in

Grindavecët e webit

Dua ndalem për një çast te grindaveci që habitat të vetin ka webin: te grindaveci i rrjetit, i tastierës, ose, lejomëni neologjizmin e shpikur nga unë, “webvec”. Dhe ky është më i fuqishëm se ai i jetës reale, sepse, pikërisht falë rrjetit, i shumëfishohet fuqia, forca krijuese dhe shpërthyese në trazirat që i ka për pasion të krijojë ndër njerëz
Nga Adela KOLEA

“Webvec” = “Grindavec webi”. Neologjizëm imi ky.
Megjithëse ne, në shqipe, me prapashtesën “vec” kemi dhe fjalë të tjera, po nejse. Shpresoj që t’ju pëlqejë e të merret në konsideratë madje edhe nga Këshilli Ndërakademik për Gjuhën Shqipe. (Se mos e merrni seriozisht këtë sugjerim timin!)
“Grindavecë tastierash”
Duke konsideruar që, “grindaveci” në parim, është i tillë në çdo kontekst, qoftë real apo virtual, ndalem për një çast në këtë të fundit, atë me habitat të vetin, rrjetin: në “grindavecët e webit”, ose më mirë, lejomëni neologjizmin e shpikur nga unë, “webvec”.
Në rrjet, grindavecit i shumëfishohet fuqia, forca krijuese dhe shpërthyese në trazirat që i ka për pasion të krijojë ndër njerëz. Grindaveci i rrjetit është përgjithësisht polemik. Edhe kur nuk është rasti për polemikë, ai ia shpik asaj vetë terrenin. Është kreativ në këtë drejtim. Me ide pafund.
Nuk më bën njeri që të ndryshoj konsideratën time për të tillë persona: janë veçse të frustruar e të parealizuar në jetët e tyre. Ndaj, kërkojnë qoftë një grimcë të vetme argumenti – të bezdisshëm, si një fije e vogël qerpiku kur të hyn në sy – që të shpalosin talentin e tyre në thashetheme.

Kujdes! Pa i ngatërruar me të ashtuquajturit “luanë tastierash”.
Ata që, haptas, shkaktojnë polemika, rrëmuja e fyerje falas nëpër web. Zakonisht pas pseudonimesh e profilesh të rremë.
 “Grindavecët e rrjetit” që unë nënkuptoj, jam e bindur që ushtrojnë veprimtarinë e tyre fshehtas, nën rrogoz. Ata komentojnë pas krahëve të tu, zakonisht si oportunistë që janë, përllogarisin që të komentojnë për ty me “armiqtë” e tu, me ata persona që e dinë që me ty janë në kontradiktë ose që thjesht, kanë perceptuar se ju keni antipati për njëri-tjetrin.

“Nga humbi thjeshtësia? Dukemi të gjithë të vendosur në një skenë, dhe ndihemi të gjithë të detyruar të japim shfaqje”(Charles Bukowski)
E pas siparit të kësaj skene qëndron ai, vëzhgues i heshtur në dukje dhe i rreptë, webveci.

Shumëfishohet materiali për “webvecin” në hapësirat virtuale. Kjo është e thjeshtë fare. Pse? Ndërkohë që në jetën e përditshme ky lloj njeriu do të gjejë se s’bën momentin që të kritikojë tjetrin po njëlloj, në një të përditshme kur tjetri ka në kokë problemet e veta e këta tipa as që i përfill, duhet pasur parasysh se jeta e përditshme ka dhe imperfeksionet e veta: ka momente lodhjeje, momente kur njeriu edhe e lë pas dore veten e nuk përkujdeset aq për të, momente stresi etj. Ndaj këtu, webveci nuk para gjen material për komentim.
Ndërsa, “Webveci”, në momentin që në hapësirën virtuale nuk komenton “për ty”, por thjesht për imazhin tënd, për atë që ti vetë prezanton nëpërmjet postimit të një fotografie, atëherë, ai gjen plot material për të përmbushur egon e tij për t’u bërë invadent në çështjet e tjetrit me doemos. E fillon me arsyetime, perla mençurie që atë e shquajnë, të tipit:

Sa shumë fotografi që poston X person!
Po ç’të duhet more njeri ty kjo gjë? Pse sasia apo përmbajtja e fotografive të postuara të një personi, për ty duhet të përbëjë kaq “dhimbje” nervash?

– Sa shumë selfie…
 Po ç’të intereson ty se sa selfie bën ai person. Në radhë të parë, “selfie” ç’do të thotë, si përkthehet? Ç’krim ka kryer ai person, përveçse t’i bëjë foto vetes së tij? Ti, ç’humb në këtë mes? Ç’dëm të bën ty ai me këtë gjest?

Ah, është pak narcizist? Po pastaj? Ti, nga ana jote je plot të zeza në karakter, për vetë faktin që komenton për të me ligësi. Kjo, të duket pak? Apo nuk e konsideron si të metë tënden ti këtë? Selfie-t, fundja ki parasysh, ti njeri me smirë që je, që i diskuton tek tjetri, vetëm ai që nuk mund t’i aplikojë për vete, sepse është i shëmtuar! I shëmtuar jashtë e brenda. E një të shëmtuari, edhe ajo i duhet: të vetëfotografojë nga afër fytyrën e të vërë në dukje defektet…! Përveç asaj që kjo është një diçka që dikujt i pëlqen e dikujt jo.

– Mirë që postoi këto fotografi sot – ato duket se nuk janë selfie – po kush të ketë qenë pas aparatit apo celularit të saj/tij? Kush t’ia ketë bërë fotot? Në shoqëri të kujt të ketë qenë vallë?
Jo, ti je duke bërë shaka më duket! Po me të vërtetë nuk ke halle të tuat për të zgjidhur, që të mendosh deri në hollësi e cingërrima për veprimet e tjetrit? Po ti paske qenë një hetues i çuar dëm, një agjent spiunazhi, një detektiv privat i humbur kot, edhe një paparac me zell për ndonjë revistë gossip! Do të ishe pasuruar me talentin tënd. Si e keqpërdor talentin tënd duke u kthyer në një thashethemexhi të rëndomtë që vëzhgon pas perdes së dritares tënde të facebook-ut p.sh, atë që të tjerët zgjedhin të ekspozojnë.
 Se, njerëzit mos harro: në vetrinën virtuale natyrisht që ekspozojnë veç gjërat më të bukura. Jua bëjnë juve, tipave si ti për inat? Po pse jo? Mirë jua bëjnë! Dëshironi ta shihni vetëm keq tjetrin që ta mëshironi e të mos keni material për të kritikuar e shpalosur frustrimin tuaj? Tjetri zakonisht, sidomos tipat ekstroversë, ndajnë me webin fotografitë më të bukura, veshjet më të bukura, ambjentet, momentet e sfondet më të bukura për ta. Se kjo është normale. Kush do që ta ekspozojë veten shëmtuar, lodhur apo të pa përkujdesur për të? Askush. Të gjithë dëshirojnë të mos duken keq. Përfshirë ty vetë, patetik klasik.
Ndaj në këtë hapësirë, talenti yt për të bërë thashetheme ndaj tjetrit, shumëfishohet. Natyrisht! Shkon në përpjestim të drejtë me smirën që ke kur sheh diçka të bukur te tjetri: një fytyrë apo trup të bukur, një veshje të bukur, njerëz në shoqëri të bukur personash të tjerë ku ti, nuk bën pjesë, e kështu shtohet frustracioni yt.

Ndaj, “webvec”, “grindavec i webit”, dy janë gjërat:

– Meqë po të shkon jeta duke vëzhguar jetën e tjetrit, ktheje në dobi pasionin tënd. Ktheje në vetëpunësim. Të paktën t’i shohësh hajrin edhe nga ana financiare. Talentet e vërteta në çdo fushë, kështu fillojnë fundja. Nga pak, e më tej zgjerojnë aktivitetin. Veçse ki kujdes, është vështirë e nuk ka shumë vende pune të lira dhe si detektiv, spiun apo paparac. Janë profesione të kërkuar sot, e shumë dinakë të tjerë para teje ua kanë vënë syrin. Po ti, trego që je më i talentuar se ata në ndërhyrjen në jetët e të tjerëve. Bëhu konkurrues e ke për të parë që përfitim, sa për të mbajtur frymën tënde, ke për të gjetur!

– Ose zbut kritikat për tjetrin. Nuk po pretendoj të heqësh dorë, se kjo më duket e pamundur dhe jo e drejtë fundja. Do të të bënte të dilje nga vetvetja. Thjesht, nga diçka patologjike që të është kthyer, kritiko e bëj thashetheme por, me kriter. Pa u bërë ti vetë, skllav i thashethemit e i smirës, qoftë në jetën reale, qoftë në atë virtuale.
Edhe për arsyen e thjeshtë që tjetri do të vazhdojë jetën e tij, brenda e jashtë ekraneve, nuk do të jesh aspak ti, ai që do ta bësh tjetrin të ndërrojë tipologjinë e sjelljes apo përzgjedhjeve të stilit të jetës së tij.
Jeto e lër tjetrin të jetojë! E thjeshtë. Janë të tjera gjërat, nga të cilat i vjen e keqja njerëzimit. Jo ato, të cilat synon t’i servirësh si “gjëma”, ti.

“Kompjuteri nuk është një makineri inteligjente që ndihmon personat e marrë, përkundrazi, është një makineri e marrë që funksionon veç në duart e inteligjentëve”. (Umberto Eco)

 

 

 

 

 

Elvira: “Lotteremo affinché gli Italiani senza cittadinanza vengano riconosciuti anche di diritto”

Atdheu si kurth