in

Huffington Post: “Shqiptarët zgjodhën korrupsionin më demokratik”

Shqiptarët kanë zgjedhur një formë më demokratike të korrupsionit, me një sistem patronazhi që shpërblen mbështetësit, ndryshe nga korrupsioni i ngushtë i Berishës për rrethin familjar dhe miqtë. Shqipëria duket më e qëndrueshme dhe më e denjë për BE-në për shkak të zgjedhjeve të qeta dhe transferimit paqësor të pushtetit. Por stabiliteti është iluzion.
Nga Fred Abrahams*

Zgjedhjet e javës së shkuar në Shqipëri meritojnë të duartrokiten. Një pjesë e madhe e vendit refuzoi kryeministrin autoritar, Sali Berisha, që ka mbizotëruar në jetën politike të Shqipërisë që prej rënies së komunizmit 22 vite më parë. Me disa përjashtime, zgjedhjet ishin paqësore – diçka që nuk mund të parashikohej, edhe pas dy dekadave tranzicion në vend.

Por vëzhguesit në Shqipëri – përfshirë Bashkimin Europian, që po konsideron kandidaturën e vendit – nuk duhet të nxitohen e ta lexojnë këtë sukses si shenjë të ndryshimeve strukturore. Dinamika pas zgjedhjeve dhe një vështrim i imët mbi rezultatin, nxjerrin në dritë defekte që do të ndikojnë mbi Shqipëri në vitet që vijnë. Duartrokitjet duhet të jenë të shkurtra.

Së pari, fitorja e Partisë Socialiste nuk ishte një votë për programin apo për liderët e partisë. Ajo ishte një votë kundër Berishës. Ishte një referendum për sundimin e tij, si gjatë tetë viteve të fundit, ashtu edhe për periudhën nga viti 1992. Shqiptarët refuzuan paternalizmin e tij të shkollës dhe vjetër dhe korrupsionin, që ai kishte premtuar se do ta frenonte, por nuk e bëri kurrë.

Së dyti, edhe me këtë refuzim, votuesit nuk iu kthyen drejtpërdrejt anës tjetër. Socialistët fituan vetëm një vend më shumë në parlament në krahasim me katër vite më parë. Fituesi i madh ishte një parti e vogël, e quajtur Lëvizja Socialiste për Integrim, që ishte shkëputur nga socialistët në vitin 2004, kaloi në koalicion me demokratët në vitin 2009 dhe u kthye sërish në krahun e socialistëve për këto zgjedhje. E drejtuar nga një njeri i aftë si Ilir Meta, kjo parti në mënyrë të befasishme kërceu nga 4 në 16 vende në parlament.

Ky hap ishte i paimagjinueshëm disa muaj më parë. Partia e Metës ishte akoma në koalicionin qeverisës së Berishës, duke mbajtur ministritë e Ekonomisë, të Punëve të Jashtme dhe Shëndetësisë, kështu që edhe ajo mban faj për problemet e vendit. Meta vetë u akuzua gjerësisht për korrupsion, duke u përfshirë në një video të transmetuar në televizion dy vite më parë, kur ishte zëvendëskryeministër dhe ministër i Jashtëm, ku duket ai ndërsa organizon një marrëveshje të pistë. Vërtetësia e videos nuk u verifikua kurrë dhe prokuroria u dorëzua pas presioneve të forta politike, megjithatë akuza mbeti. Forcat e qeverisë, që qëlluan dhe vranë katër protestues në një protestë anti- korrupsion pas videos, u shpallën të pafajshëm.

Kur nisi fushata zgjedhore e këtij viti, Meta bëri një lëvizje radikale duke lënë Berishën për koalicionin socialist. A menduan shqiptarët se ai i ka lënë pas lojërat e korruptimit? Apo ata u frymëzuan nga një platformë brilante e partisë së tij? Në të kundërt, shqiptarët u joshën nga shpërblimet në të holla dhe në vende pune, dhe askush nuk ka ditur të bëjë këtë punë më mirë se makineria e Metës. Si demokratët, edhe socialistët – me lavdërimin më shumë se përbuzje – thonë se parti e tij është e organizuar, efikase dhe shkon drejt e në shënjestër – në këtë rast me 200 euro për votë. Si mund të shpjegohet ndryshe kjo rritje e katërfishtë pas një bashkëqeverisjeje me PD-në për tetë vjet dhe ndryshimit të krahut minutën e fundit?

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, do të bëhet kryeministër, por Meta do ta ketë nën kontroll. Ashtu siç bëri me Berishën, Meta do të kërkojë një përqindje të lartë të vendeve të punës në administratë për mbështetësit e tij si dhe mosndëshkim për marrëveshjet e tij të errëta. Me një fushatë që arriti kosto milionare, Rama ishte i detyruar që të kërkonte ndihmë nga biznesmenë të ndryshëm në forma të dyshimta; edhe ata do të presin një rikthim të fuqishëm të investimit të tyre.

Në këtë mënyrë, shqiptarët kanë zgjedhur një formë më demokratike të korrupsionit, me një sistem patronazhi që shpërblen mbështetësit, ndryshe nga korrupsioni i ngushtë i Berishës për rrethin familjar dhe miqtë.

Ndaj vula e miratimit që ky proces zgjedhor ka marrë nga vëzhguesit ndërkombëtarë, duhet të shihet me sy skeptik. Blerja e votës është gjithnjë mashtrimi më i vështirë për t’u zbuluar nga vëzhguesit. Fakti që nuk pati manipulime të trasha gjatë numërimit, ka ardhur më shumë për shkak të fitores dërrmuese të opozitës sesa nga një proces i përmirësuar. Nëse rezultati do të ishte i ngushtë, Berisha do të kishte përdorur kontrollin e tij mbi shtetin për të luajtur marifetet e tij të pista.

Shqipëria duket më e qëndrueshme dhe më e denjë për BE-në për shkak të zgjedhjeve të qeta dhe transferimit paqësor të pushtetit. Berisha madje tregoi një mirësi të papritur dhe dha dorëheqjen si kreu i Partisë Demokratike, edhe pse do jetë anëtar i parlamentit të ri. Por stabiliteti është iluzion. Është i bazuar më shumë mbi formulime shqiptare sesa mbi institucionet. Sistemi nuk punoi më mirë, thjesht nuk u testua.

Edi Rama, artist dhe ish kryebashkiaku i Tiranës, nuk është Sali Berisha – ai do të shmangë qasjen përçarëse dhe klanore të paraardhësit të tij. Por ai i detyrohet Metës dhe atyre që i financuan fushatën. Aftësitë e tij për të nxitur një sistem funksional të drejtësisë, media të pavarura dhe polici apolitike do të kufizohen.

Në Shqipëri nuk është mungesa e frymës demokratike apo e njohurive që pengon ndërtimin e institucioneve të pavarur. Është fakti se fuqive mbizotëruese në ekonomi u intereson që ato të jenë vërtet të pavarura. Dhe kjo, pavarësisht largimit të Berishës, nuk ka ndryshuar në mënyrë radikale.

Autori i këtij shkrimi, Fred Abrahams, po shkruan një libër rreth rënies së komunizmit në Shqipëri.

Lexo në origjinal në origjinal në The Huffington Post: In Albania, It’s the Institutions

 

 

 

Vogëlushet e mbytura në Po: gjendet edhe trupi i dytë

Elhaida Dani nxjerr në treg albumin e saj të parë