Deputeti i Partisë Demokratike, 41-vjeçari Sokol Olldashi, ka humbur jetën në një aksident të rëndë në zonën e Krrabës
Tiranë, 21 nëntor 2013 – Një aksident i rëndë automobilistik ka ndodhur mbrëmjen e të mërkurës në aksin rrugor Tiranë- Elbasan, ku një automjet ka dalë nga rruga duke u përplasur tragjikisht. Me këtë mjet udhëtonte deputeti i Partisë Demokratike, Sokol Olldashi.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 21:45 në aksin rrugor Tiranë Elbasan, tek zona e quajtur lapidari i Kërrabës, ku për shkak të reshjeve të shiut, automjeti me të cilin udhëtonte zoti Olldashi, ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga një lartësi prej 10-15 metra. Trupi i pajetë mezi është nxjerrë me veshtiresi prej forcave të policisë nga automjeti i shkatërruar. Vetem pas dy oresh nga aksidenti u arrit te nxirret e te çohet ne morgun e Qendres spitalore Nene Tereza.
Në vendngjarje, veç familjarëve të Olldashit, kanë mbërritur ministri i Brendshëm Sajmir Tahiri, një numër i konsiderueshëm deputetësh të të dy krahëve politikë mes të cilëve edhe Lulzim Basha, Sali Berisha dhe Flamur Noka si dhe kryetari i Parlamentit, Ilir Meta.
Ende nuk dihet shkaqet e aksidentit, por paraprakisht mësohet se koha e keqe dhe terreni i rrëshqitshëm mund të kenë ndikuar në humbjen e kontrollit të automjetit.
Sokol Olldashi kish lindur më 17 dhjetor 1972 në Durrës. Lë gruan, dy fëmijë dhe prindërit.
Veprimtarinë politike Sokol Olldashi e ka nisur si anëtar i Partisë Demokratike, dega Durrës, që në dhjetor 1990. Gjithashtu Olldashi ka qenë anëtar i mbledhjes themeluese të FRPD-së. Në periudhën Maj 2002 – Shtator 2007, ka qënë zgjedhur Kryetar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD). Në periudhën Maj 2005 – Maj 2009 ka qenë Kryetar i Partisë Demokratike të Tiranës. Olldashi ka qenë anëtar i Kryesisë së PD-së që nga viti 2002. Në periudhën Qershor 2001 – Maj 2005, Sokol Olldashi ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, (lista shumemërore). Më pas në vitet 2005 – 2007 ka qenë deputet i Kuvendit të Shqipërisë, zgjedhur në zonën elektorale 26, Durrës. Në vitet 2009 – 2013, Olldashi ka qenë deputet i Qarkut Fier. Që nga viti 2013 Olldashi ishte deputet i Qarkut Fier.
Ndërkohë në vitet 2005 – 2007, Sokol Olldashi ka qenë Ministër i Brendshëm, ndërsa nga viti 2007 deri në vitin 2013 ka qenë Ministër i Punëve Publike dhe Transportit.
Karrierën profesionale në media, Olldashi e nisi në Nëntor 1999 kur ka qenë Kryeredaktor në televizionin ATN1 deri në Qershor të viti 2001. Më pas Olldashi ka qenë zëvendëskryeredaktor për politikën në gazetën “Albania” në periudhën Tetor 1995 – Nëntor 1999. Gjatë periudhës Tetor 1994 – Janar 1996, Olldashi ka punuar si reporter pranë Agjencisë Telegrafike Shqiptare