in

Haradinaj i lirë. Kosova e Shqipëria i gëzohen lajmit të mirë por të vonuar

Vendimin e mëngjesit të sotëm për njohjen e lirisë së plotë të ish kryeministrit të Kosovës dhe kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj e kanë përshëndetur eksponentë të politikës në Shqipëri e Kosovë që nga njëra anë kanë shprehur gëzimin e tyre për lajmin e mirë, nga ana tjetër kanë vënë në dukje se ka ardhur me rreth 4 muaj vonesë, pasi për të gjithë ndalimi i tij më 4 janar dhe mbajtja në Francë deri më sot ishin të padrejta.

Qeveria e Kosovës: Gjykata franceze konfirmoi se e drejta ishte në anën e Haradinajt

“Duke vlerësuar se urdhërarrestet serbe mbi bazën e të cilave është ndaluar  Haradinaj janë të paligjshme dhe të padrejta, Qeveria e Kosovës konsideron se vendimi i Gjykatës Franceze është konfirmim se e drejta është në anën e Haradinajt dhe se fletarrestet serbe kundër tij dhe luftëtarëve të tjerë të UÇK-së janë politike dhe kanë synime të ulëta”, lexohet në njoftimin për shtyp të qeverisë kosovare.
Duke përgëzuar qytetarët e Kosovës për këtë fitore të drejtësisë mbi përpjekjet manipuluese të shtetit serb, Qeveria e Kosovës shpreh përkushtimin e saj të mëtejshëm për të bërë çdo përpjekje për të pamundësuar forma të tilla të keqpërdorimit të drejtësisë nga ana e Serbisë, në të ardhmen.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, shprehet se gjykata e Colmar-it vetëm se ka vërtetuar pafajësinë e Haradinajt, për të cilën Kosova ka qenë e sigurt nga fillimi.
“Një lajm i jashtëzakonshëm këtë mëngjes. Më në fund gjykata e Colmarit ka vërtetuar ato që ne në Kosovë i kemi pasur të qarta nga fillimi, që Ramush Haradinaj është i pafajshëm dhe duhet të lirohet për t’iu bashkuar familjes, qytetarëve dhe Kosovës. Mirënjohje shtetit të Francës dhe diplomatëve të Kosovës për angazhimin. Urime!”, shkruan Hoxhaj në Facebook.

Thaçi: Lirimi i Haradinajt, lajm i mirë për gjithë Kosovën

Në një postim në rrjetin social Facebook, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi shkruan “vendimi i Gjykatës së Colmar, që Haradinaj të kthehet në Kosovë është lajm i mirë për familjen Haradinaj, për bashkëpunëtorët e tij dhe gjithë Kosovën. Edhe një herë u vërtetua që shpifjet e shërbimeve serbe kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të paqëndrueshme dhe nuk përfillen nga bota demokratike”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës: Lajmi i gëzuar që të gjithë prisnim

“Vendimi i Gjykatës në Colmar të Francës për lirimin e Ramush Haradinajt është lajm i gëzuar të cilin të gjithë e kemi pritur të ndodhë. Ndalimi i tij, mbi bazën e një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga Serbia, ishte i papranueshëm dhe raste të tilla nuk duhet të përsëriten më. Haradinajt i uroj kthim të mbarë në familje dhe vendin e tij”, shkruan kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në Facebook.

Kryetari i Lëvizjes “Vetëvendosje”, Visar Ymeri, në një reagim në Facebook, shprehet se “lajmi për lirimin e Ramush Haradinajt është një lajm i mirë për Kosovën dhe kombin shqiptar. Ndalimi në Francë dhe mbajtja e tij për muaj të tërë ishte padrejtësi jo vetëm ndaj Ramushit, por ndaj gjithë luftës çlirimtare të UÇK-së”.

Rama: Ramush mirësezbret sot edhe njëherë fitimtar në Prishtinën tonë

Edhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka përshëndetur sot lirimin e Ramush Haradinajt nga Gjykata franceze e Colmarit me një mesazh në Facebook: “Ramush mirësezbret sot edhe njëherë fitimtar në Prishtinën tone. Krenar për UÇK. E drejta vonon po nuk harron. Respekt”.

MPJ mirëpret dhe përshëndet vendimin e Gjykatës franceze

Në këtë mënyrë, thekson Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, “gjykata franceze konfirmon vendimet e mëhershme të dy shkallëve të Gjykatës Ndërkombetare për ish-Jugosllavinë e cila e shpalli zotin Haradinaj të pafajshëm”.
Ministri Bushati e përshëndet vendimin e gjykatës franceze dhe i përcjell urimet vëllazërore të gjithë popullit të Kosovës duke u shprehur se: “Drejtësia vonon, por nuk harron! Mirë se të vish në atdhe Ramush Haradinaj!”.
MPJ e konsideron vendimin si një fitore të të vertetës dhe të drejtësisë ndaj akuzave krejt të pabaza dhe të motivuara politikisht, të cilat, që në krye të herës kane synuar të përbaltin një autoritet politik e publik, të destabilizojnë shtetin e Kosovës, dhe të barazojnë përpjekjet e popullit të Kosovës dhe të UÇK-së për liri e mëvetesi me krimet monstruoze të regjimit të Millosheviçit.
MPJ përsërit qëndrimin e saj se Serbia duhet të heqë dorë nga përdorimi i urdhër-arresteve si formë presioni ndaj Kosovës.

Meta: Përshëndes verdiktin, ndonëse i vonuar

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, shpreh gëzimin që Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, fitoi të drejtën e tij të mohuar padrejtësisht për t’u kthyer pranë familjes së tij të dashur, simpatizantëve dhe qytetarëve, të cilët e mbështetën pa kushte gjatë qëndrimit të tij të detyruar në Francë.
“Ramush Haradinaj fitoi lirinë, për të cilën kanë sakrifikuar ai, familja e tij dhe vetë Kosova. Gjithmonë kam besuar se drejtësia franceze do të vinte në vend një të drejtë të merituar për Ramushin dhe për Kosovën. Dëshiroj të përshëndes këtë verdikt përfundimtar, ndonëse të vonuar, i cili i dha fund një procesi të pakuptimtë juridikisht dhe të padobishëm politikisht”, thotë Meta në mesazhin e tij.

Basha: Drejtësia franceze dha vendimin e duhur për Haradinajn, urdhërarrestet serbe të padrejta

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha përmes një postimi në Facebook pohon se ndan me kënaqësi lajmin se drejtësia franceze mori më në fund vendimin e duhur për Ramush Haradinajn, duke e lënë atë të lirë për t’u kthyer në atdhe. “Vendimi i sotëm është drejtësia e plotë, pas shumë javësh qëndrimi në Francë. Urdhërarrestet e Serbisë janë jo vetëm padrejtësi personale ndaj njerëzve si Ramushi që kanë sakrifikuar për lirinë e Kosovës, por njëkohësisht sulm ndaj vetë pavarësisë, ndaj Republikës së Kosovës dhe integritetit të saj politik”.
“Me vendimin e sotëm të drejtësisë franceze, Serbia duhet të ndërgjegjësohet një herë e mire, e të anullojë urdhërrarrestet e saj për luftëtarët e Kosovës. Po kështu është detyrë kryesore e qeverisë shqiptare që të ushtrojë presion ndaj Serbisë dhe kerkesa ndaj vendeve të tjera, për të detyruar Beogradin të heqë dorë nga prakrika e turpshme, e padrejte dhe provokative e urdhër arresteve te tilla në mënyrë që padrejtësi si kjo me Ramushin të mos përsëriten më” përfundon Basha.

Lexo edhe: Ramush Haradinaj është person i lirë

 

 

Ramush Haradinaj është person i lirë

Zgjedhja e Presidentit të ri. Tym i zi edhe pas raundit të tretë