U arrestua dhe u dënua për shpërndarje droge nga karabinierët e Senigallias Massimo Prota e Simone Ubertini, mbi prova të falsifikuara prej tyre. Tani Zulfi Sulejmani kërkon dëmshpërblim
Romë, 31 tetor 2012 – Zulfi Sulejmani u arrestua më 22 shkurt 2011 nga dy karabinierë, Massimo Prota e Simone Ubertini, dhe u dënua me burg për drogë. Por provat e dhëna nga karabinierët rezultuan të rreme, të sajuara prej tyre: më vonë u vërtetua që kanë qenë ata vetë, Prota e Ubertini që kishin fshehur 40 gr. kokainë në makinën e shqiptarit e më pas e arrestuan.
Sulejmani, që gjatë gjyqit është deklaruar gjithnjë i pafajshëm dhe ka hedhur poshtë të gjitha akuzat e karabinierëve të Senigallias, ka shtyrë hetuesit të vënë nën kontroll dy karabinierët. Nga hetimet doli që karabinierët ishin fajtorë e për këtë arsye në verën e vitit 2011 u arrestuan e tani janë në pritje të procesit.
Rezultatet e hetimeve janë konfirmuar deri më sot nga brigadieri i karabinierëve Luciano Olivieri, i arrestuar bashkë me dy të tjerët për përpilim procesverbalesh të rreme. Olivieri ka pranuar përpara gjykatësit se kishte rënë dakord me Protën e Ubertinin për të shkruar procesverbale të rreme edhe pse ishte i vetëdijshëm që provat në ngarkim tëtë kapurve, përfshirë edhe Sulejmanin, ishin të rreme. Ka pranuar gjithashtu që ishte e rreme edhe dëshmia e karabinierëve kundër shqiptarit në gjyq.
Tani, Zulfi Sulejmani, punëtor 43 vjeç, që për shkak të dëshmive të rreme të karabinierëve bëri dy muaj burg, kërkon të dëmshpërblehet me një milion euro.