in

Haxhinasto në Romë: “Shqipëria mbështet reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”

Takimi ndërkombëtar  “Qeverisja globale dhe Reforma e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, që u mbajt në Romë u përqendrua në nevojën e reformimit të institucioneve të OKB-së për t’iu përgjigjur realiteteve të reja ndërkombëtare, një bote në ndryshim, më shumë e ndërvarur dhe më komplekse. Në takim mori pjesë edhe ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Haxhinasto

Romë, 16 maj 2011 – Ministri i Jashtëm, Edmond Haxhinasto mori pjesë sot në Takimin ndërkombëtar mbi “Qeverisjen globale dhe Reformën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, që u mbajt në Romë. Në këtë veprimtari morën pjesë mbi 100 përfaqësues të vendeve anëtare të OKB-së, përfaqësues të organizatave të rëndësishme rajonale, si dhe Presidenti i Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së.
Takimi u fokusua në nevojën e reformimit të institucioneve të OKB-së për t’iu përgjigjur realiteteve të reja ndërkombëtare, një bote në ndryshim, më shumë e ndërvarur dhe më komplekse. 
Në fjalën e tij, kreu i diplomacisë shqiptare theksoi se reforma e Këshillit të Sigurimit është një domosdoshmëri, ndërsa nënvizoi faktin se “Shqipëria mbështet reformën e Këshillit të Sigurimit, e cila do të sjellë rritjen e efektivitetit të tij dhe një përfaqësim sa më të drejtë të vendeve apo grupeve rajonale”. Në këtë kuadër, Haxhinasto kërkoi që vendet e Evropës Juglindore të kenë një vend shtesë, në rastin e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit me vende jo të përhershme.
Ministri shqiptar tha se reforma e Këshillit të Sigurimit duhet të kalojë nga faza e paraqitjes së propozimeve në atë të formulimit të alternativave, që pranohen dhe mbështeten me konsensusin më të gjerë nga vendet anëtare të OKB-së. 
Në kuadër të punimeve të këtij takimi ndërkombëtar, Haxhinasto ka zhvilluar edhe takime dypalëshe me disa homologë e kryetarë delegacionesh të vendeve të rajonit, të Meksikës, Emirateve të Bashkuara Arabe etj.

ËNDRRA ITALIANE – 20 vjet pas eksodit

OLEN CESARI{br}Videoklipi i ri Anima e core