Gjykata kushtetuese konsideron si të papajtueshme me kushtetutën, disa nene të ligjit mbi Gjendjen civile që kanë të bëjnë me nocionin e kombësisë dhe procedurat e ndryshimit të saj. Aleanca Kuq e Zi: “Kushtetuesja mbrojti sovranitetin e vendit”. Emigrantë shqiptarë, aktivistë të Aleancës, festojnë rrugëve të Athinës
Tiranë, 17 shtator 2011 – Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar pjesën e ligjit për gjendjen civile që përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj. Kushtetuesja ka vendosur, me gjashtë vota pro e dy kundër që dispozitat për ndryshimin e kombësisë, janë antikushtetuese, duke u shprehur kështu në favor të 3 gjykatave të rretheve që kishin kërkuar shpalljen si të papajtueshëm të termit “kombësi”.
Kanë qenë pikërisht Gjykata e Sarandës, Shkodrës dhe Përmetit, të cilat i kanë kërkuar para disa muajve Gjykatës Kushtetuese shpalljen si të papajtueshëm me nenet 19 e 20 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë të termit “kombësia” të përcaktuar në nenin 6/1 dhe 8 të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për gjendjen civile”, të termit “kombësi, në përputhje me kombësinë e prindërve”, të përcaktuar në nenin 42/2 germa “e” të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për gjendjen civile”, si dhe të nenit 58 të ligjit nr. 10129, datë 11.05.2009 “Për gjendjen civile”. Në kërkesën e tyre, tre gjykatat e shkallës së parë shpreheshin se “ligji për Gjendjen Civile cenon rëndë parimet kushtetuese duke detyruar shtetasit shqiptarë që të deklarojnë përkatësinë e tyre etnike”. Gjatë kësaj kohe, këto gjykata kanë pezulluar edhe çështjet që kanë në shqyrtim deri sa gjykata Kushtetuese të shprehej në lidhje me elementin e kombësisë.
Ka reaguar menjëherë pas vendimit, aleanca Kuq e Zi që muajt e fundit është angazhuar veçanërisht kundër regjistrimit të popullsisë mbi baza etnike e fetare. Në një deklaratë për mediat, përfaqësues të Aleancës Kuq e Zi, e cilësuan vendimin “fitore të së drejtës mbi padrejtësitë kombëtare” dhe i kërkuan qeverisë të tërhiqet nga regjistrimi etnik i popullsisë. “Gjykata Kushtetuese mbrojti sovranitetin e vendit. Aleanca Kuq e Zi e ka fituar tashmë kauzën kushtetuese dhe kombëtare të regjistrimit”, thanë ata.
Sot emigrantët shqiptarë në Greqi kanë festuar në rrugët e Athinës. Dega e “Aleancës Kuq e Zi” në Athinë ka informuar se aktivistë të saj, kanë zhvilluar një marshim përreth një orë. Emigrantët shqiptarë vlerësuan sjelljen e Gjykatës Kushtetuese dhe treguan se mbrojnë vlerat e përbashkëta dhe ndjekin me vëmendje çdo gjë që ndodhënë Shqipëri.
Gjykata Kushtetuese, ditën e djeshme ka rrëzuar ligjin e gjendjes civile, që përcakton nocionet e kombësisë së qytetarëve dhe procedurat e ndryshimit të saj. Kjo situatë ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Aleancës “Kuq e Zi”, përfaqësuesit e së cilës e kanë cilësuar si fitore të së drejtës mbi padrejtësitë kombëtare.