in

Ina Bisha, 110 me nderime e lavdërime

Quhet Ina Bisha, është 26 vjeç dhe këtë verë sapo u diplomua .për Kimi dhe Teknologji Farmaceutike me notat maksimale dhe lavdërimet komisionit, madje i është dhënë edhe “menzione d’onore”, fletë nderi, nderim që, sipas dekanit, jepet për të parën herë absolute në Fakultetin e Farmacisë së Universitetit të Parmës, “për të nënvizuar karrierën e shkëlqyer universitare të studentes shqiptare”. “Ishte shumë emocionuese të merrja këtë vlerësim kaq të lartë” – tregon Ina me sytë që i shkëlqejnë. “Nuk e prisja, sepse e dija që nuk e kishin dhënë kurrë”.

Ina Bisha ka lindur në Vlorë, ku ka jetuar deri në moshën 11-vjeçare, e më pas transferohet në Itali me të gjithë familjen: babanë, nënën dhe një motër më të madhe. Përpjekjen e parë të emigrimit familja e saj e bëri sapo u hapën ‘dyert e Shqipërisë’, në vitin 1991, në Perugia, por malli për Vlorën dhe të afërmit atje i detyroi të ktheheshin pas një viti. Kështu Ina ndoqi vetëm klasën e parë fillore në kryeqendrën e Umbrias. Më pas, në vitin 1995, kur situata në Vlorë rëndohet, familja e saj merr sërish rrugën e mërgimit dhe vendoset përfundimisht në Parma.

Nga pasioni për muzikën në fakultetin e Farmacisë

Me të mbërritur në Parma, Ina nisi të ndjekë shkollën e mesme të ulët muzikore dhe liceun muzikor, ku studionte organon dhe piano. Më pas bën edhe dy vjet të tjerë, për të përmbyllur ciklin e studimeve muzikore dhe merr diplomën për piano me notën maksimale 10 dhe me lavdërime. Akoma sot ka mbetur  frekuentuese e thekur e Konservatorit dhe Teatro Regio në Parma, bashkë me të motrën që është e diplomuar në kanto, me të cilën ndan pasionin për muzikën.

“Do të kisha dashur të bëhesha pianiste, por nuk është realitet i lehtë. – shpjegon Ina për “Bota shqiptare” – pasioni për muzikën më lindi pas periudhës në Perugia. Babai më bleu një tastierë të vogël dhe unë kaloja orë të tëra me gishtat mbi të, pa e kuptuar që po filloja t’i bija vërtet”.

Flokët e zinj që rrethojnë fytyrën e saj të ëmbël, një vijë e hollë lapsi rreth syve dhe një buzëqeshje brilante të përcjellin dëshirën për jetën, për të shkuar përpara, për t’u përsosur.
Përgatitja shkollore e Inës, deri në moshën 21-vjeçare ishte kryesisht muzikore dhe në lëndë humanistike, e megjithatë ajo i hyri një dege ku iu desh të përballej me lëndë shkencore pa u dekurajuar asnjëherë, dhe duke arritur gjithnjë rezultatet më të mira brenda kohës së duhur.

“U regjistrova në fakultetin e Farmacisë, sepse kur isha e vogël ëndërroja të bëhesha shkencëtare; muzika është diçka shumë e bukur, por kisha ‘uri’ për dije dhe ky fakultet më ngopi”. E kupton këtë që të thotë Ina po të mbash parasysh që i ati i Inës ka qenë fizikan dhe e ëma mjeke, ndaj që në moshë të vogël ajo i ka ushqyer vetës dashurinë për shkencën, duke pasur si model prindërit e saj. Por ajo shkon më tej e të shpjegon ‘urinë’ e saj: “deri 21 vjeç isha marrë më shumë me muzikë, madje dy vjetët e fundit, vetëm me të. Kisha nevojë të mësoja gjëra të reja, të studioja diçka që më intereson”. Tregon se ka studiuar shumë por e ka bërë gjithnjë me dëshirë, pa i rënduar. E sakrifica? “Po, jo kushedi se çfarë – të përgjigjet – nëse e quan të tillë që nuk kam dalë përnatë me miqtë, apo që përpara provimeve studioja deri natën vonë”.
Ina dëshiron të punojë si kërkimtare shkencore dhe falë shtetësisë italiane mund edhe të ëndërrojë ndonjë doktoratë jashtë shtetit. Është një shpërthim energjish dhe dëshire për t’u realizuar: ëndrra e çdo prindi. Dhe prindërit e saj duhet të jenë vërtet krenarë e të kënaqur. “Janë vërtet të lumtur që shkoj përpara. Dhe jam e kënaqur për ta, se e meritojnë. Për ne kanë sakrifikuar karrierat e tyre: babai në Shqipëri ishte profesor fizike, këtu shpërndan qumësht” thotë me ëmbëlsi Ina. (red.)

Lexo edhe: Brezat e dytë, të parët e klasës

Brezat e dytë, të parët e klasës

Gaia që fiton vetëm çmime të para