Il Piccolo, 20 nëntor 1912
Dje në mëngjes mbërriti në qytetin tonë, me trenin direkt nga Vjena, kryetari i partisë së pavarur shqiptare Ismail Qemal bej-Vlora. Udhëtonin bashkë më të edhe 14 bujarë shqiptarë. Ai u prit në stacion nga kreu i ri shqiptar Mark Kakariqi, i njohur për studimet e tij mbi çështjen shqiptare dhe nga bujarët e kolonisë. Ismail Qemal beu qëndroi në Excelsior Palace Hotel për disa orë dhe u nis në orën 2 pasdite me vaporin “Brunn” për në Shqipëri. Një redaktor i yni, i prezantuar nga zoti Mark Kakariqi pati një bisedë të shkurtër me Ismail Qemalin.
Ai është një plak i hijshëm rreth të gjashtëdhjetave me vështrim të gjallë dhe zhbirues, me mjekër të bardhë të shkrifët, me pamje fisnike dhe të rëndë. Është njeri i kulturuar, që ka udhëtuar shumë dhe ka jetuar në kryeqytetet evropiane. Për shumë vite ka qenë guvernator i Tripolit. Me ardhjen në pushtet të Xhonturqve, risjelljen në fuqi të Kushtetutës së vitit 1877, Ismail Qemal beu u bë deputet i Vlorës.
– Do të qëndroj vetëm disa orë në Trieste, koha e mjaftueshme për të takuar ndonjë mik dhe për të ngrëne drekë. Më pas do të nisem.
– A mund t’ju pyes ku shkoni?
– Ja: vapori që do të marr, zakonisht nuk ndalon në portin ku kam qëllim të zbres, por u jam mirënjohës drejtuesve të Lloyd që kanë lejuar një ndalesë të jashtëzakonshme. Unë po shkoj në Durrës.
– Porti i lakmuar nga serbët…
– Nuk besoj se serbët do të arrijnë para meje. Në Durrës po më presin me ankth. Terreni është përgatitur me kujdes.
– Dhe çfarë do të ndodhë pas mbërritjes suaj?
– Një gjë fare e thjeshtë, por e dëshiruar me zjarr anëve tona: Shpallja e Pavarësisë së atdheut tonë. Duam t’i paraqesim Evropës faktin e kryer. Do të krijohet një qeveri e përkohshme dhe ndoshta do të jem unë në krye të saj.
– Po fiset e tjera, malësorët, mirditorët?
– Ju siguroj se për idenë e pavarësisë jemi të gjithë dakord, të gjithë të një mendimi. Jemi ne që kemi filluar luftën për çlirim kundër keqqeverisjes së Xhonturqve, duke pushtuar këtë verë Shkupin; jemi ne që u kemi bërë ballë luftërave të vazhdueshme, për vite me radhë, dhe është e drejtë që aspiratat tona të përqendrohen tek realiteti. Momenti nuk mund të ishte më i përshtatshëm. Qeverisja turke në Shqipëri nuk është veçse një hije e largët. Komunikimet me Stambollin janë ndërprerë. Çfarë tjetër? Në Shkodër janë shqiptarët që i bëjnë ballë heroikisht rrethimit.
– Çfarë mendoni për kundërshtimin e serbëve ndaj formulës: Shqipëria e shqiptarëve?
– I njoh idetë dhe kundërshtimet e atyre qarqeve drejtuese. E kanë gabim. Shqipëria është gati për rifitimin e saj civil. Ky do të bëhet një faktor i rëndësishëm edhe për zhvillimin e saj ekonomik. Kemi pasuri të pazbuluara, pyje, miniera të pashfrytëzuara. Dhe Trieste, që mbizotëron Adriatikun, do të jetë e para që do të ndieje përfitimin. Dhe përfitime të mëdha do të kenë të gjitha portet e Adriatikut.
– Më lejoni dhe një pyetje tjetër. Për udhëtimin tuaj në Vjenë dhe në Budapest çfarë mund të na thoni?
– Jam plotësisht i kënaqur. Atje janë tashmë të bindur që pavarësia e Shqipërisë është një zgjidhje e pashmangshme dhe, mbi të gjitha, e drejtë dhe në favor të thjeshtimit të strukturës së ardhshme të gadishullit ballkanik. Dhe të të njëjtit mendim janë të gjitha fuqitë Evropiane dhe veçanërisht Anglia.
Pasi morëm këto deklarata dhe informacione mbi të cilat lexuesit nuk do ti shpëtoje rëndësia, redaktori ynë u nda me Ismail Qemalin me përshtypjen se foli me një person të kthjellet, energjik dhe apostull të zjarrtë të kauzës së vet.
(Botuar fillimisht nga Shoqata e studenteve shqiptarë në Trieste – ASAT)
Il Piccolo 27.08.1912