in

Habemus Papam

 

Është argjentinasi, Jorge Maria Bergoglio, 77 vjeç, Papa Françesku që mbrëmjen e 13 marsit, pas ritualit të tymit të bardhë nga Kapela Sistina, doli për të përshëndetur mijëra besimtarët e mbledhur në Shën Pjetër: “Vëllezër e motra, mirëmbrëma”.

Bëhet fjalë për papën e parë nga Amerika Latine dhe të parin jezuit që bëhet papë, dhe të parin papë që merr emrin e Shën Françeskut.

Kush është papa Françesku

Jorge Mario Bergoglio, jezuit, kryeipeshkëv i Buenos Aires, Ipeshkëv për besimtarët e ritit lindor që banojnë në Argjentinë, lindi pikërisht në Buenos Ajres, më 17 dhjetor 1936, nga një familje me origjinë piemonteze. Studioi dhe u diplomua si teknik kimik, por më vonë ndjeu thirrjen e Zotit dhe hyri në seminarin e Villa Devoto. Më 11 mars 1958 kaloi në noviciatin e Shoqërisë së Jezusit, përfundoi studimet humaniste në Kili dhe në vitin 1963, pasi u kthye në Buenos Ajres, mori diplomën universitare në filozofi në Fakultetin e Filologjisë të kolegjit “San José” të San Miguel-it.

Ndërmjet viteve 1964 e 1965 ka qenë profesor letërsie dhe psikologjie në kolegjin e Zojës së Papërlyer në Santa Fe. Në vitin 1996 dha mësimin e po këtyre lëndëve në Kolegjin e Shëlbuesit në Buenos Ajres. Nga viti 1967 deri në vitin 1970 studioi teologji në Fakultetin e Teologjisë të kolegjit “San José”, ku mori edhe diplomën universitare në këtë disiplinë. Më 13 dhjetor 1969 u shugurua meshtar. Në vitet 1970-71 përfundoi probandatin e tretë në Alcalà de Henares të Spanjës e më 22 prill 1973 mori kushtet përfundimtare.

Ka qenë mësues novicësh në Villa Barilari të San Miguel-it, profesor në Fakultetin e Teologjisë, Këshilltar i Provincës së jezuitëve dhe Rektor i kolegjit. Më 31 korrik 1973 u zgjodh provincial i Argjentinës, detyrë që e ushtroi për gjashtë vjet. Ndërmjet viteve 1980 dhe 1986 ka qenë rektor i kolegjit dhe i Fakultetit të Filozofisë e të Teologjisë dhe famullitar në kishën e Patrikut shën Jozef, në dioqezën e San Miguel-it. Në mars 1986 shkoi në Gjermani për të përfunduar tezën e doktoraturës. Më pas, eprorët e dërguan në kolegjin e Shëlbuesit, nga ku, kaloi në kishën e Shoqërisë së Jezusit në qytetin e Kordovës, ku kreu detyrën e drejtuesit shpirtëror e të rrëfyesit.

Më 20 maj 1992, i Lumi Gjon Pali II e emëroi ipeshkëv titullar të Aukës dhe ndihmës të Buenos Ajres. Më 27 qershor të po atij viti u shugurua ipeshkëv .

Më 3 qershor 1997 u emërua Kryeipeshkëv Ndihmës i Buenos Ajres e, më 28 shkurt 1998, kryeipeshkëv i Buenos Ajres, duke zënë vendin e kardinalit Quarracino, që kishte ndërruar jetë.

U bë, kështu, Primat i Argjentinës.

Nga 6 Nëntori i të njëjtit vit, ishte edhe ipeshkëv për besimtarët e Ritit Lindor në Argjentinë, që nuk kanë ipeshkëv të ritit të tyre.

U bë kardinal nga Gjon Pali II në Koncistorin e 21 shkurtit 2001, me titullin e Shën Robert Belarminit. Si kardinal, qe bashkërelator i Përgjithshëm në Asamblenë e Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve (tetor 2001) .

Mori pjesë në Konklavin e 18-19 prillit 2005.

Mori pjesë dhe është anëtar i Këshillit Sinodal të Asamblesë XI të Përgjithshme të Sinodit të Ipeshkvijve, nga 2 deri më 23 tetor 2005.

Është anëtar i Kongregatës për Kultin Hyjnor dhe Disiplinën e Sakramenteve.Kongregatës për Klerin; Kongregatës për Institutet e Jetës Rregulltare dhe Shoqëritë e Jetës Apostolike; Këshillit Papnor për Familjen; Komisionit Papnor për Amerikën Latine; Këshillit Pas-Sinodal.

Në Kishën e Argjentinës është Kancelar i Madh i Universitetit Katolik të Argjentinës; Kryetar i Komisionit Ipeshkvnor për Universitetin Katolik të Argjentinës; Moderator i Gjykatës Kishtare Kombëtare të shkallës së dytë; Moderator i Gjykatës Ndërdioqezane të Buenos Aires; Nga nëntori i vitit 2005, në nëntorin e vitit 2011, ka qenë kryetar i Konferencës Ipeshkvnore të Argjentinës

Nga 13 marsi, është Papa i 266-të i Kishës Katolike Romake, me emrin Papa Françesku. Emrat më të përdorur nga papët në historinë e Vatikanit janë Giovanni (Gjon), 23 herë; Gregorio (Gregori), 16; Benedetto (Benedikti), 16; Clemente (Klementi), 14; Innocenzo (Inocenti), 13; Leone (Leo); 13, Pio (12).

(Sipas Radio Vatikanit)

 

Dita e Verës, festa pagane

Diventare italiani? È come vincere un reality!