in

Italia heq taksën fikse dhe taksën e qarkullimit për autotransportatorët shqiptarë

Botohet në Gazetë Zyrtare edhe dekreti i ministrit të Financave, hapi i fundit i nevojshëm për heqjen e kësaj barre për transportuesit shqiptarë

Romë, 16 shtator 2016 – Italia heq më në fund taksën fikse dhe taksën e qarkullimit për autotransportatorët shqiptarë.

Një masë e vonuar, shumë e vyer për kompanitë shqiptare që kishin vite që e kërkonin, që u fut në nenin 20 të ligjit evropian 2015-2016 të botuar në Gazetën Zyrtare më 8 korrik 2016. Tashmë, më 1 shtator 2016, edhe Ministri i Financave Padoan ka nxjerrë dekretin e nevojshëm të parashikuar nga ligji, dekret që është botuar në Gazetën Zyrtare më 12 shtator. 

Kështu, këtej e tutje, mospagesa e këtyre taksave automobilistike nga autotransportatorët shqiptarë është realitet.

Vendosja e “taksës fikse” (diritto fisso) rëndonte mbi transportuesit shqiptarë që prej dhjetëra vitesh, që kur u krijua me ligjin nr. 1146 të 28 dhjetorit 1959. Sipas drejtuesve të kompanive që realizojnë transport mallrash, heqja e kësaj takse që operatorët shqiptarë paguanin në territorin italian do të reduktojë nga 10-15% kostot e përgjithshme dhe do ta bëjë këtë shërbim më konkurrues kundrejt vendeve të tjera.

Deri tani autotransportatorët shqiptarë kanë paguar taksë fikse prej 6,3 euro për tonelatë brenda 100 km dhe 9,30 euro për tonelatë përtej 100 km. Vendet e tjera të rajonit Serbia, Mali i Zi, Maqedonia paguajnë 0,77 euro për tonelatë për 100 km e parë dhe 1,29 përtej tyre. Veç taksës fikse, shqiptarët kanë paguar deri tani edhe taksën ACI të qarkullimit që është 2,27 euro në ditë. Ndërsa autotransportatorët serbë, malazezë dhe maqedonas nuk e paguajnë këtë taksë.  

 

 

 

“Vi salveremo tutti” – Guardia Costiera strappa i migranti alla morte (VIDEO)

Austri. Autoritetet konfiskojnë shtëpinë e lindjes së Hitlerit