in

Hashim Thaçi, Presidenti i ri i Kosovës

Pas tre raundeve votime, paralamenti kosovar zgjodhi të premten Presidentin e ri.
Thaçi: “Më shumë përgjegjësi për t’i shërbyer vendit dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”

Prishtinë, 27 shkurt 2016 – Hashim Thaçi u zgjodh të premten në mbrëmje me 71 vota President i Republikës së Kosovës, në një seancë të jashtëzakonshme ku mungonin deputetët e opozitës. Thaçi u zgjodh në raundin e tretë të votimit, pas mbylljes pa sukses të dy raundeve të para në të cilat nevojiteshin 2/3 e votave.

Në raundin e tretë, Thaçi mori 71 vota, ndërsa 10 vota u shpallën të pavlefshme. Në raundin e parë, Thaçi mori 50 vota, ndërsa në raundin e dytë siguroi 64 vota. Kandidatë në garën presidenciale ishin Hashim Thaçi e Rafet Rama, i cili nuk mori asnjë votë.

Nën masa të rrepta të sigurimit si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit, për herë të parë Kosova shpalli një president në tension.

Thaçi do të marrë pozitën e shefit të shtetit me datën 7 prill, një ditë pasi të përfundoj mandati i presidentes aktuale, Atifete Jahjaga.

Thaçi: Përgjegjësi për t’i shërbyer Kosovës

Në fjalën e rastit në seancë plenare, Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se “ky është një vlerësim, detyrë dhe përgjegjësi më tepër për t’i shërbyer vendit dhe gjithë qytetarëve të Kosovës”.

“Falënderoj trupin diplomatik, deputetët e të gjitha partive politike që janë prezentë në votim dhe qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Besimi juaj, vijoi Thaçi, është shpresë dhe optimizëm për Republikën e Kosovës. “Do të punoj gjithmonë në shërbim të vendit dhe qytetarëve, duke respektuar Kushtetutën”, siguroi Thaçi.

“Do të punoj në shërbim të vendit dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës për të ndërtuar Kosovën e re evropiane”, tha më tej Thaçi.

Po ashtu Thaçi falënderoi të gjithë qytetarët që për një dekadë i kanë besuar fuqinë më të madhe politike në vend.

Në fund presidenti i ri ka përkujtuar edhe heroizmin e komandantit legjendar Adem Jashari dhe të gjithë të rënëve për liri. Po ashtu, Thaçi nuk ka harruar të përmend edhe veprën siç e ka quajtur ai, të paraardhësit të tij, presidentit të ndjerë Ibrahim Rugova.

 

 

 

Në Itali i pandehur për trafik droge, në Shqipëri ndërtues i suksesshëm

Kush është Hashim Thaçi