in

Imperia. I vënë flakën një salle bastesh, vdes një prej zjarrvënësve

Tre kushërinj nga Tropoja konsiderohen autorët e një atentati të frikshëm. Në shpërthimin që shkaktojnë, vdes njëri prej tyre, plagoset rëndë një tjetër dhe është ndaluar i treti

Romë, 3 nëntor 2015 – Në tre të mëngjesit duke gdhirë e hënë, 2 nëntor, një shpërthim e zjarr në një agjenci bastesh në kat të parë të një pallati në qendër të Oneglia-s në Imperia, ka tmerruar e ka ngritur në këmbë qytetin. Zjarrfikësit e policia që kanë shkuar në vendngjarje kanë gjetur aty tre persona: një të vdekur, një të plagosur rëndë dhe një tjetër që i qëndronte pranë të plagosurit. Pranë tyre janë gjetur edhe një bidon që kish pasur benzinë e një levë që duhet të jetë përdorur për të shpërthyer derën e hyrjes.

Sipas forcave të rendit të tre janë autorët e vënies së zjarrit agjencisë së basteve, por që nga padija e mos të qenit ekspertë të lëndëve djegëse kanë mbetur vetë viktima. Gjithnjë sipas policisë, pasi kanë shpartalluar derën e hyrjes, dy prej tyre kanë derdhur benzinën në në të katër anët e lokalit. Nuk e kanë kuptuar që ambienti është mbushur me gazin shpërthyes dhe kur i kanë vënë shkrepësen kanë shkaktuar një shpërthim të fuqishëm në të cilin kanë mbetur viktima vetë dy atentatorët.

I vdekuri është 19 vjeçari Albert Jakupaj, i pacensuruar, prej pak muajsh në Imperia ku qëndronte pa dokumente. I plagosuri është 29-vjeçari Aranit Ismajlukaj, i njohur nga forcat e rendit për precedent penalë. 29-vjeçari është operuar me urgjencë dhe tani është i shtruar në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Personi i tretë i gjetur në vendngjarje, është 19-vjeçari Mretjev Ismajlukaj. Për policinë edhe ky ka qenë bashkë me dy të parët gjatë atentatit, por qëndronte jashtë e u bënte roje ndërsa ata i vinin zjarrin lokalit. Dje është marrë në pyetje e më pas është arrestuar. Tre shqiptarët janë nga Tropoja e kushërinj me njëri tjetrin.

Policia që po heton për zbardhjen e ngjarjes mendon se tre shqiptarët janë vetëm “krahu i punës” i ndonjë organizate kriminale që u ka dhënë “porosi”  të kryejnë atentatin.

 

 

 

Familja “normale” me 134 kg drogë në bagazh nga Durrësi në Bari

Ndalohet në Londër Francesco Becchetti, pronari i Agon Channel