Dhjetë të tjerë të plagosur e mes këtyre edhe 5 fëmijë. Personat në autobus ishin të gjithë miq që ktheheshin nga një pelegrinazh për Padre Pio-n. Kush ka dhënë ndihmën e shpejtë ka pasur para syve një skenë të tmerrshme me 48 pasagjerët, shumica e të cilëve të vdekur, të mbetur mes hekurishteve të autobusit.
Romë, 29 korrik 2013 – Ka përfunduar si mos më keq pelegrinazhi që një grup miqsh nga provinca e Napolit po bënte për Padre Pio-n. Mbrëmë autobusi vinte nga Terme di Talese e përshkonte A16 Napoli-Canosa, kur pak pas orës 21 pasi është përplasur me disa makina që kishte përpara ka dalë nga rruga dhe ka rënë nga 30 metra lartësi. Nga 48 personat në autobus, 36 janë nxjerrë të vdekur, por në spital kanë ndërruar jetë edhe dy të tjerë.
Të plagosurit, mes të cilëve edhe fëmijë, janë shtruar në spitalet e Avellinos dhe të Napolit. Disa janë akoma në rrezik për jetën e bilanci i viktimave mund të rëndohet edhe më.
Trupat e viktimave të nxjerrë gjatë natës janë çuar në palestrën e shkollës së Monteforte Irpino ku të afërmit po bëjnë identifikimin e tyre.
Dinamika e aksidentit
Gjithçka ka ngjarë në zonën Monteforte Irpino, menjëherë pas hyrjes autostradale të Avellino Ovest, në drejtim të Napolit, pjesë e rrugës që kishte pasur disa aksidente. Për shkaqe ende të paqarta, ndoshta për shkak të shpërthimit të një gome, autobusi ka shkuar plumb mbi disa makina në kolonë, më pas është përplasur me guardrail-in dhe ka rënë anash autostradës nga 30 metra lartësi. Në të 48 persona, që ë gjithë nga Giugliano in Campania, Mugnano di Napoli dhe Marano. Mes viktimave edhe shoferi.