Kohë bilancesh për Edicionin e 12-të të Javës së Fëmijëve të Mesdheut që mblodhi në Ostuni edhe këtë vit vogëlushë nga shumë vende. Vitin e kaluar në këtë aktivitet morën pjesë 35 mijë fëmijë, ndërsa këtë vit numri i tyre qe më i madh.
Romë, 25 tetor 2010 – “Guri në pellg: duke çliruar fantazinë me Gianni Rodarin” ishte kjo tema e këtij viti që përshkoi të gjitha aktivitetet, laboratorët, takimet, lojërat dhe shfaqjet ku morën pjesë të mëdhenj e të vegjël. Në rrugicat e qytetit të bardhë ata u bashkuan, për t’u njohur dhe për të promovuar jetesën në paqe.
Organizatorët e aktivitetit, të ideuar dhe koordinuar nga prof. Lorenzo Caiolo, vunë në dukje se mes entuziazmit të madh fëmijëror, spikatën grupet e ardhura nga Kurdistani dhe nga Shqipëria. Në Ostuni këta të fundit sollën entuziazmin e tyre, këngët dhe vallet, rrëfimet dhe shfaqjet që lanë mbresë. Delegacioni shqiptar falënderoi me mirënjohje familjet ku qëndruan gjatë kësaj jave që për ta do të jetë e paharruar. Por do të jetë i paharruar edhe kori i zërave të bardhë të fëmijëve të Gazës që mbërriti në qytezën jugore i regjistruar. Organizatorët shpresojnë që edicionin e ardhshëm t’i kenë në Ostuni këta fëmijë.
Prof. Caiolo është i mendimit se “kjo përvojë duhet të vazhdojë dhe se duhet mësuar nga ajo. Java e Fëmijëve të Mesdheut është dëshmia se për farën e vëllazërisë dhe të respektit për tjetrin duhet bërë kujdes çdo ditëm në shkolla, në familje dhe çdo herë që kemi të bëjmë me të tjerët”.