in

Haki Doku: “S’ka më bukur se të jesh i pavarur”

haki_doku_pic.gif41-vjeçari shqiptar, edhe pse një aksident e ka detyruar të jetojë në një karrige me rrota, është shumë aktiv. Dashuria për sportin e natyrën e bën edhe më të fortë. Vetëm në mars, me biçikletën e tij, merr pjesë në dy maratona, në atë të Milanos dhe të Brescias. Edhe pse deri më sot nuk ka pasur asnjë ndihmë nga Shqipëria, po bën çmos për ta përfaqësuar Shqipërinë në Lojërat paraolimpike të Londrës në vitin 2012

Garat e fundit të Hakiut janë pjesëmarrjet në mars në maratonën e njohur të Milanos të 21 marsit – ku mes pak atletëve me aftësi të kufizuara u rendit i pari – dhe në atë të Brescias një javë më parë. “Në këtë të fundit  kam përfaqësuar Shqipërinë” – thotë me krenari.

haki-doku-mondiali-bogogno-.gifAi është shembulli më i mirë për t’i treguar kujtdo që asgjë nuk mund të të ndalë kur diçka e bën me pasion e dashuri. Ai jeton në një karrige me rrota. Në një aksident të vitit 1997 në Milano, Hakiu ka dëmtuar shtyllën kurrizore. Por ky fakt nuk e ka penguar që, edhe pse mes shumë e shumë vështirësish, të bëhet i pavarur nga të tjerët e të vazhdojë jetën e tij – me siguri shumë ndryshe nga ç’mund ta kishte menduar para atij viti të mbrapshtë, por sidoqoftë shumë aktive – me studime, punë, krijimin e familjes madje edhe me sport. Ai ka studiuar informatikë e turizëm e prej vitit 2000 punon pranë Kompanisë financiare FinSev spa si Programator informatik.

Në vitin 2000 ka filluar të merret me sporte dimërore, ski në borë e hokej në akull, duke marrë pjesë në kampionatin italian dhe atë europian të Hokejt në akull në Gjermani. Në vitin 2003 ka lënë sportet dimërore për t’u marrë vetëm me biçikletë (handbike), sport në të cilin ka arritur suksese të konsiderueshme në gara të rëndësishme si në maratonën 42 km të New York-ut, në kampionatin italian, europian e botëror. Në vitin 2007 ka përfaqësuar Shqipërinë në maratonën 42 km të Romës dhe ka dalë i teti, së fundi edhe maratona e Milanos (i pari) dhe Brescia-s (i gjashti).

Në vitin 2005 është martuar dhe sot është baba i lumtur i Marios. “Ka lindur në dhjetor të 2007-tës Mario, – të tregon me gëzim Hakiu – dhe ishte vetëm një vjeç e tre muaj kur vitin e shkuar mori pjesë në maratonën e Milanos bashkë me time shoqe, Enorën. Bëri një pjesë të vogël në këmbë dhe tjetrën në karrocë. Këtë vit nuk arriti për shkak se ishte i sëmurë.  Është aktiv, i pëlqen shumë natyra edhe biçikleta. Shpresoj që të vazhdojë kështu. Preferoj që të merret me lojëra në natyrë sesa të mbyllet në botën  teknologjike të videogame-ve”.

Përsa i përket përfaqësimit të Shqipërisë, Hakiu tregon për Botën shqiptare se vështirësitë janë të mëdha, se organet sportive në Shqipëri nuk funksionojnë siç duhet por: “po përpiqem me të gjitha forcat, e do të isha shumë krenar po t’ia dal mbanë, që flamuri shqiptar të për herë të parë në Lojërat paraolimpike në Londër 2012”.

“Së shpejti do të takoj presidentin e KOKSh-it, drejtorin e përgjithshëm të sporteve edhe presidentin e federatës se çiklizmit në Shqipëri. – të thotë Hakiu duke theksuar ashtu si edhe më parë atë çka e shqetëson vërtet e ç’ka më shumë për zemër – Shpresoj që paraqitja e  projektit tim 2010-2012 të jetë e suksesshme, jo thjesht vetëm për pjesëmarrjen e Shqipërisë në lojërat paraolimpike. Ajo që dua vërtet është që të vlerësohen më shumë personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në Shqipëri që ndihen, në radhë të parë, të izoluar mendërisht. Dhe gjëja më e vështirë është pikërisht shembja e  pengesave mendore në drejtim të personave me aftësi të kufizuara”.

Për aktivitetin personal sportiv, Hakiu tregon se këtë vit ka marrë angazhim që të japë rezultate sa më të mira, ka filluar përgatitjen që tani për pjesëmarrjen në kampionatin e botës që zhvillohet në gusht në Kanada për t’u kualifikuar për lojërat paraolimpike në Londër 2012. Dhe ajo çka bie në sy – që e kemi dëgjuar edhe më parë nga Erjon Tola – është që atletët tanë veç përgatitjes së tyre fizike duhet të interesohen personalisht edhe për gjetjen e fondeve për të mundësuar pjesëmarrjen e tyre në gara, edhe kur duan të përfaqësojnë vendlindjen: “Nuk është shumë e thjeshtë sepse komiteti paraolimpik në Shqipëri nuk funksionon aspak, përkundrazi nuk janë në gjendje që të paguajnë as taksën vjetore. Interesi për sportin për persona me aftësi nuk imagjinohet. Po përpiqem me të gjitha forcat e mia të kërkoj sponsorë apo persona që kanë dëshirë të japin kontributin e tyre sipas mundësisë duke mos harruar momente të vështira krize ekonomike  që po kalojmë”.

Hakiu është i teseruar pranë skuadrës GS Rancilio të Milanos por ajo “sipas kontratës mbulon shpenzimet vetëm për garat që zhvillohen në Itali”, ndaj atij i duhet të paguajë nga xhepi i vet pjesëmarrjet në garat jashtë Italisë, por jo gjithnjë ia del mbanë: kështu, për shembull, në Dubai nuk shkoi dot për mungesë fondesh. “Kam shumë dëshirë që të marr pjesë në Rosenau të Francës më 3 prill. Kjo garë është shumë e rëndësishme: deri tani janë regjistruar pothuajse 180 atletë nga 18 vendet të ndryshëm të botës. Më vjen keq që ndonjëherë nuk marr pjesë për shkak të mungesës së fondit, kur atletet e tjerë as e çojnë nëpër mend të mendojnë për anën ekonomike të pjesëmarrjes së tyre sepse janë të garantuar nga organet e tyre sportive që merren me financimin” të thotë me një buzëqeshje të hidhur.

Hakiu i bën të gjitha këto, siç tregon edhe vetë, sepse do natyrën por është edhe i vetëdijshëm që sporti i bën mirë për shëndetin, sepse kështu sfidon veten dhe sepse do që personat me aftësi të kufizuara që jetojnë në Shqipëri të kuptojnë “se duhet të kenë besim tek vetja e tyre dhe mos të mbyllen në mentalitetin fanatik. Sporti për persona me aftësi të kufizuara nuk është mjet ekonomik, por ndihmë shëndetësore për të ruajtur autonominë. Të jetosh i lirë dhe autonom, nuk ka gjë më të bukur në botë! Më ka ndodhur edhe të flas me persona me aftësi të kufizuara por pa rezultat, por nuk merzitem aspak, reagoj më tepër që një ditë të kuptojnë shijen e jetës: të jesh i lirë mendërisht do të thotë të zhdukësh të gjitha problemet jetësore. Për ta mbyllur, shpresoj shumë dhe jam optimist. E me gjithë vështirësitë, dua që ëndrra ime të kthehet në realitet. Që me duart e mia të valëvis flamuri shqiptar  në Londër 2012”.

Keti Biçoku

Bota shqiptare 233 – 1 prill 2010

 

Fini: “Shtetësi italiane për të miturit”

Një çmim italian për çiklistët e Gjergj Xhuvanit