in

Greqia përballë referendumit që vjen me shumë vonesë

Pse Papandreu vendosi për referendum në këtë çast krize të thellë e jo më parë?
Nga Alain Salles, korrespondent i gazetës franceze ”Le Monde” në Athinë (përkthyer nga ATSh)

Athinë, 3 nëntor 2011 – Pse Papandreu vendosi të kërkojë një referendum në këtë moment krize dhe jo më parë?

Kjo është pyetja që e bëjnë të gjithë në Greqi. Ky referendum duket në fakt pak i vonuar.     

Memorandumi i nënshkruar mes Athinës, FMN-së, Komisionit Evropian dhe BCE-së, që mundësoi zhbllokimin e një kredie prej 110 miliardë eurosh për Greqinë në këmbim të përpjekjeve për reduktimin e deficitit të saj, u pranua pa u konsultuar me popullin.

Megjithatë, në vitin 2010 pjesa më e madhe e grekëve ishin në favor të masave shtrënguese, edhe pse ato nuk ishin të lehta.

Një vit më pas, memorandumi u rishikua, Evropa hartoi një plan të ri ndihme në muajin korrik. Edhe në atë kohë, populli nuk u konsultua dhe marrëveshja u aprovua menjëherë.

Më në fund, teksti i ri me të cilin qeveria u kërkon grekëve të prononcohen, shfaqet një vit e gjysmë pas masave shtrënguese, në një moment që pjesa më e madhe e popullsisë ka dyshime për efikasitetin e këtyre masave.

Disa arsye e kanë çuar Papandreun të marrë këtë vendim.

Tashmë, ai ndjen se po humbet ndeshjen përballë Brukselit dhe Trojkës. Në kuadër të planit të brendshëm, ai i la shumë vend ministrit të tij të Financave, Evangjelos Venizelos, i cili ishte pak në hije. Përveç të tjerash ai vuan nga humbja e madhe e popullaritetit në qeveri dhe kjo konstatohet në uljen e votave në radhët e mazhorancës.

Pse kryeministri Papandreu zgjodhi rrugën e referendumit? Ai ka pasur disa zgjidhje: të organizojë një votim në parlament me një mazhorancë të zgjeruar, përtej deputetëve të PASOK-ut.     

Kjo do të ishte e vështirë, sepse partitë e tjera nuk e mbështesin dhe disa anëtarë të vetë lëvizjes së tij janë distancuar. Zgjidhja tjetër do të ishte organizimi i zgjedhjeve të parakohshme.

Papandreu e ka refuzuar sepse ka menduar se kjo do të destabilizonte vendin në një moment vendimtar, ndërkohë që finalizohen negociatat për marrëveshjen evropiane. Një Greqi pa qeveri në këtë moment mund të vinte në rrezik një pjesë të masave të parashikuara. Atëherë ai ka zgjedhur rrugën e referendumit, por reagimet që prej këtij njoftimi tregojnë se kjo mund të shkaktojë një paqëndrueshmëri po aq të madhe sa një fushatë zgjedhore. Jorgos Papandreu mund të shpresojë se do të bindë deputetët e pavarur të votojnë besimin dhe gjithashtu të shmangin rrëzimin e qeverisë.

Ajo që është parashikuar, është që referendumi do të zhvillohet në muajin janar, ka gjasa dhe në dhjetor. A ka mjaftueshëm para Greqia për të zhvilluar referendumin deri në janar? Kjo do të jetë e vështirë, sepse njoftimi i referendumit mund të vërë në rrezik zhbllokimin e parave nga FMN përsa i përket këstit të kredisë prej tetë miliardë eurosh që duhet dhënë në muajin nëntor, në përputhje me angazhimet e ndërmarra nga Bashkimi Evropian dhe FMN. Trojka do të rikthehet në muajin dhjetor në Athinë për të parë nëse qeveria po i përgjigjet kushteve që i mundësojnë Greqisë të marrë këstin tjetër të kredisë prej pesë miliardë eurosh.

Cili do të jetë qëndrimi i inspektorëve, gjithmonë e më të ashpër në secilën prej vizitave të tyre, kryesisht nëse Greqia ndodhet në fushatë zgjedhore?

Kjo duket shumë e vështirë në masën ku është vërtet një ide e Jorgos Papandreut, që e ka vendosur me një numër shumë të paktë këshilltarësh. Duket se ministri i Financave nuk ka qenë i pranishëm gjatë njoftimit.

Reagimet e partive politike kanë qenë të gjitha negative duke përmendur dhe papërgjegjshmërinë e kryeministrit dhe shumë preferojnë zgjedhje të parakohshme.

Nëse do të kemi një ”jo”, kjo do të nënkuptojë që Greqia hedh poshtë planin evropian të ndihmës, gjë që do ta çojë në falimentim të menjëhershëm. Ajo nuk do të mund ta kthejë borxhin e saj, një skenar që partnerët evropianë janë përpjekur ta shmangin me çdo kusht nga frika e pasojave që do të sillte një situatë e tillë në zonën euro.

Sot, Italia sulmohet ashpër nga tregjet. Nëse një vend i zonës euro do të falimentonte, kjo do të jepte mendimin se dhe vendet e tjera do të ndjekin të njëjtën rrugë.

Greqia do të jetë e detyruar të dalë nga zona euro. Ajo do të ketë një rikthim në monedhën kombëtare, gjë që do të thotë se vlera e parasë së poseduar nga grekët do të jetë shumë e ulët. Ky zhvlerësim mund të ketë një virtyt, favorizimin e eksporteve, por Greqia eksporton pak dhe rrezikon pra të paguajë një çmim të rëndë, nëse një politikë e tillë zbatohet.

Greqia është një vend që është kthyer drejt Evropës që prej fundit të diktaturës në vitin 1974. Anëtarësimi dhe më pas hyrja në zonën euro kanë qenë të rëndësishme në një vend me një histori të vështirë, një mjet për të përparuar drejt modernitetit.

Pjesa më e madhe e të rinjve grekë kanë studiuar në kryeqytetet e tjera evropiane. Sot Evropa ua ktthen me masa shtrënguese, papunësi dhe varfëri. Sot, menaxhimi i krizës nga Evropa dhe qeveria i kanë dhënë popullit idenë se ata janë sakrifikuar.

Kjo ka shkaktuar shumë nervozizëm. Një nervozizëm që është parë në manifestime dhe mund të shprehet me një votë negative në referendum.

Po a do të ishte kjo zgjidhja më e mirë? Po një ”po” në referendum a do ta shpëtonte Papandreun?

Nëse ai fiton këtë lojë, gjë që askush nuk e beson sot, ai do të rifitonte efektivisht një legjitimitet që e ka humbur.

Lexo edhe: Kanë. G20 për masat evropiane antikrizë

Panairi i Librit. Nga data 9 nëntor, edicioni XIV

A po e drejton Kina lojën e krizës së Euros?