Me tregimin “Një letër e papritur” është vlerësuar me çmimin e parë të seksionit të të Rriturve të Konkursit Ndërkombëtar Letrar të organizuar nga shoqata kulturore Malala
Romë, 10 qershor 2014 – Poetja e shkrimtarja Irma Kurti nderohet merr një vlerësim të ri në Itali. Më 7 qershor, me tregimin e saj “Një letër e papritur” u vlerësua me çmim të parë në Konkursin Ndërkombëtar Letrar “Città di Treviglio” organizuar nga Shoqata Kulturore “Malala”.
E impenjuar në përhapjen dhe promovimin e kulturës në të gjitha format e mundshme, Malala realizon iniciativa të vazhdueshme në favor të rritjes kulturale veçanërisht të të rinjve.
Konkursi i këtij viti u drejtohej qytetarëve italianë dhe emigrantë. Ai ishte i ndarë në seksionin e të Rinjve e të të Rriturve dhe fokusohej në problemet aktuale të realitetit italian të viteve të fundit: nga njëra anë të rinjtë me vështirësitë reale për t’u futur në botën e punës, shpresat dhe ëndrrat e tyre, nga ana tjetër të rriturit, me kujtimin e profesioneve të të shkuarës apo me vështirësitë e punës së ditëve tona.
Në seksionin e parë morën pjesë nxënës të shkollave të mesme dhe studentë universitarë. Krijimet që konkuruan ishin të pabotuara dhe me temë: “Të punosh nesër”.
Ndërsa në seksionin e të rriturve me temën: “Puna dje dhe sot” synohej të tërhiqeshin mendime e refleksione të atyre që kanë hyrë në botën e punës duke e krahasuar situatën aktuale të krizës me atë të disa viteve më parë.
Në ceremoninë e dhënies së çmimeve që u zhvillua në Treviglio në praninë e pjesëmarrësve të shumtë si dhe të përfaqësueve të artit dhe të kulturës, Irma Kurti komentoi krijimin e saj, duke u ndalur dhe në eksperiencën personale gjatë viteve në emigrim. Tregimi “Një letër e papritur” u lexua dhe u duartrokit duke përcjellë emocion tek të pranishmit. Fituesit e tjerë ishin nga Ancona, Palermo, Livorno e Pisa.
Nuk është hera e parë që Irma Kurti shpallet fituese e një konkursi në Itali. Në 2011, poezia “Nën bluzën time” u nderua me çmim të parë në Konkursin Napoli Cultural Classic në kategorinë e autorëve të huaj. Në të njejtin vit, libri autobiografik: “Midis dy brigjeve” u vlerësua me çmimin e parë në Konkursin Ndërkombëtar “Lago Gerundo” në Paullo, Milano.
“Sa herë ngjitem në skenë për të tërhequr ndonjë vlerësim apo çmim – thotë Irma – nuk harroj kurrë të falenderoj prindërit e mi, të cilët, megjithë kushtet jashtëzakonisht të vështira të asaj kohe, më nxitën e më inkurajuan me pasionin për të shkruar”.
Pas takimit të pranishmit vizituan ekspozitën fotografike kushtuar poetit italian Salvatore Quasimodo.
Lexo edhe:
“Nën bluzën time” i Irma Kurtit tani flet italisht
Irma Kurti, fituesja e parë shqiptare e çmimit “Universum Donna”
“Nën bluzën time” – Shpirti i trazuar i Irma Kurtit
Vjeshta pa kthim e Irma Kurtit
Poezia, loja e magjishme e Irma Kurtit