Konfirmohet për një tjetër vit shtyrja e vetëcertifikimeve për lejeqëndrimet dhe praktika të tjera imigracioni. Arsyeja? “Ministritë nuk bashkëbisedojnë”
Romë, 26 shkurt 2016 – Parlamenti e konfirmon. Edhe këtë vit imigrantëve do t’u duhet të kalojnë orë në radhë për të kërkuar “copa letrash”. Mbetet akoma e pamundur për ta që të paraqesin vetëcertifikimet: administrata publike nuk është akoma e aftë t’i verifikojë.
E megjithatë, nga viti 2012 është në fuqi një ligj u ndalon zyrave publike të kërkojnë apo të lëshojnë që duhet të përdoren nga zyra të tjera të administratës shtetërore. U hapet kështu rruga vetëcertifikimeve, pasi administrate publike mund të verifikojë vetë nëse informacionet e deklaruara janë të vërteta apo jo. Për shembull: Asl do të dijë ku je rezident? Mund të paraqesësh vetëdeklarim (dichiarazione sostitutiva), nëse Asl dëshiron të kontrollojë ato që pohon ti, mund të lidhet vetë me zyrën e Gjendjes Civile. Por ligji bën një përjashtim: vetëcertifikimet nuk vlejnë për “dispozitat speciale që përmbajnë ligjet e rregulloret që kanë të bëjnë me imigracionin dhe të qenin i huaj”.
Ndaj për të huajt certifikata origjinale mbeten të domosdoshme. Kush kërkon ripërtëritjen e lejes së qëndrimit për studime duhet t’i japë kuesturës një certifikatë të universitetit që të dëshmojë provimet e dhëna. Po ashtu, një i papunë që kërkon lejeqëndrim për pritje punësimi duhet të pajiset me certifikatën e regjistrimit në Qendrën për Punën. Ndërsa për kartën e qëndrimit është e domosdoshme dëshmia penale.
Përjashtimi duhej të zgjaste pak. Deri në 1 janar 2013, u shkrua fillimisht në ligj. Sa për kohën e nevojshme për vënien në rrjet të bankave të ndryshme të të dhënave të administratës publike, për shembull, ato të universiteteve, të Qendrave për punësimet, të Kuesturave dhe Prefekturave, në mënyrë që administrate të mund të verifikonte vetëdeklarimet e të huajve. Por erdhi e iku 1 janari 2013 e që nga ajo datë kanë nisur shtyrjet: fillimisht me nga 6 muaj, e më pas me nga një vit të tërë. Shtyrja e fundit parashikonte si datë fillimi të vetëcertifikimeve nga imigrantët 1 janarin 2016, por më 23 dhjetor 2015, mbledhja e fundit e Këshillit të Ministrave miratoi dekretin e radhës “Njëmijë shtyrjet” (quhet tamam kështu, “Milleproroghe”), që më 24 shkurt u kthye në ligj nga Parlamenti, në të cilin si zakonisht këto vitet e fundit përfshihej edhe shtyrja e mundësisë së vetëcertifikimit nga imigrantët. Praktikisht “shtyhet për më 31 dhjetor data, nga e cila shtetasit e vendeve joanëtare të BE-së, me qëndrim të rregullt në Itali, do të mund të përdorin vetëcertifikimet”.
Të jetë shtyrja e fundit? Nuk e beson më askush, edhe për faktin që ndërkohë nuk është bërë asgjë për lidhjen e bankave të të dhënave.
“Kjo shtyrje e mëtejshme – lexohet në skedën e përgatitur nga ekspertët e Dhomës së Deputetëve – motivohet nga mungesa e nxjerrjes së dekretit të ministrisë së Brendshme që duhet të gjejë mënyrat për sigurimin nga vetë zyrat të certifikatave të kartotekës gjyqësore italiane, të regjistrimeve përkatëse të procedmeve penale në vazhdim në territorin kombëtar, të të dhënave të regjistrit të Gjendjes Civile, të certifikatave lidhur me regjistrimin në zyrat për punësimin të punonjësve të hequr nga puna, që kanë dhënë dorëheqjen apo të paaftë për punë, të certifikatave të nevojshme për përteritjen e lejes së qëndrimit për motive studimi si edhe të parashikojë masat e përshtatshme për garantimin e sigurimit të shpejtë të dokumentacionit”.
E pse ministria e Brendshme nuk e nxjerr këtë të bekuar dekret? “Mungesa e dekretit – shpjegojnë gjithnjë ekspertët e parlamentit – shkaktohet nga zgjatja e punimeve të nisura tashmë mes administratave kompetente (ministritë e Drejtësisë, Punës dhe Arsimit) për gjetjen e mënyrave të bashkëbisedimit mes bankave të të dhënave që ato kanë”.
E meqë ato nuk arrijnë të dialogojnë mes tyre, imigrantëve u duhet të vihen në radhë.
Elvio Pasca
Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)