Para krizës, dukej sikur po e linim pak mënjanë qasjen ekonomiciste e utilitariste, që po mbizotëronte në kohë. Citohej shpesh Max Frisch, me fjalinë e famshme: “Prisnim krahë pune, erdhën njerëz”, e u fillua të flitej për ide, vlera, besime, praktika, sjellje, dhe kapitali social i të cilit bëhen bartës migrantët. Por kriza çoi pashmangshmërisht në ripropozimin e argumenteve ekonomike që mbështesin rëndësinë e imigracionit
Nga Rando Devole *
Atyre që studiojnë, përshkruajnë, shpjegojnë e tregojnë dukurinë migratore, herët a vonë do t’u vijë ndër mend një personazh i mitologjisë greke, i famshëm për mundimin çnjerëzor e për këtë arsye i futur në histori e në gjuhë.
Sipas mitit, Sizifi u dënua nga Perënditë që të shtynte një shkëmb të rëndë deri në majën e një mali, por sapo mbërrinte në krye binte sërish poshtë, duke e detyruar ta rifillonte nga e para. E kështu në përjetësi, duke transportuar një gur që rrokullisej vazhdimisht. Ndëshkimi i Sizifit, siç dihet, do të bëhet në shekuj simboli i çdo përpjekjeje të padobishme, që e bëhet e kotë sapo realizohet[i].
Disa aspekte të diskursit për imigracionin duket se na çojnë në këtë imazh. Sapo mendojmë se kemi arritur diçka në shpjegimin e imigracionit e të dinamikave të tij, sapo besojmë se kemi vënë një pikë të palëvizshme, sapo opinioni publik duket i pjekur për një hop cilësor, ligjërimi rikthehet në pikënisje, pra shkëmbi bie në rrëzë të malit. E kështu fillojmë sërish nga e para, me mundim të madh.
Pa e bezdisur historinë e njerëzimit e të Italisë në veçanti, e shënuar gjithnjë nga lëvizjet e popullsive, duhet të kujtojmë se dukuria migratore, edhe ajo masive, nuk është fenomen i ri; kjo është aq e vërtetë sa në fillim të viteve 1990, kur në portet puljeze arritën anijet e shqiptarëve (i ashtuquajturi eksod) pas dhjetëvjeçarëve të totalitarizmit autarkik, Italia u zgjua e çuditur dhe e papërgatitur njëkohësisht. Megjithatë, ishte sinjal i qartë se, së bashku me migrantët, një epokë tjetër po trokiste në derë.
Studiuesit e opinionistët thanë se Italia ishte transformuar nga vend emigracioni në vend imigracioni. Në atë kohë Italia nuk ishte e përgatitur të përballonte eksode masive e ndoshta as që e kishte kuptuar se ishte bërë ndërkohë vendmbërritje emigrantësh; sipas gjasës në imagjinarin e saj kolektiv e shihte ende veten si një vend nga ku anijet nisen e nuk ankorohen. Në 25 vitet e fundit kanë ndryshuar shumë gjëra, përfshirë transformimin e supozuar të Italisë nga vend emigrantësh në vend imigrantësh, meqë italianët vazhdojnë të emigrojnë edhe sot drejt vendeve të tjera.
Çdo vit, kërkime shkencore e studime na kujtojnë pa ndërprerje se jemi përballë një dukurie epokale dhe se globalizimi karakterizohet edhe nga lëvizshmëria e personave. Sipas “Dossier Statistico Immigrazione”, në vitin 2014, migrantët në botë (232 milionë më 2013 sipas OKB-së) kanë arritur të prekin 240 milionët, me një përqindje më të lartë se 3% të popullsisë botërore. Pra bëhet fjalë për një dukuri globale me përmasa të mëdha, megjithatë ka nga ata që e shikojnë migracionin si event të jashtëzakonshëm e të përkohshëm, duke e përshoqëruar me një logjikë emergjence me karakter lokal. Është kjo logjikë emergjence që na e mjegullon shikimin e nuk na bën t’i dallojmë aspektet strukturore nga ato konjukturale, duke e bllokuar projektimin largpamës e duke krijuar kushtet për instrumentalizime e polemika të vazhdueshme.
Bëhemi me dije prej kohësh se një dukuri me përmasa gjigante nuk mund të shoqërohet lehtë me receta mejhanesh provinciale. Megjithatë, recetat prej kuzhine me nivel të ulët, të servirura për konsum politik të brendshëm, jepen me shumicë, veçanërisht në emisione televizive, duke e çuar ligjërimin në pikënisje. Por nëse është e vërtetë se kemi të bëjmë me një dukuri epokale e globale, atëherë edhe zgjidhjet duhet të gjenden në atë nivel, duke eliminuar shkaqet që nxisin migrimet: uria, konfliktet, varfëria, luftërat civile, pabarazitë, terrorizmi… E më pas t’i jepet hov politikës me të gjithë aktorët ndërkombëtarë për zhvillimin e kontinenteve në vështirësi. Flukset migratore mund të krahasohen me flukset e ujit, në qoftë se nuk administrohen mirë shkaktojnë një sërë problemesh, por nëse kanalizohen mirë përbëjnë një pasuri të madhe, duke sjellë begati, energji e jetë të re.
Rreken ta shtyjnë shkëmbin e ligjërimit publik për imigracionin nëpërmjet forcës së numrave. Prej sa kohësh demografët na ilustrojnë grafikë e statistika, që tregojnë rënien problematike të popullsisë europiane e italiane? Dossier nënvizon se “një e katërta e popullsisë europiane është prej kohësh më shumë se 60 vjeçare, në vitin 2050 numri i vdekjeve do të jetë më i madh se i lindjeve me shifrën 32 milionë, si rrjedhim vetëm imigracioni mund të luajë një rol ekuilibrues të bilancit të popullsisë”. Kontributi i qytetarëve të huaj është i rëndësishëm edhe për kompensimin e rënies demografike të Italisë, që del pa vështirësi nga diferenca midis lindjeve e vdekjeve gjatë vitit e nga diferenca midis regjistrimeve nga/drejt komunave të tjera e nga/drejt jashtë shtetit; saldo pozitive për qytetarët e huaj dhe negative për rezidentët italianë. Përballë shpopullimit të shumë fshatrave e qytezave, përballë krizës së lindjeve e plakjes së shoqërisë, shumë studiues shikojnë tek imigracioni një rrugëdalje. Pavarësisht nga kjo, mbijeton ende sindroma e pushtimit dhe perceptimi se imigrantët janë shumë, tepër, gjithsesi më shumë seç duhet.
Para krizës, dukej sikur po e linim pak mënjanë qasjen ekonomiciste e utilitariste, që po mbizotëronte në kohë.
Citohej shpesh Max Frisch, me fjalinë e famshme: “Prisnim krahë pune, erdhën njerëz”, e u fillua të flitej jo më për paratë e dërguara familjeve, por edhe për dërgesa sociale, me fjalë të tjera, ide, vlera, besime, praktika, sjellje, dhe kapitali social i të cilit bëhen bartës migrantët. Kriza çoi pashmangshmërisht në ripropozimin e argumenteve ekonomike që mbështesin rëndësinë e imigracionit. Pra është e nevojshme të kujtohet, siç bën Dossier, se më 2013 kontributi ndaj PBB (GDP) kombëtar, i realizuar nga të punësuarit e huaj, ka qenë 123,1 miliardë euro (8,8% e totalit).
Përveç kësaj, imigrantët janë kontribuues të pastër të sistemit të sigurimeve shoqërore për arsye se, ngaqë nuk arrijnë të gjithë ta plotësojnë të drejtën për pension, kanë lënë në arkat e sigurimeve shoqërore – sipas vlerësimeve të Inps italian – më shumë se 3 miliardë euro, nga të cilat nuk do të përfitojnë kurrë. Për të mos folur për saldon pozitive prej 3,1 miliardësh, sipas vlerësimit të shkruar në Dossier, midis hyrjeve fiskale e kontributeve të punës, që lidhen me punonjësit imigrantë dhe totalin e daljeve që shpenzohen për ta. Me siguri është e domosdoshme të shpjegohet, për kushedi të satën herë, rëndësia ekonomike e imigrantëve por, a është normale të rifillojmë me të përpjetën e zakonshme argumentuese pas gjithë këtyre viteve?
Që imigracioni është faktor strukturor, pra pjesë përbërëse e sistemit Itali, në shoqëri, ekonomi, kulturë e në përditshmëri, nuk ka pikë dyshimi. Për të pasur një ide mjafton të lexojmë të dhënat e pranisë së tyre, sikurse është e mjaftueshme të hipësh në automjetet publike në mëngjes, kur nuk i gjejmë në shtëpinë tonë si ndihmës e badante. Numri i rezidentëve të huaj i ka kaluar 5 milionët. Vihet re një tendencë e fortë e ngulimit të qëndrueshëm, mbi të gjitha tek jo komunitarët, më shumë se gjysma e të cilëve kanë marrë lejeqëndrim afatgjatë. Tregues i qartë i një tendence të stabilizimit e të integrimit.
Rimarrja e konceptit të imigracionit si “pasqyrë” bëhet e detyrueshme, sidomos kur lexohet se Italia ka pak a shumë të njëjtin numër të imigrantëve dhe të qytetarëve italianë jashtë shtetit. Një situatë simetrike interesante e kuptimplotë. Globalizimi, mediat, interneti e rrjetet sociale, kanë vënë edhe më shumë në pah karakteristikat e migracionit si “fakt social total”, ku ndërthuret e pasqyrohet gjithçka. Në fakt, imigracioni është tregues i problemeve tona, jo shkaku i tyre. Migracionet tregojnë veten, por edhe të tjerët. Rrëfejnë për vendet e nisjes, gjendjen e tyre, por edhe për vendet e pritjes.
E së fundi na interpelojnë. Papa Françesku e thotë qartë:
“Në epokën tonë, flukset migratore janë në rritje të vazhdueshme në çdo rajon të planetit: refugjatë e persona në ikje nga atdheu i tyre interpelojnë individët dhe komunitetet, duke e sfiduar mënyrën tradicionale të jetesës e, ndonjëherë, duke e tronditur horizontin kulturor e social me të cilin ballafaqohen. Gjithnjë e më shpesh viktimat e dhunës e të varfërisë, duke braktisur vendlindjet, pësojnë poshtërimin e trafikantëve të njerëzve në udhëtim drejt të panjohurës, drejt ëndrrës për një të ardhme më të mirë. Në rast se, më pas, u mbijetojnë abuzimeve e vështirësive, duhet t’i bëjnë llogaritë me realitete ku fshihen dyshime e frika. Jo rrallë, në fund, takojnë mangësi të ligjeve të qarta e të realizueshme, që ta disiplinojnë pritjen e të parashikojnë rrugëtime integrimi afatshkurtra e afatgjata, duke u kushtuar vëmendje të drejtave e detyrave të të gjithëve”.
Megjithatë, migrantët duken shpesh të largët, pa asnjë lidhje me përditshmërinë tonë, e problemet e tyre sikur nuk na prekin nga afër. E këtu shkëmbi për t’u bartur bëhet më i rëndë.
Zbarkimet nga Mesdheu vunë në provë të vështirë Italinë e të gjithë Europën. Një lloj stress test-i për të kontrolluar rezistencën e sistemit organizativ, por edhe të vlerave sociale.
Tragjeditë që shoqëruan valët migruese drejt Europës (të vdekur në det, stiva, trena, kamionë), që arritën kulmin me vdekjen e vogëlushit Alan, shkundën ndërgjegjet e të gjithë qytetarëve dhe zgjuan nga letargjia e individualizmit shumë shtete europiane. Italia bëri shumë me operacionin Mare Nostrum, duke treguar se është vend bujar, solidar e pritës, duke marrë nga historia e nga traditat e saj. Por problemi ka të bëjë me të gjithë Europën e të gjithë botën e zhvilluar. Europa e Mureve nuk ka të ardhme, sepse muret mbyllin, ata që janë jashtë (në kërkim të një jete më të mirë), por edhe ata që mbeten brenda (me iluzionin e një mirëqenieje të pafund). Mjerisht, anojmë ta rimovojmë edhe historinë e vonë, të bërë me mure, tela me gjemba e burgje.
Për fat të keq, janë më të rrezikshme muret e padukshme, të ndërtuara me indiferencë, paragjykime e egoizma, se sa muret legjislative e fizike, që të paktën mund të individuohen e si rrjedhim të shkatërrohen. Në Europë e në Itali lipset më shumë solidaritet, një fjalë që tregon lidhje ndihme të ndërsjellë, kur je në nevojë, lidhje që bashkon mes tyre njerëz të ndryshëm, por që evokon etimologjikisht soliditetin. Vlera e solidaritetit është e rëndësishme për bashkësinë europiane, si themelet e një ndërtese. Dukej sikur Bashkimi Europian ishte ndërtuar një herë e përgjithmonë, derisa nuk pamë plasaritjet e Europës burokratike e financiare, me të gjitha limitet e saj. E solidariteti mësohet, praktikohet, zbatohet: çka vlen edhe për imigrantët e brezave të ndryshëm, të cilët nuk janë imunë nga egoizmi, kur shohin vëllezër të tjerë që vijnë përtej detit.
Të dhënat e shtetësisë na thonë se në vitin 2014 ishin 129.887 të huaj, që morën shtetësinë italiane (+29,0% kundrejt 2013, një vit që kishte regjistruar një rritje shumë të fortë në krahasim me vitin e mëparshëm). Siç e dimë, është miratuar pak kohë më parë, nga Dhoma e deputetëve, ligji i ri për shtetësinë për të miturit, bij të të huajve. Ishte një moment historik i rëndësishëm që u njohu shumë personave dinjitetin e të drejtën që të bëjnë pjesë plotësisht në komunitetin e vet. Por ndoshta duhet ta shpjegojmë sërish rëndësinë e pjesëmarrjes e të përkatësisë. Gjithsesi, duhet të ecim përpara, me kurajë, përtej ideologjive, për ta çuar deri në fund vendimin, që favorizon kohezionin social e integrimin dhe, në të njëjtën kohë, lufton racizmin e diskriminimin.
Migracioni mishëron në mënyrë të përkryer epokën postmoderne, përbën vendin e saj të preferuar për t’u shprehur, e në të njëjtën kohë përfaqëson një pikë nevralgjike. Tek imigracioni ndërpriten lëvizjet me identitetet, e kaluara me të ardhmen, frikat me ëndrrat, pasiguria me besimin. Pra tek imigrantët duhet të shihnim shumë përmasa, vendlindjen, vendmbërritjen, emigrantët italianë, rrjetet njerëzore, veprimet e zhvillimit, e deri strategjitë gjeopolitike, sepse imigracioni është edhe një faktor i politikës së jashtme. Por është rraskapitëse t’ia shpjegosh shoqërisë së lëngshme, që jeton përherë në diktaturën e së tashmes. Duhen ura e jo mure. Por duhet të shtojmë se migrantët vetë përbëjnë një urë njerëzore, që në fillim duket e padukshme, por pas pak kohe merr trajtë qartësisht. Është përnjëmend një shoqëri e çuditshme, me një arkitekturë sociale absurde, ajo që u vë mure ndarëse, atyre që përfaqësojnë urat lidhëse.
Më shumë se një e dhjeta e totalit të punësuarve (10,3%), me përqindje punësimi sërish në rritje të lehtë, janë punonjës të huaj. Pavarësisht nga kjo, kriza i ka penalizuar rëndë, duke treguar se janë pjesa e dobët e shoqërisë. Puna e imigrantëve është një pasuri e domosdoshme për Italinë. Kanë bërë edhe filma për këtë temë, e megjithatë duhet të fillohet sërish nga fjalia e paperëndueshme: “Na vjedhin punën”. Punonjësit e huaj kanë probleme komplekse: puna e zezë, gri, e nënpaguar, eluzioni kontributiv, burokracia, banimi, transporti, gjuha, formimi, siguria në punë, diskriminimi, etj. Pastaj është edhe shfrytëzimi dhe kaporalati.
Nuk kalon vit pa folur për kaporalatin; plagë e vjetër, viktima të së cilës janë edhe punonjësit imigrantë. Për t’i mposhtur format e shumta të shfrytëzimit e të ndërmjetësimit ilegal të fuqisë punëtore, duhet të rritet aktiviteti i inspektimit e i kontrollit, gjithashtu duhet të zgjerohen përgjegjësitë penale, duke parashikuar edhe konfiskimin e të mirave materiale e pasurive të fituara mbi shkeljen e të drejtave të punëtorëve. Rrjeti i punës bujqësore dhe Kabina e regjisë pranë Inps janë nisma pozitive. Por represioni si masë e vetme nuk mjafton, nevojitet parandalimi, mbrojtja e territorit dhe shpërblimi i ndërmarrjeve virtuoze, promovimi i modeleve pjesëmarrëse në marrëdhëniet industriale që ta ndihmojnë kulturën imprenditoriale dhe cilësinë e punës. Duhet një aleancë e përgjegjshme midis institucioneve, qeverisë e palëve sociale. Për punonjësit e shumtë imigrantë që punojnë në sektorin agroushqimor sindikata është angazhuar seriozisht, por nevojitet edhe më shumë mbrojtje. Bujqësia italiane, me 327.495 punonjësit e lindur jashtë shtetit që rezultojnë për vitin 2014 – aktorë të padiskutueshëm të Made in Italy agroushqimore, për të cilën jemi krenarë të gjithë -, tregon se nuk mund të ecë përpara pa kontributin e tyre, por edhe se mund të bëhet vendi i pritjes, i mundësive dhe i integrimit.
Për ta ngritur shkëmbin e diskursit “imigracion” ndihmon shumë përvoja jetësore njerëzore, vendi i punës, fqinjësia, përditshmëria. Në kundërshtim total ne një farë përfaqësimi mediatik e politik. Në jetën e përditshme ndërtohet nga poshtë qytetaria e re, kapërcehen frika e diskriminimet, krijohen kushtet kulturore për t’i vlerësuar diversitetet, për të favorizuar takimin midis identiteteve, për të respektuar dinjitetin e personave migrantë. Ja pra, të rinisemi nga bonsensi i përvojës për të bllokuar populizmat, demagogjitë, ideologjitë. Të shikojmë realitetin jo talk show, t’u referohemi fakteve të vërteta jo komenteve në rrjetet sociale. Nëpërmjet kontaktit njerëzor e dialogut, imigrantët na mësojnë çka ishim dje: thjeshtësinë, lidhjet familjare, dashurinë për të moshuarit, përulësinë, vlerën e jetës. Por, natyrisht, mësohemi në mënyrë të ndërsjellë. Duke filluar nga besimi se një ditë më e mirë na pret.
Duke rimarrë mitin e përmendur në fillim, së bashku me shëmbëllesën me përpjekjet tona për migracionet, duhet thënë se Sizifi, po të lexojmë Albert Kamy, nuk është aspak i dëshpëruar: “Në çdo çast […], ai është superior ndaj fatit të vet. Është më i fortë se shkëmbi i vet. […] Edhe mundimi drejt majës mjafton t’ia mbushë zemrën njeriut. Duhet ta përfytyrojmë Sizifin e lumtur”, pohon shkrimtari francez.
Por nëse është e vërtetë, siç thotë Kamy, që “mitet janë të ndërtuara në mënyrë të tillë që imagjinata t’u japë jetë”, atëherë le të më lejohet ta imagjinoj personazhin mitologjik, në majë të malit, që për një çast, për një centimetër, për një frymë, arrin ta ngrejë më në fund shkëmbin e stërmadh. Por nuk e imagjinoj vetëm, por së bashku me persona të tjerë, me ngjyrë e origjinë të ndryshme. Sepse së bashku është më e lehtë të përballohen vështirësitë e të ndërtohet një e ardhme më e mirë.
Ky shkrim riprodhon, me ndryshime të pjesshme, relacionin e mbajtur nga autori gjatë prezantimit të Dossier Statistico Immigrazione 2015 (Romë, 29 tetor 2015). Është botuar më parë në blogun Peizazhe të Fjalës
Lexo edhe: Imigracioni në Itali më 2014. Pikat kryesore