in

Ministri Terzi: “Italia mbështet në çdo mënyrë integrimin e Shqipërisë BE”

Ministri i Jashtëm italian Giulio Terzi pret homologun e tij shqiptar Edmond Panariti në Romë. Terzi: “Është objektiv dhe interes i Italisë që Brukseli t’i japë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”

Romë, 09 korrik 2012 – “Italia angazhohet të mbështesë në të gjitha mënyrat dhënien Shqipërisë të  statusit të vendit kandidat të BE-së. Është objektiv e në interes të vendit tonë që Brukseli t’i konfirmojë këtë status vendit ballkanik”. Me këto fjalë, ministri italian i Punëve të Jashtme, Giulio Terzi, i ka konfirmuar homologut të tij shqiptar, Edmond Panariti gjatë vizitës në Romë, mbështetjen e plotë në rrugën e integrimit në BE.

Veç procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, në takimin mes dy ministrave u diskutua edhe për forcimin e partneritetit strategjik midis dy vendeve, zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, etj.

Terzi theksoi se në marrëdhëniet itali-Shqipëri një rol të rëndësishëm ka luajtur komuniteti i rreth 500 mijë shqiptarëve në Itali. “Emigracioni shqiptar ka arritur një nivel të mirë integrimi shoqëror e ekonomik, mbi të gjitha falë pranisë së sipërmarrësve të vegjël e të mesëm. Sa për mbërritjet e klandestinëve, thuajse janë zhdukur krejtësisht nga viti 2003”.

Duke u ndalur në bashkëpunimin mes dy vendeve në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, ministri italian, vuri në dukje se mbështetja italiane për marrjen e statusit të vendit kandidat do të jetë e vazhdueshme. Terzi u shpreh se Italia do të angazhohet për thellimin e mëtejshëm të   marrëdhënieve dypalëshe, veçanërisht, në fushat ekonomike dhe kulturore.

Ministri Panariti informoi mbi progresin e Shqipërisë në zbatimin e reformave sipas planit të veprimit për përmbushjen e kritereve për marrjen e statusit të vendit kandidat.

Panariti shprehu kënaqësinë për vizitën e ardhshme të Presidentit Italian, Napolitano në Tiranë, në kuadrin e festimeve të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë. Gjithashtu, z. Panariti vlerësoi interesin e shprehur nga Italia për projektin e gazsjellësit TAP.

Ministri Panariti falenderoi homologun italian për shprehjen edhe një herë të mbështetjes së Italisë për marrjen e statusit të vendit kandidat.

 

Në fundjavë mbi 8 mijë vetë hyjnë në Shqipëri nga porti i Durrësit

Tërmet i lehtë në Romë. Në rrjetet sociale, ironi me kryebashkiakun