërë”,  fillon ai. Problemet e tij janë për shkak të babait. Në korrik të vitit 2001, ky i fundit u përfshi në një mosmarrëveshje me dy vëllezër në një fshat fqinj, histori e ngatërruar pronësie mbi tokën, të cilën dyshohet se e ka shkelur babai i tij.

Nuk ka pasur ndonjë mosmarrëveshje të mëparshme mes dy familjeve, por ofendimet e kërcënimet degjeneruan në dhunë. Pas vrasjes së dy vëllezërve, babai i Ismetit u fsheh në male për dy vjet. I gjykuar në mungesë, ai u dënua me burgim të përjetshëm dhe më pas u arrestua. Drejtësia e shtetit e ka thënë fjalën e saj, por jo drejtësia private. Për dhjetë vitet e fundit familja e dy vëllezërve të vrarë ka kërkuar hakmarrje.

Shqipëria, e cila shpreson t’i pranohet aplikimi i saj për anëtarësim në BE, është ndarë në mënyrë radikale nga e kaluara e saj komuniste. Por gjakmarrja, një nga zakonet e rrënjosura më thellë, është ende shumë e gjallë, duke kërkuar shpagim dhëmb për dhëmb në një spirale të pafund pikëllimi. Mjafton edhe një fyerje ose ndonjë shkelje e moralit martesor për të justifikuar gjakmarrjen. Kodi i lashtë i Kanunit, i cili ka qeverisur jetën rurale në Shqipëri për pesë shekuj, ende ka ndikim, veçanërisht në veriun malor.

Ky sistem i ndërlikuar ligjesh zakonore dikur disiplinonte çdo aspekt të jetës: trashëgiminë, tregtinë, martesën dhe krimet. “Kanuni ka mbijetuar për kaq shumë kohë sepse kjo është një mënyrë për ruajtjen e identitetit kulturor dhe ligjor”, thotë shkrimtari Besnik Mustafaj. Në Tiranë, antropologu Nebi Bardhoshi e përshkruan si “një formë opozitare ndaj çdo forme të ligjit shtetëror, jo vetëm ligjit otoman”. “Kanuni lidhet me fenë e gjakut, në të cilën gjakmarrja është vetëm një aspekt” shton ai. “Ligji bazohet në dy shtylla: trajtim të drejtë mes njerëzve dhe reciprocitet”.

Ky sistem nuk parashikon gjë për përshkallëzimet e pafundme. Për kundrazi, që në fillim është lënë hapësirë për ndërmjetësim me anë të këshillit të të urtëve. Disa anëtarëve të fisit mund t’u jepet besa. Por tradita është tkurrur dhe ajo që ka mbetur është vetëm ideja e hakmarrjes. “Pas vrasjes”, thotë gjyshi i Ismetit, Kalteri, “u ngjita tek shtëpia e dy vëllezërve dy herë. U thashë se nuk kishte asnjë problem mes nesh e familjes së tyre. U përpoqa të negocioja, por ata as nuk u ulën, ashtu siç e kërkon zakoni”.

Kalteri na mirëpret në shtëpinë e familjes ku jeton me gruan e tij dhe Inën, nënën e Ismetit. Shtëpia është e vogël, por e mbajtur mirë. “Ismeti bëhet 16 vjeç në janar dhe i duhet të nisë shkollën e mesme në një fshat tjetër”, thotë Ina. “Nuk dua të që ai të rrezikojë. Duam ta dërgojmë jashtë vendit”.

Çdo gjë ka ndryshuar në Shqipëri që pas rënies së regjimit komunist. Krimi i organizuar është përforcuar dhe trafiku njerëzor ka lulëzuar falë dhe martesave me shkuesi, që kanë shkaktuar më shumë grindje familjare. Mbi të gjitha, mosmarrëveshjet më të dhunshme janë ato që lindin për pronësinë e tokës. Pavarësisht përmasave relativisht të vogla të vendit, autoriteti i qeverisë është sfiduar rëndë. Në vitin 1998, kryengritja e Lotarive, një konflikt që iu afrua shumë luftës civile shpërtheu pas rënies së skemave të ndryshme piramidale financiare. Në kaosin që pasoi armët ranë në duart e njerëzve duke ushqyer sistemin e vjetër patriarkal. Në mungesë të zbatimit të ligjit, familjet iu rikthyen Kanunit.

Kodi Penal shqiptar konsideron gjakmarrjen si një vrasje me paramendim, por gjykatat akoma nuk dinë si të përballen me këtë sistem paralel të drejtësisë. “Familjet ndiejnë se kanë të drejtë për të marrë gjak” thotë Përparim Kulluri, prokuror në Shkodër. “Ne kemi parë raste kur të afërmit e viktimës kanë dhënë dëshmi për të nxjerrë të pafajshëm të akuzuarin në mënyrë që ta vendosin vetë në vend drejtësinë”.

Në vitin 2006, Liliana Luani, një mësuese në qytet, ngriti një OJQ që të kujdesej për fëmijët që vuajnë nga pasojat e Kanunit. Me rritjen e numrit të atyre që lënë fshatin për të parë për punë në qytet, janë të shumtë edhe të rinjtë që u përkasin familjeve që janë në gjak. Luani njeh 120 raste në Shkodër dhe zonën përreth. Organizata e saj u siguron fëmijëve një tutor, në mënyrë që ata të mund të mësojnë në shtëpi.

Teorikisht, sipas rregullave të Kanunit, fëmijët nuk mund të preken. “Por rregullat e vjetra janë zhdukur që pas rënies së komunizmit,” thotë Luani. “Konfliktet e vjetra janë rishfaqur, të reja kanë nisur, kryesisht të lidhura me të drejtën e pronës. Ka pasur një rast në Shkodër kur një burrë u përpoq të vriste një 3 vjeçar”.

Sipas Komitetit Kombëtar të Pajtimit, rreth 1.650 familje jetojnë të ngujuara në shtëpitë e tyre. “Shifra është rritur me nga 200 në vitin 2009 dhe 2010 sepse familjet janë rikthyer në Shqipëri pasi nuk kanë mundur të marrin azil në një vend perëndimor”, thotë kryetari i Komitetit, Gjin Marku.

Është shumë e vështirë të gjesh ndonjë statistikë të sigurt për të vlerësuar madhësinë e problemit. Në një studim të shkurtit të vitit 2010, Këshilli për të Drejtat e Njeriut në OKB thotë se numri i gjakmarrjeve ka rënë ndjeshëm në pesë vitet e fundit, por pranon se statistikat zyrtare nuk janë të plota. Komiteti thotë se në vitin 2010 ka pasur 95 të vdekur, 75 në vitin 2009 dhe 9.870 që nga viti 1990. Kryeministri Sali Berisha i sheh gjërat ndryshe. I lindur në Tropojë, ai mendon se Kanuni ka meritat e tij. “Ai ka pasur fuqi parandaluese duke imponuar një vetëkontroll të pabesueshëm. Ka shumë pak raste të gjakmarrjes, një provë se shteti ligjor mbizotëron” thotë Berisha. “Kur erdha në pushtet në vitin 2005 kishte 1.800 të burgosur, tani ka 5 mijë”.

Të dhëna të tilla mund të jenë mashtruese. OJQ-të, të ndihmuara nga pleqtë e fshatrave, janë të vetmet që po bëjnë përpjekje për të ndërmjetësuar mosmarrëveshjet. Pajtimi i dy familjeve është një proces i ndërlikuar, që duhet të respektojë rregulla të rrepta e që mund të zgjasë me vite.

Sa më lart të ngjitesh në male, aq më pas kthehesh në të shkuarën. Sa më shumë ndjenja e gjakmarrjes helmon brezin e ardhshëm, aq më shumë Kanuni humbet kuptimin e tij fillestar.

 

Në gjyq drejtuesit e ndërmarrjes për lëndimin e rëndë të punonjësit shqiptar

Kledi rrëfehet në Pomeriggio Cinque