Sot në orën 18:30, presidenti i zgjedhur, Bujar Nishani, do të betohet në Kuvend e më pas do të niset drejt Presidencës për të zëvendësuar presidentin në largim, Bamir Topi, të cilit falë një modifikimi të ceremonialit nga Këshilli i Ministrave, i është hequr edhe e drejta e përshëndetjes
Nga sot Shqipëria e pas komunizmit do të ketë presidentin e saj të gjashtë, Bujar Nishanin.
Ceremonia për kalimin e presidencës nga Bamir Topi tek Bujar Nishani, është ndryshuar pak ditë më parë nga Këshilli i Ministrave (flitet për datën 11 korrik edhe pse në faqen on line të Qeverisë nuk pasqyrohet), dhe ndryshimet duket se kanë për qëllim shmangien e në maksimum të presidentit Topi.
Ndërhyrjet kanë prekur vetëm tre pika të ceremonisë. Së pari është ndryshuar vendi ku do të zhvillohet: jo më në Pallat të Brigadave por në ‘institucionin e Presidentit të Republikës. Së dyti, nga ceremoniali zyrtar i Republikës së Shqipërisë është hequr paragrafi që parashikon fjalën e presidentit Topi që lë detyrën dhe çastin e dorëzimit të Kushtetutës. Falë këtyre ndryshimeve nuk do të kemi të njëjtën ceremoni si 5 vjet më parë, kur Alfred Moisiu i dorëzoi Kushtetutën pasardhësit Topi dhe mbajti fjalën e tij të fundit si kryetar shtetit. Këtë radhë në ceremoninë e organizuar në presidencë Bujar Nishanit do t’ia dorëzojë Kushtetutën kreu i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja.
Ceremonia do nisë në orën 18:30 me betimin e Nishanit në Kuvend. Pas betimit presidenti i ri Nishani do të mbajë një fjalim të shkurtër para deputetëve, trupës diplomatike dhe përfaqësuesve të besimeve fetare po në sallën e Kuvendit.
Më pas ai do të drejtohet në Presidencë. Fillimisht Nishani do të takojë Topi dhe më pas do të dalë përpara të ftuarve për të mbajtur një fjalim. Shefi i protokollit do të përcjellë tek makina Bamir Topin dhe ky do të largohet duke përshëndetur me dorë (nga makina) të ftuarit e tribunës A, ku do të jenë ulur edhe diplomatët.
Më pas presidenti i ri do realizojë fotot dhe ceremonia do mbyllet rreth orës 20:00.
Policia e Qarkut Tiranë ka marrë një sërë masash organizative në drejtim të sigurimit të rendit dhe qetësisë, përpara, gjatë dhe pas përfundimit të ceremonisë zyrtare për Presidentin e ri të Republikës, Bujar Nishani.
Duke filluar nga ora 06:00 deri në 22:00 të ditës së sotme, 24 korrik 2012, ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Ura e Lanës deri tek sheshi “Nënë Tereza”, përfshirë sheshin. Në të njëjtën kohë ndalohet parkimi i automjeteve në të dy krahët e rruges “Abdyl Frashëri”, duke filluar nga bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, deri tek kryqëzimi i rrugës “Ibrahim Rugova” (Libri Universitar). Ndërsa duke filluar nga ora 17:00 deri në 22:00 ndalohet edhe qarkullimi i automjeteve përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, duke filluar nga Hotel “Rogner” deri tek sheshi “Nënë Tereza”.
Në një intervistë dhënë Top Channelit, Presidenti Topi i pyetur nëse i vjen keq që i është hequr mundësia e një fjalimi lamtumire thotë: “Jam njeri pa komplekse, që do të thotë, gjërat që kanë në dorë të tjerët dhe protokollin e shtetit e ka Këshilli i Ministrave. Ata kanë vendosur ta bëjnë në këtë mënyrë dhe unë gjithmonë i përgjigjem rregullit dhe natyrisht do ta respektoj në këtë mënyrë, sepse respektoj zyrën e kreut të shtetit. Atë zyrë që kam respektuar gjithmonë para se të vij këtu. E kam respektuar gjatë pesë viteve dhe natyrisht do ta respektoj sa kohë të jem gjallë, në respekt të shtetit”.