Gazeta më prestigjioze ekonomike italiane ka botuar më 15 tetor, një shkrim mbi rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian dhe mbështetjen që vendi ynë ka nga anë e Italisë, mbështetje që u detyrohet edhe interesave ekonomike italiane
Shqipëria përpiqet për hapin e madh, hyrjen në BE. Italia e mbështet
nga Beda ROMANO
Shqipëria pritet të realizojë këtë javë një hap vendimtar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Ekzekutivi i komunitetit evropian pritet t’i rekomandojë të mërkurën, më 16 tetor, shteteve anëtare që t’i japin Shqipërisë statutin e vendit kandidat. Në rast se kjo ndodh, debati në Këshill do të jetë i nxehtë. Disa prej qeverisë i qëndrojnë ftohtë Shqipërisë; ndërsa Italia mbështet Tiranën në përpjekjet e saj.
“Parimisht – ka deklaruar në mesin e muajit shtator presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso. – Shqipëria mund ta marrë statutin e vendit kandidat.brenda fundit të këtij viti”. Deri tani, përpjekjet e vendit për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian janë refuzuar tri herë. Shkak i refuzimeve kanë qenë kryesisht problemet e paqëndrueshmërisë politike në vend. Sidoqoftë, gjatë viteve të fundit, qeveria shqiptare ka bërë shumë përpjekje për të respektuar kushtet e vëna nga Evropa.
Gjatë qershorit u zhvilluan zgjedhje të vështira parlamentare. Ndryshe nga herët e kaluara, klima politike ishte më i mirë. Kryeministri i larguar Sali Berisha, babai padron i politikës shqiptare për mëse 20 vite, pranoi humbjen dhe u tërhoq tri ditë pas votimeve. Ky vendim u konsiderua si pasqyra e një maturie politike në rritje e vendit. Qeveria e re e kryesuar nga ish-kryebashkiaku socialist i Tiranës, Edi Rama, 49 vjeç, në shtator mori votëbesimin në Kuvend.
Në vitin 2010, Komisioni Evropian kishte hartuar një listë me çështjet më urgjente që duheshin zgjidhur. Dy vjet më pas, Brukseli vuri theksin mbi pikat më të diskutueshme: rregullat e procedurës parlamentare, lufta kundër korrupsionit dhe organizimi i proceseve zgjedhore. “Këtë vit, mendoj që Komisioni do të rekomandojë dhënien e statusit të vendit-kandidat për Shqipërinë, pa vënë kushte të reja. Administrimi i periudhës para dhe pas zgjedhjeve ka bindur”, shpjegon një diplomat.
Nuk është e qartë nëse Komisioni do të rakomandojë hapjen e negociatave reale, kjo varet nga Këshilli, i cili mbi çështjen është i ndarë. Britania e Madhe përshpërit, duke vënë theksin tek dobësia e luftës kundër korrupsionit. Vende të tjera si Gjermania, Holanda, Finlanda dhe Danimarka, janë të pasigurta mbi aftësitë reale të vendit për të mbrojtur rezultatet e arritura. Ndërsa Italia sheh me sy të mirë zgjerimin evropian në Ballkan, gjë që u detyrohet edhe interesave ekonomike italiane.
Sipas të dhënave të ambasadës italiane në Tiranë, në Shqipëri janë të pranishme mbi 400 kompani italiane dhe ”joint-venture” italo-shqiptare. Investimet italiane janë të përqendruara në sektorin e ndërtimit (35%), tekstil (21%), tregti (16%), dhe në industrinë agro-ushqimore (8%). Afërsia me Italinë ka ndikuar që në Shqipëri të hedhin rrënjë edhe ndërmarrje italiane të vogla e të mesme.