in

Imigracioni në programet elektorale

Çfarë është shkruar në programet elektorale të forcave politike? Nuk është e thënë që këto të realizohen, por të paktën nuk i merr menjëherë era si fjalët “e bukura” që u kanë thënë zgjedhësve gjatë këtyre javëve të fushatës

Më 4 mars dhjetëra mijëra shqiptarë të Italisë kanë të drejtën t’u drejtohen qendrave të votimit e të zgjedhin ata që do të ulen në parlamentin italian në legjislaturën e ardhshme. Nga këta, e të tjerë akoma që të drejtën e votës nuk e kanë, akoma nuk e kanë harruar shpresën me të cilën u ushqyen për dy vjet e ca, e, më pas, fundosjen që iu bë në Senat reformës së shtetësisë për brezat e dytë, sipas së cilës do të kishin shtetësinë italiane bijtë e lindur apo të ardhur këtu në moshë të vogël të të huajve emigrantë prej disa viteve në Itali pas përfundimit të një cikli shkollor. E miratuar në Dhomë të deputetëve që në tetor 2015, në Senat mbeti për ditët e fundit të legjislaturës dhe u mbyll në mënyrën më të shëmtuar të mundshme: nuk u arrit as numri minimal i senatorëve, i nevojshëm për diskutimin e projektligjeve. Kështu u zhgënjyen me qindra mijëra bij imigrantësh që rriten e shkollohen përditë me bijtë e italianëve, por që nuk kanë të gjitha të drejtat e tyre.

E ç’premtojnë tani partitë e koalicionet? Kemi dëgjuar për javë me radhë se ç’u bërtasin shesheve të mbushura me militantë e simpatizantë forcat e ndryshme politike, ndonjë duke strumentalizuar ngjarje kronike të zezë apo mbërritje azilkërkuesish, duke reduktuar temën e imigracionit vetëm në mbyllje kufijsh e përzënie klandestinësh (e kush jeton, punon, paguan taksat në Itali, ngre familje e rrit fëmij këtu? Këta as që zihen në gojë), ndonjë duke premtuar ligje e reforma (pro apo kundër imigrantëve) që nuk i bëri apo nuk u shkoi deri në fund gjatë legjislaturava të shkuara, të tjerë duke shprehur me fjalë ëndrrën e një Italie ku të huajt të gëzojnë shumë më tepër drejta nga ç’kanë sot etj.

Por çfarë është shkruar në programet e forcave politike? Nuk është e thënë që këto të realizohen, por të paktën nuk i merr menjëherë era si fjalët “e bukura” elektoratit.

Ja çfarë lexon mbi temën e imigracionit në programet e botuara nga ministria e Punëve të brendshme:

Liberi e Uguali

Shfuqizim i ligjit Bossi-Fini

Shtetësi italiane për ata që kanë lindur në Itali nga prindër të huaj, ose kanë ardhur në Itali që fëmijë dhe kanë përfunduar këtu të paktën një cikël shkollimi

Krijimi i një sistemi të vetëm evropian azili

 Adoptim i modelit të pritjes së Sprar-eve

Mohim i luftës dhe rinisje e kooperimit ndërkombëtar

Refuzim i marrëveshjeve me vendet ku të drejtat e njeriut nuk garantohen

Promovim i mundësive reale për zhvillim në vendet e origjinës dhe të mos lejohet që të vazhdojnë t’i plaçkisin ato.

Partito Democratico

E drejtë e shtetësisë për të miturit e të rriturit në Itali (Ius Soli)

Kapërcim i ligjit Bossi-Fini

Investime në Afrikë

Jo marrëveshjes së Dublinit 2013 (apo më mirë, jo menaxhimit të azilkërkuesve nga vetëm shtetet evropiane ku këta mbërrijnë)

Kush nuk ndihmon Shtetet e tjera të BE-së në menaxhimin e imigracionit, duhet të heqë dorë nga ndihma ekonomike italiane në Buxhet.

+EUROPA

Kapërcim i ligjit Bossi-Fini kundër imigracionit klandestin

Leje qëndrimi të përkohshme për kërkim pune

Përmirësim i Sistemit të mbrojtjes për azilkërkuesit dhe refugjatët (Sprar)

Rivendosja dhe krijimi i korridoreve huanitare

Modifikim i traktatit të Dublinit.

Insieme

Ata që jetojnë në Itali duhet të respektojnë ligjet dhe vlerat e Kushtetutës

Integrim kulturor i imigrantëve dhe Ius Soli

Kapërcim i ligjit Bossi-Fini, përshpejtim të identifikimit të imigrantëve dhe vlerësimin e të kërkesave për azil

Koordinim me BE-në për politikat e shpëtimit humanitar dhe të menaxhimit të zbarkimeve

Përforcim i korridoreve humanitare dhe hyrjes në mënyrë të ligjshme, rishikim të marrëveshjes së Dublinit.

Civica Popolare

Imigracioni si një potencial rritjeje

Ius Culturae (marrje e shtetësisë italiane pas një rrugëtimi formues)

Reformim i ligjit të shtetësisë (me përfundimin e procesit të integrimit dhe përvetësimin e parimeve kushtetuese)

Rivendosje e një sistemi të rregullt të flukseve të hyrjes

Mbështetje e përvojës së korridoreve humanitare

Integrim i azilkërkuesve (kurse gjuhe dhe futje në tregun e punës).

Qendra e djathtë (Forza Italia, Lega, Fratelli d’Italia e Noi con l’ Italia)

Rivendosje e kontrollit të kufijve

Bllokim i zbarkimeve dhe kthime mbrapsht të asistuara

Lidhje e traktateve dhe marrëveshjeve me vendet e origjinës së migrantëve ekonomikë

Plan Marshall për Afrikën

Riatdhesim i të gjithë emigrantëve të paligjshëm.

Movimento V Stelle

Rrugë të ligjshme dhe të sigurta hyrjeje në Evropë

Shpërndarje e azilkërkuesve ndër të gjitha shtetet anëtare të BE-së

Rishikim i rregullave të Dublinit

Siguri dhe shpejtësi në procedurat për njohjen e statusit të refugjatit

Bashkëpunim ndërkombëtar që të ketë për qëllim lidhjen e marrëveshjeve për riatdhesim

10 mijë rekrutime të reja në komisionet territoriale për të vlerësuar nëse një migrant ka të drejtën të qëndrojë në Itali apo jo.

 

 

Una giovane albanese candidata alle regionali lombarde

Il nostro futuro in Italia? Alimadhi: “Diventare fattore economico, culturale e, di conseguenza, politico”