Shqiptari është nderuar me medaljen e artë “Alfiere del Lavoro” nga presidenti i Republikës Giorgio Napoletano
Quhet Henri Ibi. Ka lindur në Tiranë e jeton me familjen Cremona ku ndjek shkollën pedagogjike “S. Anguissola” me rezultate të shkëlqyera në mësime. Është i vetmi i huaj ndër 25 nxënësit më të mirë të shkollave të mesme italiane që më 5 nëntor morën nga presidenti i Republikës Giorgio Napolitano medaljen e artë “Alfiere del Lavoro”, titull i Federatës kombëtare “Cavalieri del Lavoro” që vlerëson ajkën e të rinjve që ndjekin shkollat e mesme italiane.
Histori e zakonshme emigracioni ajo e gjeniut Henri. Në vitin 2001 ka ardhur nga Tirana, bashkë me nënën e të motrën, për t’iu bashkuar babait në Cremona prej vitit 1998. Edhe pse nuk dinte një fjalë italisht, Henrin e regjistruan në klasën e pestë të tetëvjeçares, e njëjta klasë që ndiqte në Tiranë, dhe brenda atyre katër muajve deri në përfundim të vitit shkollor jo vetëm mësoi mirë gjuhën por tregoi edhe zotësinë e tij në të gjitha lëndët. Që atëherë ka shkëlqyer gjithmonë në mësime. Në Cremona është diplomuar për Shkenca Sociale në Institutin pedagogjik “S. Anguissola” me vlerësimin maksimal dhe me mesatare të katër vjetëve të parë 9,742.
Henri është një nga 14 nxënësit (nga 172 kandidatët) e përzgjedhur nga Kolegji Universitar Lamaro-Pozzani i Kavalierëve të Punës dhe do të studiojë Jurisprudencë në Universitetin Tor Vergata të Romës. Në shkollë të mesme ka ushqyer pasionin e madh për të drejtën e ligjin: “Kemi studiuar Kushtetutën, nen për nen. – tregon ai – Në Palermo kemi takuar Rita Borsellinon. Jemi takuar edhe me atë Luigi Ciotti e kemi ndjekur Karovanën Antimafia të tij”. Henri ëndërron të bëhet gjykatës: “Duket një ëndërr e parealizueshme, e di. Por edhe që të vija këtu në Romë për të studiuar në universitet, ëndërr ishte në fillim. Mendoj se fakti që jam i huaj mund të më ndihmojë të kuptoj më mirë emigrantët e tjerë dhe të sillem me ta me vetëdije më të lartë”.
Fillimi nuk ka qenë aspak i lehtë as për Henrin. “Kur arrita në Cremona nuk dija as edhe një fjalë në italisht. Më kanë ndihmuar shumë qoftë mësuesit, qoftë shokët e klasës”. I ati, ish oficer në polici, kish ardhur në Itali në vitin 1998dhe fillimisht ka bërë punë nga më të ndryshmet si shumë emigrantë të tjerë. Në vitin 2001 arriti të bënte bashkimin familjar e të sillte edhe gruan e dy fëmijët në Cremona. Sot i ati i Henrit ka një ndërmarrje ndërtimi me disa të punësuar. Henri është vërtet gjeni por ka pasur edhe fat që nuk ka përjetuar asnjëherë në kurriz të tij episode racizmi. E megjithatë norma e re e paketës së sigurisë për dëbimin e të huajve i ka lënë shije të hidhur: “Mendoj se është një ligj i gabuar dhe çnjerëzor. Të kthesh mbrapsht një varkë me emigrantë do të thotë t’i çosh ata vërtet drejt vdekjes. Kush ka guxim të bëjë diçka të tillë?”. I vjen keq që nuk ka mundur të votojë në zgjedhjet e fundit, ka mbushur moshën, por ende nuk ka marrë shtetësinë italiane.
Titulli Flamurtar i Punës është dhënë për herë të parë në vitin 1961 dhe jepet çdo vit me rastin e dhënies së medaljeve të Kavalierëve të rinj të Punës. Për të qenë një nga 25 nxënësit më të mirë të vitit duhen plotësuar tri kushte: të kesh mbaruar shkollën tetëvjeçare me vlerësimin “shkëlqyer”, të kesh notë mesatare mbi 8 për çdo vit të shkollës së mesme e të kesh marrë provimin e shtetit me vlerësimin 100/100. për vitin 2009, drejtorët e shkollave të mesme kanë kandiduar 1678 nxënës nga të cilët 1376 plotësonin të gjitha kushtet e kërkuara. Mesatarja e notave të 25 Flamurtarëve të Punës shkon nga 9,569 deri në 9,925 dhe 21 prej tyre kanë marrë edhe lavdërime në provimin e shtetit.