Është i pari që mbulon të treja postet më të larta të shtetit shqiptar. Në fjalimin e tij menjëherë pas votimit, apel politikanëve: “Të bëjmë gjithçka për stabilitetin e vendit dhe ligjitimitetin e institucioneve”
Tiranë, 28 prill 2017 – Meta u zgjodh sot President i Republikës së Shqipërisë me 87 vota pro dhe 2 kundër, kur për zgjedhjen e kreut të shtetit në këtë raund të katërt mjaftonin vetëm 71 vota pro.
Kuvendi i Shqipërisë, i mbledhur në një seancë të jashtëzakonshme pasditen e kësaj të premteje, ka votuar për kandidaturën e Ilir Metës si presidentit të ri të Republikës. Gjithsej kanë votuar 89 deputetë, nga të cilët kanë votuar kundër vetëm Arben Blushi dhe Mimoza Hafizi. Ashtu si edhe dy presidentët që e kanë paraprirë, Topi dhe Nishani, edhe Meta u zgjodh pa praninë e opozitës në Kuvend. E përveç parlamentarëve të opozitës, në sallë mungonin edhe tre të mazhorancës, Kadeli i LSI-së, që është jashtë vendit për kurim, dhe Tom Doshi e Eduart Ndocaj që për shkak të mosmarrëvëshjeve me Metën kanë zgjedhur të mos marrin fare pjesë në seancë.
Ilir Meta do të mbajë postin e Presidentit të Republikës për periudhën 2017-2022. Ai do të marrë zyrtarisht detyrën më 24 korrik 2017, duke u bërë politikani i parë shqiptar që ka mbuluar të trija postet më ta larta të shtetit: atë të kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit dhe presidentin e Republikës.
“Çdo politikan është gjithmonë midis dy raporteve: pushtetit dhe demokracisë. – u shpreh Meta në Kuvend në fjalimin e tij të parë si President i sapozgjedhur – Unë kam zgjedhur dhe do të zgjedh gjithmonë demokracinë në raport me pushtetin, sepse pushtet ka edhe në vendet jodemokratike. Ëndrra ime ka qënë për tu bërë pedagog pasi në vitin’ 88 ishte e vështirë të ëndërroje të bëheshe deputet, kryeministër, kryetar parlamenti apo edhe aq më tepër që të zgjidhesh President. Dhe unë kam patur këtë mundësi vetëm falë demokracisë dhe mundësi që ajo u ka dhënë shqiptarëve për të gëzuar liritë e tyre, dhe për ti dhënë vendi mundësinë për të qënë vend anëtar i NATO-s, kandidat për BE, që ka mundësi të çelë negociatat së afërmi, nëse ne do arrijmë të bëjmë çdo sakrificë për standardet, që të forcojmë legjitimitetin e të gjitha institucioneve tona, me qëllim që të krijojmë të gjitha shanset për një vend më frymëzues për të gjithë të rinjtë”.
Në këtë kontekst, Meta ftoi të gjithë të mbrojnë standardet e demokracisë dhe t’i çojnë ato më tej, duke realizuar zgjedhje të standardeve më të larta e gjithëpërfshirëse, të cilat theksoi ai, forcojnë legjitimitetin e institucioneve dhe krijojnë shanse për një atdhe më frymëzues për të gjithë të rinjtë.
“Do të bëj çdo gjë, me të gjitha cilësitë e mia, për të justifikuar këtë besim që ju më dhatë sot, jo vetëm para jush por edhe qytetarëve, Kushtetutës, interesave më të rëndësishme që kanë të bëjnë me stabilitetin, sigurinë kombëtare dhe të ardhmen europiane të vendit dhe do t’u lutesha të gjithëve që të përpiqemi në këto orë e ditë që t’i japim jo gjithë partive, por gjithë qytetarëve mundësinë që të kontribuojë në zgjedhjet që vendi meriton”, ka thënë Meta.
Meta tha se u bë gjithçka ishte e mundur për tu arritur një konsensus pavarësisht se kjo mazhorancë i kishte votat. “Megjithatë ka disa afate dhe në demokraci duhet të japim, të investojmë për të përmirësuar klimën, rritur mirëbesimin e zhvilluar demokracinë”, u shpreh Meta, duke shtuar se gjithsesi ende ka kohë për të krijuar një atmosferë krejtësisht tjetër për zgjedhjet e ardhshme.
“Do ju lutesha të gjithëve të përpiqemi në këtë orë, në këto ditë tu japim jo vetëm partive por edhe qytetarë që të kontribuojnë në zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike që vendi meriton”, apeloi Meta.
Ilir Meta u bëri thirrje forcave politike të bashkohen për të garantuar stabilitetin e vendit dhe legjitimitetin e institucioneve.
“Dje ne kemi parë ngjarjet tronditëse në Kuvendin e Maqedonisë të cilat janë pasojë e një konflikti dhe kokëfortësie politike të papranueshme. Ndaj unë edhe një herë tjetër dua të apeloj të gjithëve të bëjmë çdo gjë për stabilitetin e vendit e legjitimitetin e institucioneve tona në mënyrë që të mos sakrifikojmë të gjithë arritjet që vendi ka njohur deri tani si dhe të ardhmen europiane”, deklaroi Meta.