Është hapur së fundi “Portali albanologjik”, rezultat i një bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë, i nisur me një marrëveshje të dy bibliotekave kombëtare në muajin mars 2011.
Në portalin albanologjik hyhet pa pagesë. Ai ofron informacion të larmishëm për Shqipërinë dhe shqiptarët, ku vend të veçantë zënë burimet bibliografike dhe koleksionet e digjitalizuara të trashëgimisë kulturore kombëtare. Nëpërmjet tij mundësohet kërkimi dhe qasja në vlerat e rralla të trashëgimisë kombëtare në çdo kohë, nga kudo dhe nga kushdo. Website-i ofron shërbime si: të dhëna rreth historikut të krijimit të portalit; informacion për botime albanologjike, albanologë, hyrje të reja (libra, artikuj, periodikë) në të dy bibliotekat gjegjëse; qasje në burime të kombinuara digjitale dhe jo-digjitale, burime bibliografike etj.
Sasia e dokumenteve të disponueshme në faqe është ende relativisht e kufizuar por mbetet shumë pozitiv fakti që këto pasuri kombëtare po bëhen gjithnjë e më shumë të disponueshme për publikun e gjerë.
Misioni i portalit: Integrimi i informacionit mbi trashëgiminë e kulturës së shkruar mbarëshqiptare në rrjetin europian dhe botëror të informacionit; promovimi i trashëgimisë kulturore kombëtare; ofrimi dhe lehtësimi i qasjes së vijueshme në linjë/online nëpërmjet rrjetit global të komunikimit në baza të dhënash që flasin për Shqipërinë dhe shqiptarët; nxitja e shërbimeve të reja; zgjerimi i qasjes nëpërmjet bashkëpunimit edhe me biblioteka/qendra me koleksione albanologjike në Ballkan, Europë dhe botë.
Këndi i albanologëve:përmbledh një listë biografike të gjatë me studiues, gjuhëtarë, historianë, publicistë të huaj që kontribuan në studimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të gjuhës tonë duke filluar nga: Roberto Almagià (1884 – 1962) deri te Gustav Weigand (1860 – 1930)
Bibliografia “Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare”
Në faqet e portalit mund të konsultohet edhe bibliografia retrospektive e librit shqip “libri shqip 1555-1912” pjesë e arkivës së Bibliotekës Kombëtare (PDF)”. Bibliografia “Libri shqip 1555-1912 në fondet e Bibliotekës Kombëtare” është pjesa e parë, ndër tri të planifikuarat, për periudhën nga fillimet e librit shqip (1555) deri në pikëtakimin me botimin e institucionalizuar të bibliografisë kombëtare të tij (1959). Ajo mbulon një periudhë prej rreth 5 shekujsh të fjalës së shtypur shqipe dhe vjen të plotësojë një kërkesë të kahershme në një fushë të rëndësishme si ajo e informacionit bibliografik, por edhe në historinë e librit shqip.