Jam shqiptar, kam ardhur në Itali pa vizë e qëndroj këtu prej më shumë se tre muaj. Im vëlla sapo ka marrë shtetësinë italiane. A mund të marr ndonjë dokument qëndrimi?
Qytetarët e huaj që bashkëjetojnë me familjarët e tyre (deri në gradën e dytë) me shtetësi italiane nuk mund të dëbohen nga Italia dhe kanë të drejtë që Kuestura t’u japë dokument qëndrimi për motive familjare. Është mirë të kujtohet që në kategorinë “me lidhje familjare deri në gradë të dytë” bëjnë pjesë bijtë, prindërit, gjyshërit, nipat/mbesat (bijtë e bijve, e jo bijtë e vëllait/motrës), vëllezërit/motrat.
Praktikisht Kuestura lëshon një dokument qëndrimi për të huajin familjar të italianit vetëm nëse plotësohen dy kushte:
- I huaji i parregullt të jetë i afërm deri në shkallë të dytë me shtetasin itaian;
- Të jetojë me të në të njëjtën banesë. Nëse nuk ka bashkëjetesë, Kuestura mund të refuzojë lëshimin e lejes së qëndrimit.
Vetëm nëse i huaji i parregullt përbën një kërcënim konkret për rendin publik dhe sigurinë e vendit, atij do t’i refuzohet dokumenti i qëndrimit edhe në prani të dy kushteve të sipërpërmendura.
Si kërkohet leja e qëndrimit?
Për të kërkuar lejen e qëndrimit për motive familjare, i huaji duhet të paraqitet personalisht në Kuesturë (që ka kompetencë ekskluzive) me dokumentet që dëshmojnë lidhjen e gjakut. Vetëm certifikatat e lëshuara në vendlindje janë të vlefshme për Kuesturën që nuk pranon certifikata të lëshuara nga përfaqësia konsullore në Itali. Të gjitha dokumentet që dëshmojnë lidhjen familjare duhet të jenë të përkthyera dhe të legalizuara nga përfaqësia italiane në Shqipëri.
Do të nevojitet edhe “deklarata e marrjes në ngarkim” e të afërmit italian i cili deklaron, pikërisht që merr në ngarkim të gjitha shpenzimet e disponon një strehim edhe për të afërmin e huaj.
Kujdes! Në rastin e familjarëve të shtetasve italianë, kërkesa e lejes së qëndrimit nuk mund të paraqitet me kompletin postar të formularëve.
Dokumenti i qëndrimit që lëshon Kuestura në këto raste është lejeqëndrim për motive familjare që i njeh mbajtësit të drejta të plota, përfshirë shërbimin shëndetësor dhe mundësinë e punësimit.
Avv. Mascia Salvatore
Stranieriinitalia.it/Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)