in

Grillinët kundër Grillos. Votojnë kundër veprës penale të klandestinitetit

Referendumi i hapur online nga Grillo, dha rezultatin që të paktën liderit të Lëvizjes 5 Yjet nuk duhet t’i pëlqejë: shumica janë në favor të shfuqizimit të krimit të hyrjes dhe qëndrimit ilegal të imigrantëve në Itali

Romë, 13 janar 2014 – Që “zgjedhësit janë shumë më mendjehapur se politikanët” vlen edhe për Grillon. Referendumi që shpalli sot, përmes të cilit të regjistruarit në M5S, deri në orën 17.00, duhet të shprehnin online nëse janë në favor apo kundër shfuqizimit të “veprës penale të klandestinitetit”, u mbyll me rezultatin në favor të shfuqizimit. Ndër rreth 25 mijë votuesit online, 15.839 vetë janë shprehur në favor të shfuqizimit të krimit ndërsa 9.093 për mbajtjen e kësaj vepre penale.

Rezultati është një shpullë për Grillon e Casaleggion, që kundërshtuan fillimisht këtë ide, që për më tepër në Senat kaloi si amendament i senatorëve të Lëvizjes 5 Yjet. Qoftë Grillo qoftë Casaleggio e konsideronin të gabuar amendamentin për shfuqizimin e krimit të klandestinitetit “qoftë në metodë e qoftë në përmbajtje”. Në përmbajtje në veçanti, shpjegonin asokohe “Amendamenti është një ftesë për emigrantët e Afrikës e të Lindjes së Mesme të imbarkojnë në drejtim të Italisë. Mesazhi që do të marrin do të interpretohet në mënyrën më të thjeshtë “Klandestiniteti nuk është më krim”. Madje shkonin edhe më tej, duke thënë që “nëse gjatë zgjedhjeve politike do të kishim propozuar shfuqizimin e krimit të klandestinitetit, M5S do të kishte marrë një përqindje prej prefiksi telefonik (zero e diçka)”.

E me sa duket, të paktën për përmbajtjen, sot grillinët shprehen kundër liderit të tyre. Natyrisht 25 mijë votues online janë hiçgjë përpara 8,5 milionë zgjedhësve që votuan Lëvizjen e Grillos më 25 shkurt 2013. Por meqë eksperimenti i “demokracisë online” i pëlqen shumë Beppe Grillos, duhet të pranojë që edhe shifrat e këtij referendumi janë kundër tij.

E tani ç’do të bëjë? Do të japë dorëheqjen apo do të përjashtoi nga Lëvizja e tij të gjithë ata që kanë votuar në favor të shfuqizimit të “veprës penale të klandestinitetit”, duke dalë kundër liderit të tyre?

K.B. / Shqiptari i Italisë

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Vepra penale e klandestinitetit. Grillo hap referendum rrufe në internet

Panebianco e il governo dell’immigrazione: “Cristiani dentro, musulmani fuori”