in

Greqia drejt një qeverie uniteti kombëtar

Zgjedhjet e parakohshme më 19 shkurt 2012. Shtypi grek: “Marrëveshje historike”

Tiranë, 7 nëntor 2011 – Dy partitë kryesore politike greke që arritën të dielën në mbrëmje një marrëveshje politike për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, ranë dakord që më 19 shkurt të mbahen zgjedhjet, njoftoi Ministria greke e Financave.   

Kryeministri grek Jorgos Papandreu dhe rivali i tij konservator Antonis Samaras patën në mbrëmjen e të dielës një takim me kryetarin e shtetit grek, Karolos Papulias. Papandreu, që ishte angazhuar të japë dorëheqjen në shkëmbim të një qeverie të unitetit kombëtar dhe rivali i tij Samaras, një kundërshtar i ashpër deri tani i masave të rrepta të diktuara nga BE-ja dhe FMN-ja, ranë dakord të dielën për një qeveri të unitetit kombëtar për të miratuar marrëveshjen e 27 tetorit në Bruksel për shpëtimin e vendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në shkurt.

Gjatë një takimi paralel me atë të dy shefave të partive, Jorgos Papandreu dhe Antonis Samaras, dy delegacione të Pasok-ut (socialiste) dhe të Demokracisë së Re (e djathtë) ranë dakord që data më “më e përshtatshme për zgjedhje të parakohshme të jetë ajo e 19 shkurtit”, njoftoi ministria në një komunikatë të shkurtër.

Shtypi grek përshëndet sot marrëveshjen “historike” për një qeveri të unitetit, për të cilën socialistët në pushtet dhe opozita e djathtë ranë dakord “në minutën e fundit” nën presionin e kredidhënësve të Greqisë, pas një jave të tensionuar politike.

“Më në fund, hapi i parë i madh për shëndetin e vendit, u hodh”, shprehte kënaqësinë në faqen e parë e përditshmja e madhe proqeveritare “Ta Néa”.

Gazeta shkruan se “Greqia jetoi një ditë historike (…) pas një fundjave makthi”  dhe se dy drejtuesit politikë, kryeministri i deritanishëm Jorgos Papandreu dhe lideri i të djathtës “Demokracia e re”, Antonis Samaras, “hodhën gurët e themelit për një qeveri bashkëpunimi, ndërsa e gjithë bota i kishte drejtuar sytë mbi vendin”.

“Ta Néa”, ashtu si të tjera të përditshme përmendin si kryeministër të mundshëm të vendit ish-presidentin e Bankës Qendrore Evropiane, Lucas Papademos, që gëzon një reputacion të mirë në qarqet financiare.

Për gazetën liberale “Kathimerini”, marrëveshja Papandreu-Samaras për krijimin e një qeverie “është fitorja e parë”.

“Populli grek mundi të marrë frymë dje (të dielën) kur dy liderët arritën më në fund një marrëveshje historike me ndërhyrjen e kryetarit të Shtetit, Carolos Papoulias”, njofton gazeta.     

“Marrëveshja e fundit për unitetin kombëtar përpara katastrofës”, ishte titulli i faqes së parë të së përditshmes financiare “Naftémporiki”, duke nënvizuar se është fjala për “një marrëveshje historike” për të shpëtuar vendin nga falimentimi, duke cituar burime qeveritare.

Ethnos (qendra e majtë) përshëndet gjithashtu “marrëveshjen historike për unitetin kombëtar” ndërsa Eleftero Tipia (e djathtë) përshëndet “rënien e Papandreut  dhe faktin që zgjedhjet legjislative të parakohshme do të mbahen  më 19 shkurt”.   

Shpresa, Janissa dhe Gioia, të hënën kthehen të prehen në Shënkoll

Konfindustria: “Mbi 30 mijë ton karburante në vit janë jashtë standardeve”